Kur goditet Turqia

Jun 30, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

leonidha mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Turqia u godit përsëri nga terroristët. Shpërthimet e njëpasnjëshme, goditjet me armë zjarri në aeroportin “Ataturk” të Stambollit u morën jetën 41 vetave dhe mbi 150 të tjerë janë plagosur. Vetë Turqia është plagosur rëndë.

Duket se atje po humbet siguria. Sulmet terroriste në këtë vend nuk ndalen; ato shfaqen herë pas here, gjithnjë e më kërcënuese. Vetëm gjatë këtij viti numërohen disa: Pak kohë më parë, 37 veta u bënë pre e tyre. Të gjithë njerëz të pafajshëm, midis të cilëve nxënës dhe studentë. Në një sulm tjetër u vranë nga një kamikaz 12 turistë, duke marrë përgjegjësinë për këtë Shteti Islamik. Dhe më tej.

Në Stamboll, në një nga rrugët e njohura tregtare në pjesën europiane, pranë Sheshit Taksim, humbën jetën sërish disa persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Dhe përgjegjësia vazhdon të merret, si në rastet që përmendëm, nga Lëvizja “Skifterët e Lirisë së Kurdistanit” (TAK), grupim i ndarë ky nga Partia e Punës së Kurdistanit” (PKK), parti e kurdëve, e ndaluar tashmë në Turqi apo militantë të IS-it etj.

Me sa duket, sulmi i pardjeshëm është shprehje e mospajtimit me politikën e deritanishme të Turqisë, një ndëshkim për presidentin Erdogan, lidhur me nismat e tij të fundit, të afrimit me Izraelin dhe Rusinë. Por pa u ndalur në këtë, le të shohim goditjen ndaj Turqisë edhe më gjerë.

Europës vetë i është prishur qetësia. Shkak dhe për vendet e tjera të saj është bërë koordinimi jo pa sukses i sulmeve terroriste. Kujtoni Brukselin e pak muajve më parë. Strukturat e posaçme shtetërore u kapën gafil. Apo për vizionin e “Der Spiegel”, Belgjika shihej si “shtet i dështuar” në fushën e sigurisë. Edhe këtu fajtorët filluan të kërkohen te politika e gabuar ndaj emigracionit mysliman.

Është e çuditshme, por me të drejtë ka një opinion, që bëhet gjithnjë e më i pranishëm, lidhur me mungesën e një strategjie serioze në këtë drejtim nga Bashkimi Europian. Ka më tepër inflacion fjalësh e zotimesh sesa një veprimtari konkrete për të parandaluar këto sulme kriminale, si ai në Stamboll. Nuk mundet një vend i vetëm, sado i fuqishëm të jetë ai, të përballojë sulmet terroriste që vijnë nga anë të ndryshme, qofshin dhe për ato arsye që përmendëm më lart.

Nuk mundet kurrsesi Europa të shohë me indiferentizëm apo të nënvleftësojë marrëdhëniet me botën islamike. Ato kërkohet të zëvendësohen me kontakte më të shpeshta, me më shumë prezencë në ndjekjen e proceseve që ndodhin në këto vende, përmes marrëdhënieve multilaterale: shkëmbimeve të ndryshme, si në fushën politike dhe në atë ekonomike, duke sfumuar me guxim paragjykimet ndaj tyre.

Çdo pasivitet ndaj këtyre vendeve, mahis më shumë plagët e njohura. Nëse, sikurse është vënë re, vende të ndryshme të Bashkimit Europian vazhdojnë të shohin shtrembër emigrantë të kë- tyre vendeve, si nga Siria e gjetkë, duke u limituar mjaft të drejta apo duke ua lënë ato rastësisë, si ato të punësimit, të shkollimit të fëmijëve, të papriturat i ke po aty.

Nga ana tjetër, në këtë mënyrë, ndoshta pa dashur, u bën një shërbim të jashtëzakonshëm edhe partive të djathta, sikurse dëshmon realiteti, të cilat marrin më tepër zemër, për një inkurajim më të madh të nacionalizmit të tyre. Por, mendoj, më parë për Europën është e nevojshme të shohë problemet brenda saj në fushën e sigurisë.

Një strategji konkrete, e qartë, më shumë ka mbetur te fjalët. Përsërisim ndërkohë se terrorizmi nuk mund të luftohet i vetëm, qoftë edhe si kontinent. As me mallkime ndaj kësaj apo asaj krize dhe politikave ndaj tyre. Por as dhe me marrëdhënie të tensionuara ndaj Rusisë. Sikurse shihet, ka nevojë për një strategji tjetër dhe ku shërbimet e specializuara brenda kësaj strategjie të kenë një bashkëpunim të gjithanshëm e të pandërprerë.

Deklaratat e paradokohshme të disa liderëve europianë, si të kryeministrit të Polonisë dhe të Bullgarisë, sipas të cilave shprehej muaj më parë gatishmëria për të pranuar në vendet e tyre vetëm refugjatë të krishterë, prodhonin efekte të kundërta: i lehtësonte IS-it punën për të rritur numrin e ithtarëve të vet. Ndaj me të drejtë “The Guardian” konkludonte se “fare qartë IS-i (Shteti Islamik) kërkon që europianët të ngatërrojnë refugjatët me terroristët dhe po ia del deri tani”.

Kështu, Turqia apo vende të tjera të BE-së, nuk ka si të ndodhë ndryshe, mbeten objektiv i terroristëve. Pa bashkëpunimin e shteteve të fuqishme, përfshirë dhe Rusinë, pohoi dje me të drejtë kreu i delegacionit turk në takimin e Asamblesë Parlamentare për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi, mposhtja e së keqes është e pamundur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura