Kur frustrimi i opozitës sjell radikalizim

Sep 6, 2018 | 15:51
SHPËRNDAJE

MENTOR NAZARKO/ mentor nazarkoSezoni i ri parlamentar, në të cilin kemi hyrë, supozohet se përfaqëson brenda jetës  politike përqendrimin më të madh, ngjarjet më të forta të saj. Në fakt, ka koinciduar me vitin e ri shkollor të një pjese të shkollave të arsimit fillor: por kjo s’do të thotë që do t’i ngjajë atyre. Dhe vetëm supozohet se jeta politike do të zhvillohet në Parlament, sepse pritet të ketë surpriza.

Pritet të jetë një jetë politike e zhvilluar ndoshta në dy shina paralele, që nuk dihet se ku do takohen. Në njërën anë, nëse sheh ditën e parë parlamentare, i ngjan një monizmi partiak, me gjithë ngjyrimet diferencuese brenda shumicës sepse opozita mungoi. Në anën tjetër, në qoftë se sheh zhvillimet që lidhen me opozitën, duket se do të jetë një sezon i nxehtë politik për shkak të parathënies verbale për një skenar të radikalizmit të opozitës. Në këto dy shina të kësaj stine të re, do të kemi dy zhvillime interesante. Jemi në vigjilje të zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe nga qershori i vitit të ardhshëm kur janë zgjedhjet parlamentare europiane, për Shqipërinë nis rishqyrtimi i kandidaturës së saj për çeljen e negociatave për statusin e vendit anëtar në Bashkimin Europian. Në këtë kuptim, i gjithë ky vit pritet të karakterizohet nga një presion i madh europian për të prodhuar rezultate, në ato që janë reformat e ndërmarra në drejtësi. Bashkimi Europian së bashku me SHBA-të do të kërkojë që institucionet e drejtësisë të kenë më në fund rezultate posaçërisht në kapjen e peshqve të mëdhenj, por dhe në reformën zgjedhore, atë administrative, etj.. Në ndikimin e këtij presioni, institucionet e drejtësisë dhe mund të vënë duart te politika, pra, të bëjnë arrestime politike dhe e gjitha kjo do ta rrisë presionin mbi tenxheren shqiptare. Partitë kryesore do jenë të fokusuara të prodhojnë fitore në betejat e mëdha, të vogla apo të mesme në funksion të zgjedhjeve lokale dhe një miksim të tillë ngjarjesh do ta bëjë që të jetë një sezon politik, një sezon parlamentar i nxehtë: palët do të konfliktohen, do tentojnë të diferencohen nga njëra-tjetra dhe jo të afrohen.

Mjerisht, nëse do të nisemi nga objektivat me karakter kombëtar, siç është marrja e ftesës për çeljen e negociatave për statusin e vendit anëtar në BE, do të duhet që politika të zgjidhte të paktën modelin kroat, që ishte modeli i një konsensusi të madh për ligjet kryesore të integrimit, ndonëse jo qeveri e përbashkët: të paktën votim konsensual i të gjitha ligjeve që të çojnë tek integrimi. Përkundër kësaj, ditët e para të sezonit parathanë një antagonizëm në rritje që u duk me faktin se opozita duke kopjuar nga pak dhe qeverinë (që bën dhe mbledhje jashtë Tirane) vendosi që të zhvillojë një mbledhje të shtabit të saj të përgjithshëm në Shkodër.

PSE KY ANTAGONIZËM?

Do duhet për të kuptuar që zgjedhja e kësaj taktike të luftës politike prej opozitës, dëften një lloj frustrimi, humbje besimi të saj, se kjo qeveri, ky Kryeministër, nuk munden me metoda politike klasike, me metoda parlamentare dhe për pasojë mendohet se rruga e vetme që mund të japë rezultat do të jetë nxjerrja e popullit në rrugë. Ky është perceptimi që duket se ka krijuar nëse gjithsekush analizon ato që mendohet se janë gjithë atutë, gjithë mjetet apo instrumentet politike në duart e një KM apo e një qeverie në pushtet në një mandat të dytë dhe as nuk po jep shenja rrëzimi. Në fakt, edhe nëse po jep, ato shenja vijnë prej vetes dhe jo prej opozitës: një qeveri që mund të gërryhet së brendshmi, por jo nga goditjet që merr së jashtmi.

PSE QEVERIA NGJAN E FORTË?

Është një qeveri, një kryeministër që po tregon se ka mbështetje ndërkombëtare relativisht të fuqishme. Po sjellim si shembull ilustrues skenën e fundit në mbledhjen e vendeve anëtare të NATO-s ku Rama mori komplimentet publike të Presidentit Trump, një ditë pasi e kishte takuar publikisht djalin e Sorosit dhe po në të njëjtin samit kishte marrë dhe vlerësimin e Kancelares Merkel. Ky moment tregoi se Rama ka kapërcyer atë që ishte problemi i tij më i madh, handikapi me Presidentin aktual amerikan, një njeri i paparashikueshëm dhe që mund të provokonte një hakmarrje të tij. Paratë e lobimit të opozitës nuk duket se kanë dhënë rezultatin e dëshiruar. Por ky është një kryeministër, i cili mendohet se ka ende mbështetjen edhe të Gjermanisë, të Kancelares Merkel,por jo vetëm. Rama ka marrëdhënie të mira edhe me një nga fuqitë rajonale apo edhe botërore të rëndësishme, ndoshta të rangut të dytë, siç është Turqia.

DOBËSIA E QEVERISË…

Duhet pranuar megjithatë se Bashkimi Europian, i gjendur në fushatë zgjedhore do të ushtrojë një presion të madh mbi të, për të prodhuar rezultate në Reformën në Drejtësi, për arrestimin e peshqve të mëdhenj, që mund të kenë lidhje me pushtetin dhe kjo do t’i krijojë problem qeverisë. Por për të demonstruar fuqinë e një qeverie nuk është vetëm plani ndërkombëtar, por dhe plani i brendshëm ku parashihen vështirësi të mëdha ekonomike, ku u panë dhe dje në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, (rënie e kreditimit të ekonomisë për shembull), edhe pse ishte vetëm njëngjyrësh. Gjithsesi, shqiptarët janë të mësuar që të jetojnë në situata ekonomike shumë të vështira, por kjo nuk është reflektuar në humbje të zgjedhjeve prej partisë në pushtet. Kjo qeveri sipas një rregulli të pashkruar në Ballkan, ka arritur që të stabilizojë lidhje të qëndrueshme me grupe të rëndësishme të biznesit që ndikojnë dhe në rezultatin e zgjedhjeve. Po ashtu qeveria ka arritur të vendosë me ta marrëdhënie kompromisi me mediat kryesore që garanton një nivel të ulët kundërshtie. Kjo ngjan se është një qeveri, që nëse doni, arrin të vendosë marrëdhënie të qëndrueshme interesash reciproke dhe me ato që janë fuqitë e forta të një shteti – të ligjshme apo të paligjshme. Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por dhe në vende të tjera të Ballkanit, ku lidershipët që fitojnë një mandat të dytë, e kanë më të lehtë madje të fitojnë dhe një mandat të tretë. Me përmasat e vendeve tona për lidershipët agresive është e mundur të vendosen në kontroll shumë leva të rëndësishme që e mbajnë atë në pushtet, pse jo dhe drejtësinë nëse ky është shqetësimi i opozitës. Madje, ngjan se vendoset njëlloj statuskuoje dhe me fuqitë apo grupet kriminale, që mimetizohen, tentojnë të legalizohen. Përballë një situate si kjo, opozita e ndjen vetën të pafuqishme që ta sfidojë qeverinë me luftë politike, luftë parlamentare dhe jo vetëm kaq. Opozita vetë ka qenë dikur në pushtet për dy mandate, njëjtë ka vendosur kontroll mbi fuqitë e forta, të ligjshme dhe të paligjshme, mbi mediat, mbi drejtësinë dhe në këto kushte ajo duket e dorëzuar ta rrëzojë qeverinë me mjete të ligjshme, me mjete parlamentare. Duke e njohur këtë koniunkturë, shndërrimin e hallkave të ekonomisë, drejtësisë, që janë orientuar kah qeverisja, opozita e vendos gishtin te lidhjet e qeverisë me krimin. Ndaj u zgjodh Shkodra, u fol me emra dhe u denoncuan grupet kriminale që qeverisin Shkodrën, me akuza që i shërbejnë shëndetit social dhe atij politik.

MIRËPO, CILA ËSHTË RRUGA E NDRYSHIMIT TË PUSHTETIT?

Mirëpo, a janë këto instrumentet politike më ekskluzive të veprimit opozitar? A do ta luftojë krimin dalja në rrugë? A mundet që dalja në rrugë të krijojë atë masë kritike popullore që të rrëzojë qeverinë? Duket se jo, për më shumë nuk kemi ndonjë precedent të tillë, madje kemi precedent dështimi siç ishte çadra. Pra, teorikisht për shkak të lidhjeve së qeverisë me krimin, denoncimit të saj dhe radikalizimit të saj në sheshe, nuk është arritur të krijohet frymë popullore e mjaftueshme për të rrëzuar qeverinë.

Paradoksi: Krimi historikisht, me Kushtetutë dhe ligj, luftohet nëpërmjet dhënies së instrumenteve, rritjes së pavarësisë financiare, vendimmarrëse pikërisht institucioneve që janë të ngarkuara nga ligji e Kushtetuta për ta bërë këtë, Prokurorisë, Policisë, drejtësisë. Opozita nuk i shikon ato të besueshme. Opozita nuk dëshiron të marrë pjesë në vazhdimin e Reformës në Drejtësi. Hapat e mëtejshme në këtë reformë konsiderohen si hapa për të shtënë në kontroll pushtetin e drejtësisë nga Qeveria.

E gjitha kjo duket si një situatë pa zgjidhje, por që me gjasë mund të sjellë një diferencim të palëve politike e që mund të kërkojë sërish ndërmjetësimin e ndërkombëtareve. Ku ishim? Atje ku ishim dhe vjet, kur u ngrit çadra, ndonëse LSI-ja ishte e papërcaktuar. Pra, ky i sivjetmi pritet të jetë një sezon parlamentar i ashpër, për shumë arsye, por mbi të gjitha prej frustrimit të opozitës. Ajo e sheh të pamundur të krijojë avantazh mbi një kryeministër që gëzon mbështetje të madhe politike ndërkombëtare, edhe gjeopolitike. Në këtë situatë, opozita gjen me vend të zgjedhë radikalizimin dhe e gjitha kjo i ngjan një dorëzimi pa kushte të opozitës përballë aksionit qeveritar, përballë një kryeministri që i lejon vetes të eksperimentojë, të bëjë edhe opozitën, duke dalë në shtëpitë e tmerrshme të varfanjakëve shqiptarë, duke bërë reportazhe në to, duke krijuar mediat e veta sociale, në një skenar rritje popullariteti jashtë apo mbi qeverinë dhe partinë prej nga vjen./Konica.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura