“Kur erdhën në burg djemtë e Mehmet Shehut, Todi Lubonja menjëherë i afroi dhe…”/ Përgjimet në burgun e Burrelit dhe dosja sekrete e vitit 1984

Jan 10, 2022 | 7:30
SHPËRNDAJE

pergjimet burgu i burrelitDashnor Kaloçi

Pjesa e dyzetë e nëntë

Publikohet një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese.

Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Vehap Kuka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “I penduari”, lidhur me bisedat e bëra nga disa të dënuar në atë burg

                                                                                                                  Marrë nga B.Op. V. Kuka

Xhavitit                                                                                                     Dhënë nga B.p. “I penduari”

                                       Raport i datës 5.6.1084

Ai njofton se më datën 4.6.1984, në orën e ajrimit në oborr, Gjergj Titan i tha atij se: “Xhavit Qesja flet me urrejtje të papërmbajtur për Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin, kjo sepse Todi është shumë i poshtër dhe më tha se Xhaviti, se ato që kam, në varr do t’i marr, përse i ruan?

Todi është një turjelë dhe mund ta ketë ngacmuar Xhavitin, por ai e ka kuptuar. Unë e njoh mirë Todin, ai është një bufon. Ç’qe ajo që bëri kur erdhën me djemtë e Mehmet Shehut, që menjëherë i morri si në kujdestari, i ndihmonte dhe ekonomikisht, gjë që Todi se ka për natyrë.

Kjo nuk qe një keqardhje e thjeshtë, por i ka rrënjët e thella. Këta të dy, Todin e Fadilin, Mehmeti ku nuk i dërgoi, në Japoni, në Suedi, në Zelandën e Re, etj. Por kur pa se lëvizën, i futi brenda.

Todi dhe Fadili e kishin shpresën e lirimit të Mehmet Shehu dhe atij i kanë shkruar letra, por kurë vrau veten, thanë gjithë ato, që u zhduk obskurantizmi dhe u bënë thirrje të tjerëve të shkruanin letra. Por tani, interesohen për djemtë e tij dhe duan t’i ndihmojnë”?

“I penduari”

Sqarim: Gjergj Titani, është i dënuar anti-parti, ndiqet në 2/A, si agjent i mundshëm i Zbulimit polak.

Xh. Qesja, T. Lubonja dhe F. Paçrami, janë të dënuar anti-parti, ndiqen në 2/A për agjitacion e propagandë armiqësore.

Vlersimi: Raporti ka vlerë operative, në të del se Xhaviti dhe Gjergji kanë dijeni për aktivitetin armiqësor të Todit dhe Fadilit në bashkëpunim me poli-agjentin M. Shehu dhe pasuesit e tij. Por del se dhe Gjergji nuk i flet për çka di konkretisht rreth këtij problemi, bashkëpunëtorit.

Detyra: B.p. ju dha detyrë që krahas detyrave që ka në drejtim të të dënuarve të tjerë antiparti, dhënë në takimin e mëparshëm, të zhvillojë biseda me Gjergjin, lidhur me veprimtarinë e përbashkët armiqësore me poli-agjentin dhe lidhjet e tij. Konkretisht, me Gjergjin do të zhvillosh këtë bisedë:

“Unë habitem me ty Gjergj, deri dje më afër nga të gjithë mbaje Todin dhe Fadilin dhe të besoj se mund të kenë biseduar edhe gjëra të karakterit sekret shtetëror dhe të veprimtarisë armiqësore së bashku me poli-agjentin dhe lidhjet e tij, por mua nuk më besohet që Todi sidomos, por dhe Fadili, të nxjerrin këmbët e tyre prej gjarpri, kjo edhe për faktin se ato mundohen të mësojnë sekretet nga të tjerët dhe unë mendoj që për vete duhet të ruhem.

Kjo për më tepër që ata e dinë që ti shpesh del në komandë për probleme të ndryshme?! Megjithatë, çfarë nuk ndodh?! Po tek Xhaviti, çfarë deshët të mësonit dhe ky i fundit pse i urren kaq shumë, kur dihet nga të gjithë se kanë pasur afrimitet të ngushtë?!

Masat Operative: Raporti të studiohet nga drejtuesit e Degës dhe të shtypet sipas implikimeve dhe të shfrytëzohet për informacion në Degën e VIII në Ministri.

Punëtori Operativ

    Vehap Kuka

Relacioni sekret i Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Vehap Kuka, lidhur me realizimin e detyrave të dhëna për përpunimin aktiv 2/A të dënuarit Xhavit Qesja, si dhe porositë e dhëna për bashkëpunëtorët “Butrinti”, “I penduari”  dhe “Shkëmbi 1”                    

                                                                                                                     Sekret

                                                                                                               Ekzemplar i vetëm

                                                                                                            Burrel, më 29.6.1984

                                                         R E L A C I O N

Mbi realizimin e detyrave të ngritura në drejtim të objektit të përpunimit aktiv 2/A Xhavit Qesja.

Detyrat e ngritura në planin e masave agjenturore operative të datës 22.3.1984, në drejtim të objektit të përpunimit aktiv 2/A Xhavit Qesja, janë realizuar si më poshtë:

  1. Janë drejtuar me detyra të studiuara në drejtim të objektit B.p. “Butrinti” dhe “I Penduari”, të cilët kanë dhënë për aktivitetin armiqësor që zhvillon objekti në radhët e të dënuarve të tjerë.
  2. Është korresponduar me D.P. Brendshme Krujë dhe Durrës për të ardhur e koordinuar për ndjekjen e përbashkët të objektit dhe të lidhjeve të tij, por deri tani nuk kanë ardhur.
  3. Është studiuar dhe mbajtur afër i dënuari Hazbi Lamçe, i cili ka deklaruar për aktivitetin armiqësor që zhvillon objekti me lidhjet e tij.
  4. Në drejtim të objektit është drejtuar edhe B.p. “Shkëmbi 1”, por ky B.p. nuk mundi të fitojë besimin e objektit.
  5. Është kontrolluar dhe asistuar dhe korrespodenca dhe takimet që ka kryer objekti me lidhjet e tij familjare, nga ku ka rezultuar se objekti ka zhvilluar aktivitet armiqësor në korrespodencë.
  6. Është porositur agjentura në radhët e efektivit dhe na ka informuar për lidhjet shoqërore të objektit.

Kohet e fundit, objekti i ka kufizuar bisedat me të dënuarit e dhomës dhe nuk është siguruar informacion.

                            Punëtori Operativ

                                  Vehap Kuka

 Zv/Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme

                                Hysen Dema

Raport-informacioni sekret i Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Piro Nuredini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “I penduari”, lidhur me bisedat dhe opinionet e disa të dënuarve që vuanin dënimin në atë burg

                                                                                                 Marrë nga P.Op. Piro Nuredini

                                                                                                      Dhënë B.p. “I penduari”

                                                                                                         Burrel, tetor 1984

                                                                                                                    Sekret

                                                            R A P O R T

Mbi disa mendime që mund të formulohen shkurtimisht nga shfaqjet të ndryshme të të dënuarve të M.E.S.-it (antiparti-P.N.)

Megjithëse për të gjitha shfaqjet e ndryshme që janë dëgjuar, si nga persona të veçantë, gjithashtu edhe si grupime, është relatuar vazhdimisht. Tani po bëj një përmbledhje të shkurtër që del gjatë gjithë kësaj periudhe që unë bashkëjetoj me ta:

Siç duhet këtu në MES ka të dënuar shumë të vjetër, me dënime të përsëritura, të rinj me dënime të ndryshme që përfshihen që nga organizata tradhtare, për tradhti ndaj atdheut, puçistë, për sabotim dhe për agjitacion e propagandë.

Si mbas mendimit tim, për të nxjerrë përfundime sa më të drejta dhe objektive, në radhë të parë, duhet ditur saktësisht se si ka qenë dhe si është qëndrimi i tyre ndaj krimit dhe fajeve që kanë bërë, për të cilin janë dënuar e pastaj për qëndrimin që kanë mbajtur e mbajnë në vazhdimësi gjatë kohës në burg, si dhe cili është mendimi i tyre përfundimtar për të ardhmen.

Pikërisht rreth këtyre pyetjeve kryesore mendoj të jap disa mendime, të cilat nuk janë nga konsideratat që mund të kenë unë për ta, por që kanë dalë nga vetë shprehjet e tyre në kohë të ndryshme dhe që unë i kam relatuar hollësisht sipas rastit.

Gjithashtu në këto pak përfundime unë nuk kam për qëllim të tregoj edhe atë, çfarë këta përfaqësojnë si persona, për karakterin e tyre dhe si njerëz në përgjithësi, sepse për këtë kam shkruar gjatë më përpara.

Nga shfaqjet e çdo njeriu në përgjithësi del se, së pari: grupimi kryesor dhe që përfshin shumicën dërmuese, është ai i atyre që nuk kanë njohur dhe s’njohin të kenë asnjë fajësi dhe se e quajnë veten, se janë të dënuar padrejtësisht.

Në këtë grup hyjnë: Maqo Çomo, Bardhyl Belishova, Xhavit Qesja, Gjergj Titani, Fadil Paçrami, Gjin Marku, Todi Lubonja, Sadik Bekteshi, Vaskë Gjino, Arif Hasko, Andon Sheti e Abaz Fejzo.

Ky është grupimi kryesor, por edhe në këtë ka pikëpamje e mendime të ndryshme. Këta kanë thënë, ose thonë se dënimi i tyre është i padrejtë, sepse nuk kanë pasur asnjë bazë ligjore, me ato pikëpamje me ato mendime që kanë pasur, kanë qenë konform vijës së Partisë, por në kushte e rrethana të ndryshme, nuk u kanë interesuar njerëzve të udhëheqjes, ose u duhej të mbahej ky qëndrim udhëheqësve të Partisë dhe të shtetit, por qëllimet e tyre dhe të konjukturave të ndryshme.

Këta jo vetëm që krimin, ose fajin e tyre i konsiderojnë të paqena, por kanë shprehur vazhdimisht, e sidomos mbas vetëvrasjes së poli-agjentit Mehmet Shehu, se dhe gjithë dënimet e tjera dhe sidomos ato të grupeve kryesore, kanë qenë të padrejta dhe të sajuara nga lart, duke filluar që nga ai i Teme Sejkos e deri tani së fundi.

Më aktivi në shfaqjen e këtyre mendimeve dhe që ka përpunuar dhe të tjerë, është Maqo Çomo, Bardhyl Belishova, Todi Lubonja dhe tani së fundi gjithë grupi i ushtarakëve (me përjashtim të Halim Rahomitos), duke përfshirë në këtë edhe Kiço Ngjelën, megjithëse ky mundohet të mos dalë hapur në me atë të tjerëve.

Për këto mendime Maqua, që është pothuajse “kartoteka” e gjithë farë mendimesh e shfaqjesh e të dënuarave, s’lë njeri, e sidomos ushtarakëve, pa ju thënë, duke i zënë një e nga një në mënyrë që t’i bindi, se këto janë kështu siç thotë ky.

Si përfundim i mendimeve që ka çdo njëri vetë për këtë çështje, si dhe gjykimeve që janë bërë këtu nga thëniet e mësipërme, është arritur në disa mendime rreth fajësisë.

Disa absolutizojnë fare, se nuk pranojnë të kenë asnjë fajësi, disa thonë ashtu i është dashur dhe udhëheqjes për qëllimet e tyre, kurse disa të tjerë, j’ua ngarkojnë fajet përgjegjësve të tyre që kanë pasur, ose shokëve që kanë punuar me ta.

Kurse disa tani ja dedikojnë grupit të fundit të poli-agjentit Mehmet shehu. Kiçua dhe Rrahmani (Parllaku-P.N.), janë me këto të fundit. Nga ushtarakët, vetëm Halim Ramohito pranon se ka fajësi dhe me gjithë përpjekjet që bënë këta të tjerët për të hequr dorë nga ky mendim, ai nuk u lëkund.

Së dyti: Pikëpamjet e tyre, janë për atë se tek ne nuk ka një politikë të drejtë, se nuk ka udhëheqje kolegjiale, se nuk ka një demokraci të vërtetë, se edhe tek ne bëhet luftë për pushtet, se nuk mund të ecim, me forcat tona.

Se zhvillimi ekonomik tek ne duhet të kishte shkuar më përpara, se standardi i popullit tonë është shumë i ulët dhe kjo, sepse jemi shkëputur nga miqtë e sidomos nga Bashkimi Sovjetik e Kina. Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura