“Kur doli nga burgu erdhi direkt në shtëpinë time”/ Këngëtarja e njohur kujton mes lotësh Sherif Merdanin: Ishte shok idealesh dhe artist që donte evolucionin

Sep 1, 2021 | 19:18
SHPËRNDAJE

alida hisku

Këngëtarja e njohur, Alida Hisku ka kujtuar mes lotësh takimin me Sherif Merdanin, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë.

Në një intervistë për News24, ajo thotë se ky shtator e gjen pa kolegun e saj, ndërsa thotë se ai ishte një shok idealesh, por edhe një artist që donte evolucionin në muzikë.

“Dua të them se është intervista e parë që po jap mbas vdekjes së kolegut, vëllait, të të shtrenjtit të muzikës për të gjithë artdashësit dhe për mua sidomos… kemi kujtime shumë të bukura, me të vërtetë”, shprehet Hisku.

E prekur dhe e lënduar, duke bartur mbi vete kujtime që ende rëndojnë e peshojnë, pothuaj si dikur, Alida Hisku, këngëtarja që pati zotëruar e magjepsur skenën, do të ndante pothuaj të njëjtin fat me Merdanin e dënuar nga komunizmi.

“Kemi kujtime shumë të bukura, atë ditë që ka dalë nga burgu ka ardhur direkt në shtëpinë time. Unë atëherë isha me arrest shtëpie, dhe donte vetëm të më shikonte se kishte marrë vesh që edhe unë kisha të njëjtin fat si ai. Ishte me të vërtetë jo vetëm shok idealesh, por edhe një artist që donte një evolucion në muzikë, që donte popullin. Një artist që gjithë jetën ia kushtoi artit dhe artdashësve të tij”, shton ajo më tej.

Hisku mbetet ende një zë i dashur i muzikës shqiptare. Në festivalin e Gjergj Lekës ajo vjen me surpriza, duke dashur të shijojë çdo ditë të jetës qoftë edhe duke rikapur kohën e humbur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura