Kur do të bisedojnë Kryeministrat Rama e Mitsotakis

Oct 14, 2019 | 10:50
SHPËRNDAJE

BASHKIM ZENELI

Para pak ditësh isha i ftuar nëbashkim-zeneli Athinë, në një tryezë të rrumbullakët për marrëdhëniet greko-shqiptare, organizuar nga Fondacioni gjerman “Konrad Adenauer” dhe Fondacioni Helenik për Politikën e Jashtme dhe Europiane, ELIAMEP. Ishin ftuar profesorë, akademikë, diplomatë, ambasadorë, analistë e studiues të çështjeve rajonale.

Pa marrë përsipër të analizoj gjithçka u tha në këtë veprimtari, dua të evidentoj se të gjithë pjesëmarrësit, në diskutimet e tyre vlerësuan rëndësinë e madhe të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Dhe në këtë kuadër, pyetjet rreth të cilave u debatua ishin: – Pse kemi kthim mbrapa në marrëdhëniet midis dy vendeve vitet e fundit? – A ishte e drejtë që problemet midis dy vendeve, të vjetra apo të reja, të zgjidheshin – siç u veprua – me një paketë, me një “shportë” nga të dyja palët? U shtua edhe një çështje tjetër shumë e rëndësishme: Ç’duhet bërë për të rivendosur besimin te njëri-tjetri?

U fol shumë hapur, me frymë miqësore, me kompetencë profesionale, me dëshirën e mirë për të gjetur rrugët se si mund të kapërcehej kjo situatë “ngrirjeje” në marrëdhëniet midis dy vendeve tona.

Drejtori i Përgjithshëm i ELIAMEP, prof. Thanos Dakos, dhe drejtori i “Konrad Adenauer”, Henri Bohuet, u dhanë diskutimeve një frymë shumë konstruktive, dashamirëse, europianiste.

Për marrëdhëniet shqiptaro-greke kam shkruar shumë, edhe para se të merrja detyrën e ambasadorit në Athinë. Fola edhe në këtë konferencë.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë kanë pasur e kanë një rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për fqinjësinë e mirë midis dy vendeve e dy popujve, por edhe për të ardhmen europiane të vendit tonë.

Objektivi ynë ka qenë dhe mbetet, pa asnjë ekuivok e pa asnjë alternativë tjetër, Perëndimi. Dhe Perëndimi fillon te fqinji ynë i jugut, anëtar i BE-së dhe NATO-s, te Greqia mike, ashtu si edhe tek Italia mike. Te Greqia ne kemi parë përherë një aleat, një mik, një fqinj që na është gjendur në rrugën tonë jo vetëm të proceseve integruese, por edhe me mbështetjen ekonomike e sociale të vendit.

Marrëdhëniet tona me Greqinë kanë qenë e duhet të jenë strategjike, ndonëse ka vite që ka pasur hallakatje, për të fiksuar më mirë “strategjikun”, kush peshon më shumë e kush më pak.

Rruga për konsolidimin e marrëdhënieve midis dy vendeve nuk ka qenë përherë e lehtë në këto tri dekada. Në jo pak raste, këto marrëdhënie janë vënë edhe para provave të vështira. Por me anë të dialogut, me frymë besimi te njëri-tjetri, me mirëkuptim e tolerancë, duke shikuar përpara, ato janë kapërcyer.

Por me keqardhje, nuk e shoh kështu situatën vitet e fundit. Pavarësisht retorikave e frazeologjisë, që në shumë raste janë shembullore, duket se edhe në Tiranë, edhe në Athinë, jemi në një ngërç. Duket se si pa dashje kanë zënë vend ndjenja ndarëse e përçarëse të së kaluarës, ndjenja dyshuese dhe për fat të keq, po ndërtojmë qëndrime e politika mbi to.

Dhe mesazhet që jepen në publik kanë ngarkesa, janë të skajshme dhe edhe acaruese. Është rënë jo pak herë në kurthin e provokimeve dhe të emocioneve të ditës apo të ngjarjeve të veçanta, jo pak herë të amplifikuara edhe nga media, në Tiranë e në Athinë, në trajta tendencioze e groteske.

Vitet e fundit, sidomos pas hedhjes poshtë nga Gjykata Kushtetuese të Marrëveshjes së Detit, në marrëdhëniet tonë po përjetojmë një “ngërç”. Kemi një kthim mbrapa. Vitet e fundit nuk kanë munguar takimet në nivel të lartë diplomatik, është folur shumë, por rezultate nuk janë parë.

Ne duhet vërtet të shqetësohemi që kemi disa vite që nuk nënshkruajmë marrëveshje me njëri-tjetrin, me përjashtim të ndonjë protokolli të rrallë. Nuk i kemi aspak siç i kemi pasur shkëmbimet ekonomike, (përjashto ato private), arsimore, kulturore, shkencore, ushtarake, shëndetësore etj. Kemi që në vitin 2003 që kemi ngritur komisionet reciproke për rishikimin e teksteve shkollore dhe për 16 vjet nuk kemi asnjë përparim.

Kemi hyrë në vitin e 7-të të qeverisë Rama dhe nuk kemi asnjë takim mes kryeministrave të të dy vendeve, përjashto ato formale, në kuadër të pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Edhe takimi Rama-Mitsotakis në shtator, në OKB, ashtu si ishte formuluar lajmi, të linte përshtypjen se janë takuar kryeministrat e dy vendeve shumë të largëta e jo të dy vendeve fqinje.

Popujt tanë duan miqësi e bashkëpunim, duan mirëkuptim dhe këtë duhet ta sigurojë politika. Kam vënë re se bashkatdhetarët tanë në Greqi, përherë e më shumë po e shohin ftohtë politikën në Shqipëri. Emisarëve politikë që shkojnë në raste fushatash nuk u mbushen sallat as me 30 vetë. Nuk duan vërtet t’i dëgjojnë. Edhe kanë hallet e tyre, por edhe po zhgënjehen.

Në marrëdhëniet midis dy vendeve duhet vlerësuar realisht, jo me demagogji, por besueshmërisht prania e afro 700 mijë shqiptarëve në Greqi. Ata janë integruar e po integrohen përherë e më mirë, punojnë ndershmërisht dhe kanë miqësi e harmoni shembullore me grekët. Dhe më shumë të drejtë e konsiderojnë Greqinë si atdhe të dytë. Ne shqiptarët jemi kombi i dytë në botë që flasim gjuhën greke. Ne kemi numrin më të madh të fëmijëve në shkolla greke, të çdo niveli, nuk e kanë shtetasit e kombeve të tjera. Dhe ky është një element i jashtëzakonshëm për miqësi.

Nga ana tjetër, edhe minoriteti grek në Shqipëri ka qenë dhe mbetet një element shumë i rëndësishëm për marrëdhëniet tona. Shqiptarët i duan dhe i respektojnë minoritarët. Dhe nuk është bërë pak nga qeveritë në Shqipëri për minoritetin dhe sigurisht, ka vend për të bërë përherë e më shumë. Në Athinë, për këtë vërtet duhet të jenë të qetë.

Pa dashur të analizoj në këtë shkrim shkaqet përse kemi marrëdhënie të ngrira midis dy vendeve (kam shkruar vazhdimisht për to), do të ndalem shkurtimisht në një pyetje tepër intriguese që shtroi në atë tavolinë drejtori i përgjithshëm i ELIAMEP, prof. Thanos Dako: A ishte e drejtë që problemet midis dy vendeve të shtroheshin për zgjidhje si paketë, si shportë?

Personalisht jam shprehur kundër kësaj filozofie të shportës që në vitin 2013, në vjeshtë (edhe mendimi i përgjithshëm i shprehur në atë tryezë të rrumbullakët, me diskutime të qarta, ishte kundër kësaj zgjidhjeje, me përjashtim të një diskutanti)

Kjo zgjedhje që është kërkuar si paketë, si shportë, për problem të vjetra e të reja, ka penguar, madje ka ndalur avancimin e marrëdhënieve. Në pritje të zgjidhjes tërësore, në bllok, nuk janë bërë hapa për të përmirësuar në çdo fushë marrëdhëniet. Vetëm kur të zbrazej shporta nga problemet që kemi, vetëm atëherë do të uleshim për të parë ku jemi e çfarë do të bëjmë. Ky ishte gabim për të dyja palët.

Duke kërkuar e duke u fokusuar në zgjidhjen e problemeve, nuk duhej ndalur bashkëpunimi. Asnjë marrëveshje nuk është nënshkruar për shtatë-tetë vjet, kur edhe më parë, kur problemet, pa shportë, ekzistonin, ne me njëri-tjetrin nënshkruanim deri në 10 marrëveshje në vit. Asgjë nuk na pengonte. (Gjermania, edhe para rënies së murit, edhe në 329 ditët drejt bashkimit, problemet i zgjidhi hap pas hapi, një e nga një).

Midis disa problemeve po ndalem vetëm te njëri, te Ligji i Luftës. Është ditur të bashkëpunohet shumë mirë edhe me këtë ligj. Kemi nënshkruar edhe Traktatin e Miqësisë që në vitin 1996. Kemi nënshkruar edhe marrëveshje për bashkëpunimin ushtarak etj., etj. Qeveria greke, që në gusht 1987 është shprehur se “çështja e ligjit të luftës me Shqipërinë”, politikisht dhe juridikisht është mbyllur përfundimisht”. Pala greke na ka thënë përherë në tavolinat në nivelet më të larta se “kjo është një relikte që e ka vendin në muze”. Shumë mirë, atëherë këtë “relikte” ta heqim edhe me një ligj të Parlamentit apo një dekret të Presidentit. Kjo do bërë dhe është premtuar se do bëhet…

E solla këtë si shembull, ndërmjet të tjerave, për të thënë se pavarësisht procesit për zgjidhjen e problemeve, bashkëpunimi nuk duhet të ndalë.

Kemi edhe çështje të tjera. Le të ulemi qetësisht me besim, me kompetencë, me dialog, me mirëkuptim, me tolerancë, me frymë europianiste. Më mirë hapa të vegjël përpara, hapa të sigurt, të qëndrueshëm, sesa fjalë të mëdha. Na duhet një dialog konstruktiv e me besim te njëritjetri. Të mos ngopemi me numrin e takimeve pa rezultat. Deri tani, thjesht kemi diskutuar. Por nuk kemi biseduar siç duhet. Kemi qenë edhe të hallakatur profesionalisht, si për Marrëveshjen e Detit, ashtu edhe për atë të toponimeve. Kemi shfaqur paaftësi dhe mjerim professional. Po të vëmë re me kujdes në këto 10 muaj të këtij viti, nuk shohim asnjë nismë, asnjë përpjekje për të biseduar, nga të dyja palët. Çfarë pritet? Marrëdhëniet janë kthyer mbrapa. Një vit pa folur me njëritjetrin janë më shumë se shumë! Qytetarët nuk mund të presin kur do t’i mbushet mendja politikës e diplomacisë. Heshtja i rëndon më shumë problemet, por edhe ftoh popujt me njëri-tjetrin. Në djall politika, kur nuk u shërben qytetarëve, do të shpërthente kancelari nobelist, Willy Brandt, ndaj zvarritjeve të pajustifikuara për lëvizjen e lirë të qytetarëve në Lindje e Perëndim, në vitet e pasndërtimit të Murit.

Është tronditur pa asnjë dyshim besimi te njëri-tjetri, në Tiranë dhe në Athinë. Po shtojmë dyshimet për njëri-tjetrin. Neve na del përpara “kali i Trojës”, “dinakëria greke” dhe Athinës i del përpara “Shqipëria e Madhe”, ku po shkojmë kështu?! Ecim me një frikë boshe se Greqia do të na bllokojë në integrimin europian dhe me mediokritetin më të madh, nuk shohim se në këta 30 vjet Greqia asnjëherë nuk na ka penguar në proceset tona integruese, përkundrazi, na ka mbështetur me vendosmëri (këto ditë e tha hapur zëvendësministri i Jashtëm grek se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të pranohen së bashku).

Në politikën tonë të jashtme, me keqardhje vë re se sa herë lëkundet forca tërheqëse e BE-së, ne me diletantizëm e naivitet, por edhe me papërgjegjshmëri, hidhemi në retorika nacionaliste, shpesh edhe fare të shpëlara, duke i kërkuar BEsë edhe hesape, apo edhe duke e paralajmëruar për alternativa. Kjo nuk mund të tolerohet. Nacionalizmi është tradhti ndaj patriotizmit, mësonte Kancelari i famshëm, Helmut Schmidt.

Ne duhet të tregojmë aftësi politike në radhë të parë e pa dyshim edhe diplomatike, për të kapërcyer këtë situatë në marrëdhëniet midis dy vendeve. Për të rivendosur besimin kërkohet guxim e qartësi. Kërkohet përgjegjësi politike, kërkohet seriozitet, partneritet, besueshmëri, përgjegjshmëri. Cicmicet e batutat na lënë në vend, na zhvlerësojnë!

Asgjë nuk zgjidhet menjëherë e brenda ditës. Aftësia e politikës dhe diplomacisë për të kapërcyer çdo vështirësi, çdo paragjykim, çdo tension, është të marrësh në radhë të parë përgjegjësi, të dish të bisedosh hapur, me vullnet të mirë, si miq, të dish të tolerosh e të bësh kompromise. Mbi të gjitha, të shohësh përpara, me frymë europianiste. Ndryshe, do të mbetemi në vend.

Ka shumë rëndësi që pa vonesë, Kryeministrat Rama e Mitsotakis të ulen të bisedojnë hapur, me seriozitet, me besueshmëri te njëri-tjetri. Duhet të marrin përgjegjësi për të shkrirë akujt e për të punuar për forcimin e miqësisë e bashkëpunimit. Shqiptarët dhe grekët duan të jetojnë në miqësi dhe harmoni, në mirëkuptim. Kësaj duhet t’i shërbejë politika në Tiranë e në Athinë. Të mos lejojmë që atë që kemi ndërtuar së bashku në 3 dekada, ta prishim këtu e matanë kufirit, forca, individë, shoqata, media e spekulantë, populistë megalomanë e delirantë, kritizerë, nacionalistë e ksenofobë, me pushtet e pa pushtet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura