Kupat e Europës, Tirana kundër tabusë 8-vjeçare. Kur frymëzimi vjen nga… Dinamo Tbilisi

Aug 19, 2020 | 11:14
SHPËRNDAJE

Tirana do të kërkojë lavdinë. Katër ditë më parë, klubi bardheblu festoi ditëlindjen e tij të 100-të. Sot, është momenti për të bërë dhuratën e madhe, kalimin e turit. Dinamo Tbilisi është rivali me të cilin për 90 minuta diskutohet kalimi në turin e dytë të Ligës së Kampioneve. Në stadiumin “Boris Paiçadze”, me start nga ora 19:00, kryeqytetasit do të zbresin në një fushë ku si për ironi apo fat, stolat janë bardhë dhe blu. Kampionia kurorëzoi vitin jubile me titullin e munguar prej 11 vitesh e tashmë është koha që Tirana e madhe të ketë sukses edhe në arenën europiane.

Tirana festa e golit ne derbi

Nën drejtimin e Egbosë, edhe pse me mungesa nga 11-shja që mbylli sezonin, teksa Doka dhe Ngo nuk janë më pjesë e kryeqytetasve, Tirana luan 90 minutat e lavdisë për të tentuar që të shfrytëzojë më tej fatin, që sfida e turit të dytë ndaj Crvena Zvezdës të luhet në Tiranë. Pasi kaloi kalvarin e të gjitha masave shtrënguese nga UEFA me përgjigjet negative për testet e të gjithë delegacionit që ka shoqëruar 11-shin bardheblu, Tirana sot do të kërkojë që të dalë me festë dhe kokën lart nga Tbilisi, duke mundur Dinamon vendëse.

Diferenca është e madhe, pasi kësaj here, bëhet fjalë për një ndeshje teke, ku në rast barazimi kalohet në kohën shtesë me 30 minuta dhe në fund, ruleta e penalltive zgjidh ekipin që do të kalojë në turin e dytë, për t’u përballur me Crvena Zvezdën. Mirëpo, Tirana e 100-vjetorit është e destinuar për sukses, ndaj edhe sot, besimi dhe forca e bardhebluve do të bëjë që në stadiumin me këto ngjyra të festojë ekipi rekordmen në Shqipëri.

Tirana stervitje

SUKSESET EUROPIANE

E për ta bërë të mundur suksesin sot, Tirana ka në librin e saj të artë të historisë 11 raste kur ia ka dalë që të kalojë një tur kualifikues. “Panorama Sport” ju sjell ndeshjet e lavdishme të Tiranës, kur ia kanë dalë që në kompeticionet europiane të kalojnë më tej. Fitore të thjeshta, përmbysje e ripërmbysje që kanë lënë gjurmë në memorien e çdo tifozi fanatik të këtij klubi.

Nëse Dinamo Tbilisi tremb me forcën fizike dhe faktin që është në aktivitet me 10 javë të zhvilluara në Gjeorgji, Tirana ka me vete kujtimet e kualifikueseve të sezonit 2003-2004. Mirëpo, edhe pse në Gjeorgji bardheblutë kanë kaluar tmerr duke u mundur 3-0, në Tiranë fituan me të njëjtin rezultat dhe u kualifikuan me penallti. Egbo është njeriu i duhur për ta përshkruar mënyrën se si arrihet suksesi, pasi ka pritur 2 penallti në ruletën e 11-metërshave. Në total, janë 11 të tilla kur Tirana ka kaluar një tur në Europë.

KUPA E KAMPIONEVE DHE CHAMPIONS

Sukseset e bardhebluve datojnë edhe në periudhën kur kompeticioni më i rëndësishëm për klube quhej Kupa e Kampioneve. Në sezonin 1982-’83, Tirana kalon Linfildin me dy fitore. Më vonë, janë dy vite radhazi kur është kaluar një tur. 1988-’89 dhe 1989-’90, dy sezone radhazi, Tirana kalon Flamrun Spartans dhe Sliema Uanders. Me këto suksese përfundon ecuria në Kupën e Kampioneve dhe më pas nis era e Champions Ligës.

Tirana festa e golit ndaj Flamurtarit

E si për ironi të fatit, suksesi i parë për Tiranën pas ndryshimit të emrit të këtij kompeticioni, është pikërisht kundër Dinamos së Tbilisit në sezonin 2003-2004. Kjo është edhe periudha e artë, pasi Tirana në tri sezone radhazi ka kaluar një tur në këtë kompeticion. Në vitin pasardhës ka regjistruar dy fitore përballë Gomelit, ndërsa në sezonin e tretë radhazi të suksesit, ND Gorican me një përmbysje 3-0 pas humbjes 2-0 në transfertë.

KUPA UEFA DHE EUROPA LIGË

Pesë suksese numëron Tirana në këtë kompeticion, duke përfshirë të dyja periudhat kur ka qenë emri i mëparshëm dhe formati aktual. Në sezonin 1986-’87, Tirana ka kaluar për herë të parë një tur në Kupën UEFA duke kaluar ekipin legjendar të Dinamos së Bukureshtit. Në sezonin 1994-’95, bardheblutë kalojnë turin paraeliminator kundër Bobruisk, me një përmbysje nga 4-1 në fitoren 3-0 në Tiranë dhe është rregulli i golit në fushën kundërshtare, që i ka çuar më tej.

Varteks është kundërshtari i kaluar për herë të fundit në Kupën UEFA dhe me ndryshimin e emrit, në Europa Ligë, Tirana eliminon skuadrën e Zalaegerzegit në sezonin 2010-’11. Hera e fundit e një turi të kaluar në kompeticionet europiane është në Europa Ligë kundër Grevenmansherit në sezonin 2012-’13 me një fitore 2-0 në kryeqytet dhe barazim pa gola në transfertën kthyese.

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura