KUPA E VLLAZNISË/ Shkodranët mundin Skënderbeun në finale dhe e mbyllin sezonin me trofe (VIDEO)

May 31, 2021 | 20:59
SHPËRNDAJE

Kupa është e Vllaznisë! Shkodra feston sot sepse skuadra e saj fitoi një trofe të rëndësishëm! Të merituar! Të duartrokitur nga e gjithë Shqipëria! Kuqeblutë e drejtuar nga Brdariç mundën në finale Skënderbeun me rezultatin 1-0 në “Air Albania” dhe çoi në delir tifozët e Vllaznisë që ishin në stadium, por edhe mijëra të tjerë që e kanë ndjekur nga TV.

Vllaznia2

Sot për herë të parë u lejuan zyrtarisht tifozë në stadium që pas 15 muajsh mbylljeje prej pandemisë. (Ka pasur thuajse në të gjitha ndeshjet së fundmi, por jo me lejen e qeverisë…). Ishte një ndeshje e dominuar më së shumti nga shkodranët që me kombinime të shkëlqyera vunë në vështirësi Skënderbeun. Skuadra e Memellit luftoi burrërisht, por strategjia për një mbrojtje të ngjeshur dhe pasim te Mensah, nuk bëri dot një mrekulli tjetër, pas mbijetesës në Superiore.

Goli i vetëm erdhi në minutën 39’, kur Jonuzi kombinoi bukur me Isaevskin. Ky i fundit menjëherë gjeti të lirë në zonë Da Silvën, i cili në ecje e sipër goditi me të majtën dhe topi pasi u devijua nga mbrojtësi Vitija përfundoi në rrjetën e Rexhepit. Pjesa tjetër është histori: Vllaznia që dominon, por nuk gjen dot rrugën e rrjetës, ndërsa Skënderbeu tenton ta shfrytëzojë kundërsulmet. Situata nuk ndryshon deri në fund, edhe pse në minutën e 85-të Zguro del me të kuq pas një ndërhyrje të ashpër nga mbrapa në dëm të Markut në mesfushë!

Skenderbeu-Vllaznia finalja

Kjo është kupa e shtatë që fiton Vllaznia në historinë e saj, ndërsa të fundit e kishte marrë më 2008. Fitimi i një trofeu të rëndësishëm është padyshim fryt i punës së skuadrës dhe stafit, me në krye trajnerin Tomas Brdariç, por edhe i angazhimit të kryebashkiakes Voltana Ademi, sponsorit Alban Xhaferi dhe drejtorit sportiv Matko Djarmati. Ishte një sezon i vështirë, por fantastik për Vllazninë.

Vllaznia festa

Titullin e humbi vetëm me golavarazh ndaj Teutës, ndërkohë i shtoi “gjerdanit” të trofeve edhe një Kupë. Ka një skuadër mesatarisht të re dhe mbi të gjitha ka kaq shumë entuziazëm rreth vetes, saqë mund të nisë një cikël prej një skuadre të madhe. Ashtu siç i takon në fakt…

FT: SKËNDERBEU-VLLAZNIA 0-1

Da Silva 39′ 

KOMENTI LIVE: 

90+3′ Ardit Hoxhaj shpërdoron një rast të artë për të dyfishuar shifrat. Tentativa e vlonjatit shkoi mbi kuadratin e portës së mbrojtur nga Rexhepi.

90′ Akordohen 4 minuta shtesë!

87′ Zëvendësim te Vllaznia, largohet Da Silva, vendin e tij e merr Kaleziç.

86′ Skënderbeu me 10 futbollistë, Zguro ndëshkohet me karton të verdhë pas ndërhyrjes së gabuar nga mbrapa ndaj kapitenit Gurishta.

85′ Mundësi mjaft e mirë për Skënderbeun me Duvunën që provon me kokë pas një harkimi nga këndi, por ndalet nga Zogoviç.

83′ Skënderbeu hidhet i gjithi në sulm në kërkim të golit të barazimit, por mbrohen mirë futbollistët shkodranë.

79′ Ardit Hoxhaj hedh një top në qendër të zonës, për Da Silvën, por braziliani nuk koordinohet siç duhet.

75′ Zëvendësim te Skënderbeu, largohet Kosta Vangjeli, në fushën e lojës Melos Bajrami.

71′ Vllaznia kryen 2 zëvendësime, largohen nga fusha Kruja dhe Dilaver, në vend të tyre Avdiaj dhe Ardit Hoxhaj.

68′ Mundësi e mirë për korçarët pas harkimit të Zguros nga e majta, por as Pusi dhe as Mensah nuk arrijnë të përfitojnë.

65′ Zëvendësim te Skënderbeu, Memelli largon nga fusha Marën, vendin e tij e zë shkodrani Pusi.

64′ Tjetër aksion i mrekullueshëm te Vllaznia, provon Da Silva me një gjuajtje fluturimthi, por tentativa e tij shkon jashtë kuadratit.

55’ Taipi mundohet të shënojë me një gjuajtje nga më shumë se 30 metra, topi kalon mbi traversë.

54′ Sadriu është futbollisti i dytë i ndëshkuar te Skënderbeu me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar në mesin e fushës.

52′ Krijohet iluzioni i golit në “Air Albania”, tentativa e Marës me të majtën, shkon ngjitur me shtyllën. Pranë golës Skënderbeu.

48’ Zguro nis një pasim të shpejtë për Mensah në zonë, por sulmuesi sinjalizohet në pozicion jashtë loje.

46′ Starton pjesa e dytë, trajnerët nuk bëjnë ndryshime.

Mbyllet pjesa e parë! 

45′ Akordohet 2 minutë shtesë.

39′ GOOOOL VLLAZNIA 0-1/ Zhbllokohet finalja në “Air Albania”. Shkodranët kalojnë në avantazh! Një aksion model i kuqebluve. Gjuajtja e Da Silvës brenda zonës u devijua nga Sadriu dhe përfundoi në rrjetë. 

36′ Bekim Rexhepi bën heroin dhe i mohon golin e avantazhit shkodranëve, pas tentativës së Dilaver. Vendimtare pritja e gardianit të Skënderbeut.

30’ Jonuzi është futbollisti i radhës i Vllaznisë i cili provon të shënojë nga jashtë zonës, Rexhepi është i vëmendshëm në pozicion.

28′ Gabime të shumta në pasime nga të dyja skuadrat. Mungojnë rastet e rrezikshme në këto minuta.

23’ Dumfur nis një top të gjatë për Mensah dhe ky i fundit i shmanget mbrojtjes, por vonohet në gjuajtjen e tij nga jashtë zonës duke mos gjetur portën.

15′ Shqipërim Taipi është futbollisti i parë i ndëshkuar me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar në mesfushë ndaj Herald Markut.

10′ Rritëm tepër i kënaqshëm në “Air Albania”, shkodranët shfaqen më kërkues, por mungojnë rastet e rrezikshme në portat respektive.

8′ Ndizet sfida, Dilaver provon me një roveshatë, por nuk koordinohet siç duhet, korçarët tentojnë të surprizojnë me kundërsulme.

2′ Vllaznia menjëherë agresive, fiton goditjen e parë nga këndi. Ka tension mes Da Silvës dhe Taipit, por gjithçka shuhet menjëherë.

1′ Starton sfida në “Air Albania”. 1000 tifozë të pranishëm në stadium.

FORMACIONET ZYRTARE:

SKËNDERBEU-VLLAZNIA

VLLAZNIA (4-2-3-1): Bojan Zogovic; Erdenis Gurishta, Mevlan Adili, Eni Imami, Aleksandar Isaevski; Ardit Krymi, Fjoart Jonuzi; Herald Marku, Viktor Da Silva, Arsid Kruja; Haris Dilaver. Trajner: Tomas Brdariç

SKËNDERBEU (5-3-2): Bekim Rexhepi; Vangjel Zguro, Leard Sadriu, Leonat Vitija, Randi Dumfur, Jorgo Meksi; Zhan Viktor, Shqiprim Taipi, Kosta Vangjeli; Uerdi Mara, Alfred Mensah. Trajner: Migen Memelli.

Formacionet zyrtare te kupes

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura