“Kundërshtarët, vështirësi për t’u ballafaquar me…”/ Shkrimtari i “Mërgatës” që glorifikoi sigurimsat

Sep 29, 2020 | 10:38
SHPËRNDAJE

Shkrimtar, studiues, pedagog, Nasho Jorgaqi ka qenë një emër i njohur në qarqet letrare shqiptare, para dhe pas viteve ’90.

nasho jorgaqiËshtë autor i një sërë librash, kryesisht me natyrë studimore, ka shkruar tregime, novela, skenarë, por emri i tij si shkrimtar u bë i njohur me romanin dyvëllimësh “Mërgata e qyqeve”. Përpara viteve ’90, ai ka qenë një nga librat më të “rekomanduar” të sistemit, ndërsa më pas, romani kaloi një periudhë heshtjeje, për të rifilluar sërish jetën e vet. Libri madje është përkthyer edhe në gjuhën gjermane dhe po botohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë libër e gjen të shpërndahet nga gjiganti “Amazon”, me shënimin: “‘Mërgata e qyqeve’ është vepra e parë e madhe e Nasho Jorgaqit, pa dyshim një nga veprat e tij monumentale që tregojnë ndjeshmërinë e thellë të patriotit dhe mjeshtërinë e lartë të shkrimtarit.

Deri në atë kohë, ai kishte botuar me shumë sukses gjini si tregime e novela që në të vërtetë e kalitin, e sprovojnë një shkrimtar dhe janë si një trampolinë e sigurt për t’u hedhur me sukses në gjini të mëdha, të cilat janë po aq serioze sa tregimet dhe novelat. Nasho Jorgaqi ndihej i sigurt në këtë sprovë sepse është një nga njohësit më të mirë të dokumentacioneve të Luftës së Dytë Botërore (1939-1945). Ai nuk ka qenë një studiues dogmatik, i njëanshëm, por njohës i ‘Dy kampeve ndërluftuese’, madje edhe i ‘të tretëve’ që kanë qenë më shumë objektivë”. Më tej thuhet se romani është botuar edhe e ribotuar katër herë në mbi 100.000 ekzemplarë.

Në të vërtetë, Jorgaqi glorifikon punën e ish-agjentëve të Sigurimit, të cilët infiltroheshin në radhët e emigrantëve shqiptarë në Europë, Bruksel, Angli, Itali etj., ndërsa nxin imazhin e këtyre të fundit, si tradhtarë ikanakë. Këto ditë, Nasho Jorgaqi është rikthyer në vëmendjen e lexuesit përmes një interviste, ku rrëfen historinë e krijimit të romanit të tij.

“Është një temë e vështirë, një subjekt delikat, që kalon në majë të thikës së historisë sonë moderne, ku plekset historia me politikën, politika me jetën e jeta me njeriun, me psikologjinë e tij në shumë plane. Dhe të gjitha këto, përmes një gërshetimi të dramës me komedinë. Është fati i një shtrese shoqërore shqiptare, ai i të mundurve që tentojnë të bëjnë histori, por që janë të mundur prej saj dhe fati i të mundurve është një fat shpesh tragjikomik.

Kjo përbën dhe tharmin e romanit, atë tharm që e ngjizi veprën dhe i dha origjinalitet, tanimë të pranuar”, shprehet Jorgaqi në intervistën e tij. Jo rastësisht intervistuesi e pyet se si është e mundur që “Mërgata e qyqeve” ende vijon të qarkullojë, madje të ribotohet, në një kohë që pjesa më e madhe e veprave të shkruara sipas metodës së realizimit socialist janë zhdukur.

“Vepra të tilla sfidojnë ndryshimet e sistemeve dhe e bëjnë jetën e tyre të pavarur. Mirëpritja e romanit nga lexuesit e sotëm tregoi se kjo pavarësi ishte arritur. Domethënë, vepra sfidoi me sukses kohën e vështirë të tranzicionit, kohën e përmbysjes së një sistemi, idealet e të cilit ishin në themel të veprës… Më bëri përshtypje fakti që kundërshtarët e romanit nuk iu kundërvunë publikisht dhe këtë nuk dua ta marr si një shpërfillje apo nënvlerësim, por si një vështirësi për t’u ballafaquar me realitetin e pamohueshëm që ngërthen dhe përshkruan vepra ime. Natyrisht, për mua si autor, kalimi me sukses i provës së kohës përbën një kënaqësi të veçantë”, shkruan ai më tej.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura