“Kunati luajti rolin e vëllait të ministrit”, Prokuroria: Burg Albert Veliut dhe Fredi Alizotit

Oct 7, 2018 | 9:35
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Pas thuajse pesë muajsh hetime për rastin e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Prokuroria e Krimeve të Rënda është shumë pranë zbërthimit të audio-përgjimit, që u denoncua nga Partia Demokratike se implikonte Agron Xhafajn në trafikun e drogës.

Kështu, pas mbërritjes së ekspertizës nga Britania për audio-përgjimin dhe pas kryerjes së disa veprimeve hetimore nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, gjithçka ka dalë e inskenuar. Për këtë arsye, Gjykata ka firmosur urdhërarrestet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për Albert Veliun dhe kunatin e tij, Fredi Alizotin, ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi, Gjykata ka vendosur detyrim paraqitje, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Hetimet për rastin e bujshëm janë drejtuar nga prokurori Përparim Kulluri.

albert veliu

Deri më tani, mësohet se është ekzekutuar urdhërarresti për shtetasin Fredi Alizoti, i cili është edhe kunati i Albert Veliut, i njohur ndryshe si “Babale” në audio-përgjimin, që tronditi skenën politike në vend. Në një njoftim për mediat, Prokuroria thotë: “…në datë 17.05.2018 ka regjistruar procedimin penal nr. 95/ v.2018 për veprën penale të ‘Trafikimit të narkotikëve’, parashikuar nga neni 283/ a i Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me vërtetësinë e audio- regjistrimit të bisedës së zhvilluar midis ‘Bashkëpunëtorit X’ dhe ‘Agronit’ ekziston dyshimi që jemi para veprës penale të ‘Kallëzimit të rremë, në bashkëpunim’, parashikuar nga neni 305/25 i Kodit Penal, e kryer në formën e krijimit të provave të rreme me qëllim që të bëhen ndjekje penale.

agron xhafaj fatmir xhafajGjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me vendimin nr. 142 datë 06.10.2018 ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit ‘arrest në burg’ për shtetasin Albert Veliu, si i dyshuar për kryerjen e veprat penale të ‘Kallëzimit të rremë’ dhe ‘Kalimit të paligjshëm të kufirit’, parashikuar nga nenet 305/25 dhe 297 të K.Penal.

Caktimin e masës së sigurimit ‘arrest në burg’ për shtetasin Fredi Alizoti, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të ‘Kallëzimit të rremë, në bashkëpunim’, parashikuar nga nenet 305/ 25 të Kodit Penal. Caktimin e masës së sigurimit ‘detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore’ për shtetasin Jetmir Olldashi, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të ‘Kallëzimit të rremë, në bashkëpunim’, parashikuar nga nenet 305/25 të Kodit Penal”.

HETIMET

Pikë e fortë referuese e Prokurorisë për rastin në fjalë ka qenë ekspertiza e britanikëve, të cilët përmes një letërporosie të përcjellë nga Ministria e Drejtësisë, thoshin se audio-përgjimi i sekuestruar nga Prokuroria nuk ishte autentik.

Gjithashtu, zëri në audio-përgjim, që pretendohej se i përkiste Agron Xhafajt, nuk mund të konfirmohej se ishte i tij, pasi cilësia ishte shumë e dobët. Madje, britanikët flasin për dy zëra të ndryshëm në audio- përgjim, në rolin e Agron Xhafajt. Prokuroria e Krimeve të Rënda pati vënë në përgjim Fredi Alizotin dhe Albert Veliun për rastin në fjalë.

Gjatë gjithë kësaj kohe, është mundur të zbulohet nga bisedat telefonike të këtyre të fundit, se audio-përgjimi nuk ishte gjë tjetër vetëm se një inskenim dhe se rolin e Agron Xhafajt e ka luajtur në bisedë shtetasi Fredi Alizoti, që është edhe kunati i Albert Veliut. Tashmë, pritet që të shkojë në Kosovë kërkesa për ekstradim për Albert Veliun, i cilësuar si “Dëshmitari X” në audio-përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike, pesë muaj më parë. Veliu gjendet prej muajsh në Kosovë, ku ka aplikuar edhe për strehim politik.

Pala kosovare ka qenë e prerë se në përfundim të procedurave ligjore do të vendosë për ekstradimin e Veliut. Kujtojmë se dy ditë më parë, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ridëshmoi deputeti i PD-së Ervin Salianji.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura