Kumti i Atjon Zhitit, si porosi për sot e mot

Sep 5, 2015 | 12:27
SHPËRNDAJE

frano-kulliFRANO KULLI

Në librin e Atjon Zhitit, djalit rrëzëllues të poetit Visar Zhiti, “Për atë që dua(m)”, që u shugurua në ditën e parafundit të gushtit që shkoi, kur Atjoni do të mbushte njëzet vjeç, nëse… nuk do të ishte tashmë në botën e qiellit ku është, traktati (eseja) i katërt i tij, titulluar “Kulla émé nuk asht e vetme”, përfundon kështu: Dhe para se me ba boten përqark e ma përtej, duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu…”.

Eseja e shkruar në gegnishte, nisur si një sprovë, por e shkruar me një korrektesë të lavdërueshme, gati të përsosur, rrok virtyte dhe veset e njeriut shqiptar, antropologjinë e etnologjinë e tij, me të cilin ai shfaq raporte dashurie të paprekshme, gati sublime. Evokimi i këtyre vlerave, pesha specifike e të cilave ka rënë dukshëm ndër ne, në kohën tonë tranzitive të integrimit në Europë, është një kumt plot vlerë e rëndesë për vetëdijen tonë sociale, publike. Por në rend të parë, për vetveten e secilit prej nesh. Kjo është risia që  Atjoni, bukuroshi engjëllor, na ka sjellë me këtë kumt.

I njëjti kumt, formuluar në stilet e tyre, na vjen edhe prej Konicës gati nëntëdhjetë vjet më parë (“Shqipëria si m’u duk”, 1928), edhe prej Fishtës gjithashtu (“Tash, që asht ba Shqipnia, duhen përbâ shqiptarët”-1930,-Hylli i Dritës- nr.4), Kadare e ka theksuar jo veç një herë në përditshmërinë tonë, sidomos në nyjet-kriza që shpesh e lidhin e shtrëngojnë gati fatalisht ecjen e kombit tonë drejt prosperitetit. Sipas shembullit të tyre, edhe Atjoni e dikon               (e zbraz) kumtin e tij që i del prej arsyes së formuar mirë, por më së shumti prej shpirtit të trazuar djaloshar. Njëherësh sfidues me mendësinë e brezit të vet, prirë me plot arsye nga moderniteti, ai u rikthehet vlerave morale.

“Duhet me iu kthye virtuteve, se krahas kulturës intelektuale ka edhe nji kulturë morale, e domosdoshme, ku na shqiptarët, jemi shumë ma t’fortë, ishim deshta me thanë, prandaj ia vlen kushtrimi me i ringjallë vlerat e shekujve. Virtutet duen gjindje të virtutshme”.
Shoqëria shqiptare sot është në kuotat e saj më të diskutueshme të kulturës së vet morale; virtutit i ka kërcyer sipri vesi dhe ngjan vesi si e para vlerë morale(!) Raporti i virtyteve me veset ngjan se është kthyer me krye poshtë. Turri për të fituar pa djersë e mund është moda e preferuar. Hajdutëria, fyerja, përdhunimi, poshtnimi i tjetrit çmohen përmbi ndershmërinë, mosprekjen e gjësë së tjetrit, respektin për vetveten dhe nderimin e tjetrit.

Po kalçifikohet kulti i sundimtarit, duke përbuzë detyrën e shërbyesit amanetqar. Shembulli i zyrtarit të korruptuar të shtetit po kthehet në model. Dhe ky model i shëmtuar ka lëshuar metastazat në qenien morale të vlerave e ata përparojnë duke e mahisur si mos më keq këtë qenie, drejt rrënimit gati të pandalshëm. Boshllëku e deformimi i vlerave morale e ka mbushur vetveten e njeriut me dëshpërim.

Ndaj njerëzit rendin të ikin e duan të ikin. Ikin se nuk kanë mjetet elementare të mirëjetesës, ndaj vrapojnë të ikin për një jetë më të mirë, sigurisht për më shumë para, për më shumë mall e gjë e mirëqenie. Për sigurinë e vetvetes, gjithashtu. Sepse ajo u cenohet përditë. Prej hajdutit ordiner nga i cili nuk e mbron shteti, prej taksidarit të shtetit, të cilin e stimulon vetë shteti me korrupsionin e kthyer në sistem, nga fodulli në zyra, nga oligarku që ka zaptuar edhe ajrin… Të gjithë, të gjithë e rrjepin atë vetveten e tij…

Por ikin edhe për më shumë qytetari. Por ikin edhe prej boshllëkut moral, për pak më shumë butësi e për më pak egërsi. Mbushë me pezëm ikin.
 Edhe ata që qëndrojnë pak shpresojnë se mund ta ndryshojnë për mirë. Edhe më pak veprojmë e bëjmë për ta ndryshuar. Ndaj… duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu…”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura