Kumbaro ‘shmanget’: S’kemi projekt, por vullnet politik. Instituti i ndërtimit: Tetari pa asnjë standard

Mar 31, 2018 | 7:30
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Nuk u fol për shembje dhe as për një projekt, por një koncept, një projekt-ide. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, i devijoi fjalës ‘shembje’ për Teatrin Kombëtar, artikuluar nga Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të projektit të realizuar nga arkitekti danez Bjarke Ingels.

kumbaro1

Kumbaro nuk dha asnjë përgjigje eksplicite nëse godina aktuale do të shembet apo jo, por duke e quajtur atë të amortizuar e të ndërtuar me “tallash e shkrepëse të skaduar”, duke iu referuar një ekspertize më të fundit të Institutit të Ndërtimit, dukej qartë që shembja është te dera. Nuk dihet vetëm forma e teatrit. Kush nga anëtarët e Komisionit Parlamentar të Edukimit e konsideroi “tërheqje” nga ana e qeverisë, me shumë gjasë nuk është e vërtetë. Projektin e paraqitur nga Bjarke Ingels ajo e konsideroi “të pakërkuar”, ndërsa artikulimin e Kryeministrit një “vullnet politik”. “Kemi një shprehje interesi mbi zhvillimin e zonës pranë TK me një propozim për një koncept projekti për vetë TK. Ky koncept, që në momentin që u paraqit, është ndarë me publikun, sigurisht brenda sallës për dialog, (COD), me aq artistë sa mund të mbante ajo sallë dhe ka qenë live në media. Jemi në fazën që aktualisht stafet e MK-së dhe bashkisë janë duke shqyrtuar këtë kërkesë dhe këtë koncept.

kumbaro

Po ngremë grupin e punës për ta studiuar këtë kërkesë dhe për të vijuar më tutje”, tha Kumbaro. “Nuk kemi kërkuar projekt, as MK dhe as qeveria. Subjekti privat, që është firma e njëjtë që ka bërë sheshin “Skënderbe”, ka sjellë një kërkesë. Subjekti privat ka propozuar një koncept nëpërmjet arkitektit të saj. Arkitekti quhet Bjarke Ingels, dhe në momentin që erdhi pranë Bashkisë Tiranë, ishte vullneti i menjëhershëm për ta ndarë këtë koncept me publikun”, shtoi ajo, duke vijuar se çdo vendimmarrje do të bëhet publike dhe në konsultim me komunitetin e artistëve, arkitektëve etj. “Kryeministri është shumë i përgjegjshëm dhe shpreh vullnetin e tij politik për të ndërtuar teatër të ri, për ta bërë qytetësin e Tiranës me teatër dhe për t’iu përgjigjur kërkesës së komunitetit për një teatër dinjitoz, për një teatër të së ardhmes.

Teatri do të ndërtohet në të njëjtin vend ku është sot, për mënyrën sesi do të veprohet ,do të prisni procedurën ligjore. Nuk jam tërhequr. Nuk e thashë këtë. Mënyra sesi do të jetë teatri i ri, do të jetë një proces ligjor dhe transparent. Për teatrin e vjetër, sot kemi ekspertizat e degradimit deri në fund të asaj godine. Ne marrim në shqyrtim çdo lloj kërkese, përfshirë edhe ato që janë bërë 20 apo 30 vite më parë. Ashtu siç kemi marrë edhe këtë studim të arkitektëve italianë, në Universitetin e Barit, që bëjnë një analizë interesante, sesi TK është ndërtuar me tallash edhe me shkrepëse të skaduara të vitit 1938 për një periudhë të përkohshme. Përgjigjen nëse do shembet apo jo teatri, e japin instancat ligjore, unë jap vullnetin politik për të ndërtuar teatër të ri. Këtë e përcaktojnë ekspertizat ligjore”.

Ekspertiza e Institutit të Ndërtimit: Nuk plotëson asnjë standard

Ministria e Kulturës është akuzuar se nuk ka bërë asnjë studim fizibiliteti të Teatrit Kombëtar, ndonëse ka pasur ankesa të vazhdueshme për gjendjen e godinës. Por duket se së fundi është realizuar një ekspertizë. “Së fundmi, drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, i është drejtuar edhe Institutit të Ndërtimit, i cili ka edhe të drejtën më të plotë për të bërë një ekspertizë dhe një skanim të godinës, e cila sapo ka ardhur edhe ne po e studiojmë. Përmbledhtazi, ai skanim i detajuar i godinës thekson se godina e TK, jo vetëm që nuk plotëson asnjë standard bashkëkohor lidhur me anën funksionale, me sigurinë e strukturës, sistemet e ruajtjes ndaj zjarrit, sistemet elektrikë, të ngrohjes, por edhe nëse kryhet rikonstruksioni i saj, sado i kushtueshëm dhe i thellë që të jetë, nuk e sjell atë në kushtet optimale të ditëve të sotme, sipas kodeve të projektimit. Dhe do të kërkonte më shumë se 90 për qind të ndërhyrjes në atë objekt, i cili edhe në këto vite, nga viti 1946, ka pësuar të paktën dhjetë ndërhyrje, që më shumë kanë keqësuar gjendjen sesa përmirësuar atë. Kjo përmbledhje thekson qartësisht edhe në mënyrë të detajuar edhe teknike, të gjithë aspektin e degradimit, amortizimit dhe rrënimit të asaj godine, por sidomos elementeve të paqëndrueshme të të gjithë objektit”, tha Kumbaro.

Romeo Gurakuqi: Kumbaro, mos u vër në shërbim aventurierësh

Deputeti i PD, historiani Romeo Gurakuqi, i kërkoi ministres Kumbaro të distancohet nga aferat për teatrin. “Zonja ministre, nga shkresa që na keni dërguar, më bëni të kuptoj, se vëmendja juaj ndaj atyre që kanë themeluar institucionet, edhe atyre që e ndiejnë se trashëgimia kulturore e Tiranës, jo si kryeqytet, por e Tiranës historike, është jo në lartësinë e duhur. Nuk arrij të kuptoj se si një njeri i letrave të vendoset në shërbim të një grupi aventurierësh të pashkolluar, që nuk kanë bërë gjë tjetër në këto dy vite, veçse kanë gjetur çdo hapësirë në kryeqytet për të ndërtuar kulla dhe për të transformuar pronat publike. Ju e dini se Teatri është pronë publike e shtetit shqiptar, edhe e kanë tjetërsuar pronën për t’ia kaluar privatit. Mendoja se sot ju do vinit këtu me ekspertët më të mirë për mbrojtjen e monumenteve të Kulturës, pavarësisht respektit për drejtuesit tuaj të institucioneve. Unë nuk e shoh të arsyeshme që ju të sillni njerëz që nuk ndiejnë aspak se çfarë ndodh në këtë qytet edhe të firmosin verbërisht atë ndjesi për trashëgiminë dhe për mbrojtjen e pasurisë, monumente të reja që ndërrojnë njëherë e mirë jo vetëm pronësinë, por edhe pamjen e Tiranës historike. Unë jam përfaqësues i Shkodrës, edhe atyre familjeve që kanë themeluar këtë qytet. Edhe më kini kundër në këtë qasje tuajën. Ju kërkoj që të mos firmosni aventurat e aventuriereve.”

Rrokaj: Teatrin ta ndërtojë shteti

Deputeti i LSI, Shezai Rrokaj kërkoi që për Teatrin Kombëtar të hapet konkurs. “Kjo problematikë është shumë e rëndësishme, që lidhet me kujtesën historike, me mënyrën sesi gjatë viteve është projektuar Tirana, janë marrë vendime edhe janë ndryshuar. Në këtë kuptim kanë dalë vendime, që duhen sqaruar. Ka apo nuk ka projekt? Kur Kryeministri prezanton përpara artistëve një projekt, ministrja e Kulturës thotë që s’ka projekt. Problematikë tjetër është që si do të lejojmë që në monumente të tilla historike, mund të ndërtohet sipas partneritet 3-P (partneritet-publik-privat), që detyrimisht në kësi rastesh privati sheh interesin e vet, ku është interesi i shtetit. Nëse xhaminë e ndërtoi Erdogani, Teatrin Kombëtar duhet ta ndërtojë shteti. A do të ketë një konkurs ndërkombëtar? Kryeministri, kur ishte ministër i Kulturës, pohonte se duhet që të kishte një konkurs ndërkombëtar. Ne këtë qëllim kemi, që të qartësohen artistët lidhur me këtë problematikë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura