Kumbaro: Politikanët shquan të kundërtin e tyre te “Vrasja e Maratit”

Mar 25, 2015 | 19:55
SHPËRNDAJE

“Vrasja e Maratit” është një nga ato projekte të Teatrit Kombëtar, që bëri shumë bujë që në momentin që u prezantua si i tillë.

Kjo, jo për shkak të titullit apo autorit, por sepse regjisori mban emrin Arben Kumbaro. Ka qëlluar që ai të jetë vëllai i ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe, pavarësisht se Kumbaro (vëllai) prej vitesh ndërton suksesshëm karrierën e tij regjisoriale, jo vetëm në Tiranë, zhurmnaja nuk qe e pakët. Deri në momentin e ngjitjes së veprës në skenë u fol për shuma të mëdha parash që do të merrte projekti, pastaj për mënyrën e përzgjedhjes së aktorëve etj., dhe fare pak për vetë veprën.

Marati

Kumbaro foli pak përpara premierës, duke dhënë vetëm disa informacione të përgjithshme. Ajo që dihej, ishte që nuk do të ishte një shfaqje e zakonshme, një dramë-muzikal me shumë aktorë dhe mesazhe të forta drejtuar politikës.

Tashmë që vepra ka njohur 8 shfaqje në skenën e Teatrit Kombëtar, me një sallë të mbushur plot me spektatorë, të cilët kanë provuar ndjesi të ndryshme përballë saj, Kumbaro tregon “arsyet” e veta në të gjithë këtë rrugëtim, që nga përzgjedhja e veprës, te provokimi, puna me tekstin, përzgjedhja e aktorëve, si dhe sulmet politike që iu bënë projektit të tij. Gjithë këtë zhurmnajë ai e quan “një histori provinciale”.

Që në momentin e parë të prezantimit të projektit tuaj, ju e quajtët “një vepër që politikën ekstreme e vë në gijotinë”, përse tani, ç’po ndodh me politikën shqiptare?

Nëse me “tani” e keni fjalën pas viteve ’90, nuk jemi keqkuptuar. Është një shfaqje që është vënë shumë herë në skenat botërore, vetëm me një qëllim: për të provokuar politikën jo vetëm atë të strukturës shtet, por edhe qasjen e individit ndaj saj. Kjo sepse bën fjalë për një nga aktet më të mëdha politike të historisë moderne, që është Revolucioni Francez. Pikërisht këtu ajo anatemon pafundë- sisht dualizmin që ne kemi në zgjedhjet politike, sot në shoqërinë tonë.

Në këto ndryshime revolucionare, posttotalitare, cila duhet të jetë rruga që duhet të zgjedhim, format radikale të ndryshimit apo një proces të brendshëm evolucionist të secilit prej nesh. Në këtë dualitet, në vepër, askush nuk dyshon për këtë revolucion, as Sadi, as Marati, por të dy janë tërësisht në ndryshëm në qasjen e tyre ndaj revolucionit, në dyshimet që kanë në atë çka ata bëjnë. Aty nuk ka të majtë e të djathtë. Aty ka të majtë dhe të majtë ekstremë si Zhak Ru dhe një kufomë të së djathtës zhirondiste, që përfaqësohet nga Dypere. Vepra nuk është një pamflet politik, por merret hollësisht me politikën, duke e vënë atë në dyshim, në zgjedhjet radikale dhe qëndrimet e saj ekstreme.

Çfarë dyshimesh dhe çfarë përgjigjesh jepni ju?

Një nga dilemat e veprës është ajo midis revolucionit social, evolucionit të individit. Vetë Sadi thotë se këto burgje të brendësisë sonë janë shumë më të rrezikshme sesa burgjet reale. Një tjetër dilemë shkaktohet edhe për shkak të qëndrimeve politike të Maratit. Ai është një pararendës i Marksit. Vepra është shkruar nën trysninë e deziluzionit të ëndrrës marksiste në vitet ’60. Weiss ishte një i majtë që shkroi këtë vepër, duke vënë në dyshim gjithçka.

Duke parë që vetë regjimet komuniste, që ai i kishte mbështetur në fillimet e veta, po degjeneronin, në një totalitarizëm të ri, ai e shkroi atë për ta vënë në pikëpyetje sistemin lindor, si për të pararendur vitet ‘90. Prandaj kjo vepër e shkruar nga një i majtë ka parë dritën e skenës pothuajse në të gjitha vendet perëndimore. Kjo është e bukura e paradoksi dhe është promovuar në nivel botëror, për hir të vlerave që ajo përcjell, por edhe për shkak të qëndrimit kritik që mban ndaj sistemeve perëndimorë.

Vetë Sadi në fund thotë: nga njëra anë ky sistem radikal ekstrem dhe, nga ana tjetër, një sistem individual që vetvetja e ka hedhur në kanal. Unë si Arben Kumbaro e kam shumë të vështirë t’i jap një përgjigje shoqërisë, sepse në fund të fundit arti nuk bëhet për t’i dhënë përgjigje shoqërisë, por për të ngritur pikëpyetje, për të sfiduar politikën, për të mbajtur qëndrime sa më komplekse dhe për ta parë fenomenin në një këndvështrim prizmatik. Ngado që e sheh lëshon një dritë të ndryshme, sepse rrezet thyhen në mënyra të ndryshme.

Një vend që drejtohet nga një qeveri e majtë dhe që heraherës nuk mungojnë dhe nostalgjikët e komunizmit, është kjo një arsye?

Unë nuk dua ta lë individin në sallë indiferent. Besoj se e kam arritur, sepse reagimet kanë qenë të ndryshme. Është shumë interesante të shohësh reagimet e politikanëve të majtë apo të djathtë që kanë parë shfaqjen, ku secili projekton të kundërtin e vet në metaforat e shfaqjes. Kjo është e bukur, asnjanëse dhe universale. Ky është qëllimi i artit: të ketë sa më shumë universalitet, sa më shumë humanizëm, sa më shumë mendim e reflektim.

Ju vetë sa keni pasur parasysh figura reale të politikës shqiptare kur keni ndërtuar personazhet e veprës suaj?

Nocionet dokumentare nuk kanë të bëjnë me një vepër artistike. Mund të projektosh nocione reale të jetës së përditshme dhe kjo është e drejta jote dhe në këtë rast arti e ka arritur qëllimin, nuk të lë indiferent, të bën të kthesh kokën nga ajo që ti thua. Patjetër që unë kam përthyer figura dhe imazhe, kam të drejtën e asociacioneve të mia personale në vepër, siç ka të drejtë spektatori, por nuk e dhunoj imagjinatën e tij, e lë atë të lirë dhe e bëj atë që të reagojë. Ata që duan të ulen në teatër, i bëj të dalin të menduar, por jo të lënduar.

Nga “Franku V”, ku shteti ishte kapur nga korrupsioni, te një çmendinë, përse këto qasje ndaj të sotmes, kaq shumë provokim?

Në fund të fundit, ky është qëllimi i teatrit. Nëse ai nuk provokon, atëherë ç’kuptim ka që bën art? Nuk bën art për të kënaqur instinktet bazike të njerëzve, por për të provokuar të vërteta të mëdha që fshihen brenda jetës së tyre, që as politika, gazetaria, studimet sociologjike nuk mund të arrijnë deri në atë skaj që arrin arti, sepse ai ka të bëjë me emocionin, jo vetëm me racionalitetin e argumentit. Pse në një çmendinë?! A nuk e gjeni ju veten heraherës në një marri kolektive dhe të pashpjegueshme? Jo më larg se para tri ditësh dëgjuam një nga personazhet më të njohur politikë, që bënte thirrje prapë për revolucion. Ja, pra, si riciklohet historia. Bëhet thirrje për revolucion, kur kemi kaluar sa e sa momente “revolucionare” dhe nuk po marrim dot frymë. Ndryshimi është i domosdoshëm në shoqëri, por ne duhet të jemi më të thelluar, më njerëzorë, më transparentë, më të përkushtuar, më socialë.

Një vepër që zhvillohet në disa rrafshe, ku aktorit i duhet të luajë një personazh, i cili nga ana e vet duhet të luajë një tjetër, pra tri personalitete në një. Sa e vështirë t’i bënit bashkë, pa e ndrydhur asnjërin prej tyre?

Shumë e vështirë. Provat janë shoqëruar nga një debat i vazhdueshëm dhe një punë serioze e të gjithëve. Kam qenë i impresionuar nga angazhimi i të gjithë trupës dhe atyre që u përfshinë në këtë projekt. Por kjo më ka vënë para përgjegjësisë, pasi në prova duhet të shkoja shumë i përgatitur, për shkak të gjithë këtyre sfidave që ju përmendët.

Personazhi është i zhvendosur në tri rrafshe: në aktor, qytetar e në të çmendur dhe në këtë trinom vërtiteshin secili në ngjyrat, psikopatinë, lojën e vet dhe qëndrimin civil. Në çdo frazë, në çdo notë muzikore, në çdo ngacmim, kemi një përse të madhe. Jo çdo gjë është matematikë, por duhet thënë që është shumë e menduar, për të qenë një sfidë krejt origjinale e eksperiencës së teatrit shqiptar, krahasuar me eksperiencat që kjo shfaqje ka pasur në botë.

Është absolutisht unikale në projektimin dhe mendimin e vet. Le të marrim qoftë edhe elementin muzikor, që ne e kemi punuar me Marjo Dedën. Vendosëm të marrim kompozimin origjinal të veprës, që është luajtur kudo nëpër botë, pasi në fund të fundit është një muzikal. Është bërë një punë kolosale për ta përshtatur këtë muzikë me vargun shqip.

Kemi punuar varg për varg, rrokje për rrokje që të krijonim një nivel profesional sa më të lartë, nga pikëpamja e leximit, por edhe komunikimit me publikun, edhe të thjeshtë, edhe bukur. Por mbi të gjitha rëndësi ka pasur për ne që idetë që mbartte ky tekst të ishin sa më të qarta për publikun dhe jo të bënim estetikë për hir të estetikës dhe muzikë për hir të muzikës, por për të qenë në funksion të të gjitha këtyre ideve. Janë orë pa fund pune me Marion, Genc Shkodranin, Berina Kokonën, për ta shtrydhur maksimalisht nga ana estetike e funksionale veprën.

Sa është ndërhyrë në tekstin origjinal?

Jo pak. Është e drejta e regjisë ta bëjë këtë. Unë kam ndërhyrë për të ngjeshur sa më shumë idetë. Nëse publiku do tekstin e plotë, mund të lexojë përkthimin e mrekullueshëm të Ardian Klosit. Unë kam një raport tjetër me veprën, që të marr idetë e mëdha të saj dhe t’i përkthej te publiku në një intensitet kohe të dhënë. Më besoni, nëse nuk do e kisha bërë këtë, ajo do të ishte një histori e mërzitshme për gjithsecilin dhe unë do të kisha humbur marrëdhënien që kam arritur me publikun. Ç’vlerë do të kishte që unë të respektoja 100% tekstin? Në emër të cilit qëndrim estetik në botë, të kujt kritizeri apo pseudokritizeri?! Unë e ftoj publikun në sallë jo për t’i treguar se sa i zoti jam dhe sa e respektoj autorin, sepse nuk kam të drejtë ta fyej atë, por që ta bëj të reflektojë mbi ato ide dhe qëndrime estetike, në gjithë kompleksitetin e vet. Shfaqja vihet në skenë pas 50 vjetësh dhe ishte e pamundur të vihej si para gjysmë shekulli më parë. Vetë Weiss ka bërë 4 variante të tekstit. Secili ka të drejtë të flasë, por në fund të fundit në teatër ka të drejtë vetëm një njeri të vendosë: regjisori. Sa më shumë diversitet të ketë kritika, aq më vlerë merr vepra.

Meqë jemi te vendimet, përse zgjodhët Hervin Çulin në rolin e Maratit, duke ditur se mund të krijonte edhe “zhurmë”, për faktin se ai është drejtor i TK?

Hervin Çuli është një aktor shumë i mirë. E kam pasur në rol kryesor edhe në vepra të tjera, si te “Rrëshajat” dhe askush nuk është çuar atëherë të thoshte pse e more. Të gjithë e pranuan dhe e duartrokitën interpretimin e mirë të tij atëherë, siç po e duartrokasin tani me Maratin.

Personazhi nga nis edhe vepra është pikërisht Sharlota, por ajo i ngjan më shumë një thike të verbër, sesa një heroine që të imponohet. Si ka ndryshuar Sharlota nga historia në vepër?

E gjithë vepra zhvillohet gjatë rrugës që bën dora e Sharlotës nga lart-poshtë. Dhe në këtë rrugëtim të thikës lindin dhe shfaqen gjithë imazhet, dyshimet, problematika, filozofia e kohës, projeksioni i ngjarjeve historike, projeksioni i ngjarjeve të sotshme. Ajo vrau Maratin si përfaqësuesin më gjakatar, figurën më ekstremiste të revolucionit.

Në këtë moment ajo kthehet në heroinë. Figura e saj intelektuale nuk e ndihmonte Peter Weiss për të ndërtuar veprën, ndaj është vendosur Sadi, si një kundërpeshë në debatin intelektual me Maratin. Viktor Zhusti ka bërë një punë titanike me atë rol dhe kam mendimin që do ngelet në rolet më të mira të tij si aktor. Ndërsa Sharlot Kordei, e shkruar nga Weiss, është një personazh jashtëzakonisht poetik.

Kam qenë me fat që kam pasur në këtë rol Luli Bitrin. Kam ndjekur karrierën e saj si një aktore shumë e mirë, e megjithatë ajo iu fut kalvarit të audicionit, e fitoi me meritë dhe them se ka bërë një nga rolet më të mira në teatrin shqiptar dhe këtë nuk e them vetëm unë, por edhe shumë të tjerë. Prandaj është e bukur kjo histori, sepse ka shumë subjektivizëm.

Metafora e veprës e kalon lokalizmin shqiptar e shkon deri në Lindjen e Mesme apo ekzekutimet e ISIS…

Kam dashur të sjell traumën postkomuniste, me gjithë radikalizmin e saj, raportin mes marrëzisë kolektive dhe asaj personale, sa rezonojnë ato me njëra-tjetrën, posttraumën në Lindjen e Mesme, me gjithë ekseset dhe fundamentalizmin. Të mos harrojmë se jetojmë ende me prerje kokësh dhe djegie për së gjalli në kafaze hekuri. Ky asocim më ka shoqëruar gjatë gjithë kohës që punoja për veprën. Ne jetojmë përditë me këtë fundamentalizëm ekstrem dhe duhet të flasim për të, në mënyrë që të mos zgjohemi një ditë, duke parë historinë që riciklohet nga e para.

A mundet që teatri ynë “lokal” të mund të japë mesazhe kaq universale?

Ekzistenca e një qenieje njerëzore në Paris, Uashington, apo në Tiranë është krejt e barasvlershme, ka të njëjtin vibrim në botë.

A jua ka vështirësuar punën skena e teatrit, që duhet thënë është drejt rrënimit?

Kur Peter Brook u ftua në Paris, i ofruan që mes qindra mundë- sive të zgjidhte një sallë, dhe ai zgjodhi pazarin e vjetër të mishit të shek. XVIII dhe ka punuar atje për 20 vjet. Një sallë e vjetër, e palyer, me lagështi, ku ndihej jeta, e vërteta. Ky nuk është rasti për ta krahasuar me Teatrin Kombëtar, pasi ne e meritojmë një teatër shumë më të mirë dhe dinjitoz, por kjo nuk ka të bëjë me atë çka bën në teatër. Muret e teatrit nuk ndikojnë në cilësinë e shfaqjes. Kam dashur ta zhvesh komplet skenën, për ta nxjerrë në lakuriqë- si, për të nënvizuar më shumë atmosferën e një çmendine ku zhvillohet vepra.

Që në momentin e shpalljes së projekteve fituese në TK, vepra juaj u sulmua politikisht, duke qenë se ju jeni edhe vëllai i ministres Mirela Kumbaro, si e keni përcjellë këtë zhurmnajë?

Kjo është një histori qesharake. Nëse do të bëjnë fajtor dikë sepse ka një motër apo një vëlla, atëherë le ta bëjnë. Nëse mund të bëjnë fajtor dikë sepse merret me politikat kulturore apo sepse bën teatër, atëherë le ta bëjnë. Kjo është një histori që nuk ia vlen barra qiranë, tërësisht provinciale, pa asnjë lloj impakti në punën time, me këtë vepër dhe me njerëzit që u përfshinë në të. E vetmja gjë që mund të them, është se i respektoj ata që janë të interesuar për transparencë fondesh publike, por nuk më ka rezultuar ky interesim, kur janë shpenzuar shumë më tepër fonde publikë në teatër, në emër të teatrit. Mund të them se kjo është një nga shfaqjet më të lira në historinë e teatrit për nga numri i njerëzve të angazhuar.

Sa ka kushtuar kjo vepër?

Nuk mund ta them me saktësi, por nga drejtoria e Teatrit kam informacionin që për të janë shpenzuar aq sa edhe për ndonjë vepër të mëparshme që është vënë aty këtë sezon teatral. Mund të them se ka kushtuar sa gjysma e “Frankut V”, që jam po unë autori dhe atëherë nuk u ndje asnjëri, nuk u shqetësua askush se sa kushton shfaqja.

ALMA MILE 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura