Kumarxhinjtë e politikës

Sep 14, 2020 | 9:40
SHPËRNDAJE

JORIDA TABAKU

tabaku jorida

Kur dy vjet më parë akuzova Edi Ramën në emër të PD, se vendimi i tij për mbylljen e lojërave të fatit ishte thjesht një maskaradë, m’u desh të përballesha me një çështje gjyqësore që vijon ende sot. Në fakt, kjo është pjesa qesharake e një historie që ka si zanafillë një gënjeshtër alla-rilindje dhe si përfundim, rikthimin e kazinove në zemër të kryeqytetit.

Nuk besoj se ka më njerëz që habiten nga premtimet fasadë të Edi Ramës. Sikundër nuk kam më asnjë shpresë se atij i vjen turp nga gënjeshtrat qe i janë shndërruar në rutinën e përditshme të aktivitetit mbi 7-vjeçar të politikës.

Por shqiptarët, ndryshe nga Edi Rama, duhet të dinë apo t’u rikujtohet e vërteta e farsës se lojërave te fatit kurdisur nga ai, që dikur përbetohej për mbyllje, ndërsa sot firmos licenca kazinoje për klientët e oborrit të tij. Po të kthesh vetëm pak fletët e qeverisjes së rilindjes, të shfaqet para syve “beteja” e Ramës kundër lojërave të fatit. Një hipokrizi e vërtetë e njeriut që nisi aksionin “Fundi i Marrëzisë” dhe e rriti numrin e lojërave të fatit nga 800 pika që ishin deri në vitin 2013, në 4200 të tilla në qeverisjen e tij. Asnjë naiv nuk e beson që ky 5-fishim ndodhi rastësisht dhe pa bekimin e Kryeministrit që ka në kontroll çdo institucion, përfshirë dhe ata në dukje të pavarur.

Në vitin 2015, qeveria Rama ndërmori një diskutim publik për të votuar një ligj për lojërat e fatit. Një ligj që ndryshoi deri në sekondat e fundit të seancës plenare vetëm e vetëm për t’u bërë ndere klientëve të Kryeministrit dhe që kurrë nuk kishte synim rregullimin me ligj të tyre. Kështu, një nga “arritjet” e ligjit të vitit 2015 ishte dhe shtyrja e afatit të vendosjes në jetë të këtij ligji me dy vjet.

Arsyet e shtyrjes së implementimit të këtij ligji natyrisht lidheshin me nismën e “Fundit të Marrëzisë”, që qëllim fundor kishte marrëzinë pafund të basteve. Shqipëria u kthye në një mejhane bastesh, që nuk rregulloheshin me asnjë ligj dhe që rezultat kishin vetëm dhënien me koncesion të sistemit të monitorimit online të tyre, të cilin e fitoi edhe një herë një tjetër pjesëtar i familjes Rama.

Në dy vite me radhë, çdo raport ndërkombëtar nga DASH te MoneyVal evidentuan lojërat e fatit si një zhguall perfekt në të cilin pastroheshin paratë e pista të krimit të organizuar. Ndërkohë që ligji mbahej ende në sirtar, një vit pas votimit në kuvend të tij, Kryeministri urdhëroi disa deputetë të maxhorancës që të propozonin një shtyrje të afatit kohor për aplikimin e ligjit për lojërat e fatit.

Pastaj, i njëjti komision që kishte votuar pro ligjit për të rregulluar lojërat e fatit, të njëjtët njerëz që rrihnin gjoksin për aksionin “Fundi i Marrëzisë”, votuan në grup në dhjetor 2016 shtyrjen e ligjit të lojërave të fatit që ishte miratuar me ndryshimet e kërkuara po nga e njëjta maxhorancë. Megjithëse dukej qartazi që shtyrja e aplikimit të ligjit ishte në fakt, një qokë e pastër që qeveria dhe vetë deputetët po u bënin lojërave të fatit, që ishin shpërndarë në atë kohë si kërpudha pas shiut.

Koha dhe përpjekjet tona për ta denoncuar këtë aferë nxorën në pah të vërtetën: njerëz shumë pranë qeverisë dolën të përfshirë në kompani bastesh, firma ndërtimi që ndërtojnë kullat në zemër të Tiranës i dolën lidhjet me kompanitë e kazinove dhe basteve. Vetë njerëzit e familjes së Kryeministrit ishin të përfshirë në tenderë dhe koncesione të lidhura me monitorimin e kompanive të basteve.

Mirëpo, kur laku i qeverisë u shtrëngua sa nga pazaret që ajo kish bërë me elementë të ndryshëm kriminalë në fushën e basteve, aq edhe nga raportet ndërkombëtare, Kryeministri edhe një herë përdori një socialist të ndershëm e të vjetër. E nxori atë për ta përdorur si fasadë në sulmet e tij karshi biznesit të lojërave të fatit, duke urdhëruar mbylljen e tyre dhe duke përdorur vargje kuranore e biblike.

Akuzoi atëkohë opozitën si bixhozxhie, ndërsa shqiptarëve u shiti propagandën e njeriut që nuk luan kumar. U vesh me petkun e hoxhës dhe veladonin e priftit, duke u predikuar shqiptarëve pastërtinë morale. Ndërsa sot urdhëron me VKM hapjen e lojërave të fatit në Tiranë.

Është i njëjti që citonte Kuranin në emisione televizive, ai që ka urdhëruar firmosjen e një VKM-je, në të cilën u jep shansin kazinove të hapen pranë xhamive dhe kishave. I njëjti që dy vjet më parë gatigati vuri flatrat e engjëllit mbrojtës për familjet nga kumari dhe që sot po ua ndërton kazinotë te dera e shtëpisë.

Unë sërish nuk habitem që Rama nuk skuqet apo nuk turpërohet kur gënjen. Ky është një proces që u ndodh njerëzve normalë, ndërsa prej kohësh ai është i prekur nga patologjia e mbajtjes së pushtetit me çdo formë dhe mënyrë. Kjo sëmundje, për fat të keq, të shndërron në të pandjeshëm, të paskrupullt dhe malinj deri në atë pikë, sa të mohosh gjithçka apo sa të urdhërosh pikërisht ato që kanë luftuar për mbylljen e lojërave të fatit, të dalin e të mbrojnë vendimet e tij.

Nuk di nëse do t’ia ndryshojë avokatit të tij tezat për seancën e ardhshme gjyqësore me mua, që thjesht faktova 2 vjet më parë atë që po ndodh sot. Por sërish kjo mbetet pjesa më e parëndësishme e historisë së lulëzimit të kazinove në Tiranë. Një projekt famëkeq, që do t’i shtojë kryeqytetit të betonuar dhe të helmuar nga ndotja një barrë të re për qytetarët. Të fundit, tashmë e kanë të qartë se duhet të shpëtojnë nga soji i kumarxhinjve të paskrupujt, që luajnë në kumar fatin dhe të ardhmen e shqiptarëve

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura