Kumanovë, dyshime për vrasje pas dorëzimit

May 23, 2015 | 7:04
SHPËRNDAJE

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut  (KMDLNJ) bazohet në dëshminë e dëshmitarëve që kanë marrë pjesë në luftime dhe që kanë treguar se disa nga të vrarët në momentin e dorëzimit kanë qenë të gjallë, ndërsa më pas kanë rezultuar të vrarë dhe ashtu janë shpallur nga autoritetet maqedonase. 

Kumanova

Behxhet Shalla nga KMDLNJ  insiston që të zbardhen faktet nëse personat që kanë humbur jetën në incidentin në Kumanovë janë vrarë gjatë luftimeve apo pasi ata janë dorëzuar.

“Këtu ka shumë gjëra për të cilat mund të dyshohet, sepse dëshmitarët që kanë marrë pjesë në luftime, tregojnë se disa prej tyre kanë qenë të plagosur e pastaj ata figurojnë në listën e të vrarëve. Mjekësia ka shkuar aq larg sa që mund të konstatohet edhe koha, por edhe mënyra e vdekjes”, ka theksuar Shala në një intervistë për Evropa e Lirë.

Sipas tij, në rastin e këtij grupi të vrarë në Kumanovë, shteti duhet të investojë edhe në ekspert të jashtëm- në mënyrë që të bëhet një super-ekspertizë, në mënyrë që të vërtetohen shkaqet e vdekjes. “Vetëm atëherë kur të bëhet një super-ekspertizë dhe të dihen shkaqet e vdekjes, atëherë mund të bëhet varrimi. Në qoftë se e bëjnë varrimin tash, atëherë shumë gjëra do të mbeten mister dhe të pasqaruara”, tha Shala.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu ka theksuar se ekipet për ekzaminimin e trupave të pajetë po kryejnë punën e tyre në Departamentin e Mjekësisë Ligjore dhe se pritet qe ky proces te përfundojë brenda dy apo tre ditësh.

Shtetasit e Kosovës të identifikuar si të vrarë në incidentin e Kumanovës janë: Xhafer (Hysen) Zymeraj, Beg (Miftar) Rizaj, Mirsad (Osman) Ndrecaj, Valon (Selim) Kabashi, Turgaj (Mehmet) Gashi, Samid (Bajram) Kastrioti, Hysen (Latif) Rushiti, Fatlum (Kadri) Vishesella dhe Arben (Qerim) Rexhaj. (INA)


NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura