Kultura shkrin kufijtë, miratohet kalendari Tiranë-Prishtinë

Feb 16, 2016 | 14:13
SHPËRNDAJE

Atë çka ende nuk ka arritur ta bëjë politika, kultura ia ka arritur: t’i shkrijë kufijtë. Tirana e Prishtina nënshkruan për të tretin vit kalendarin e përbashkët kulturor.

Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro dhe ai i Kosovës, Kujtim Shala, firmosën një vit kulturor, ku përfshihen koncerte, ekspozita e bashkëfinancime projektesh. Për ministren Kumbaro, ky kalendar është “një urë komunikimi, e cila funksionon përmes institucioneve publike, skenave të ndërkëmbyeshme, iniciativave të lira.

mirela kalendari

Në krye të tri viteve vendosëm ta njohim këtë realitet në mënyrë institucionale, ta mbështesim, ta forcojmë duke mos ia lënë rastësisë, por duke futur në programet e institucioneve tona kulturore publike programe të dedikuara, të organizuara në mënyrë të tillë që artistët të zgjerojnë skenat, që drejtuesit të shkëmbejnë përvojat e drejtimit dhe sidomos publiku të shohë produksione që ndërtohen në Prishtinë e anasjelltas në Tiranë”.

Ndërsa homologu kosovar, Shala, deklaroi se Ministria e Kosovës “në vijim të njohjes e vetënjohjes do të vazhdojë më tej bashkëpunimet” përmes projektesh konkrete. Ai u shpreh optimist për punën e përbashkët të realizuar deri më tash. Bashkëpunimi kulturor do të shtrihet në të gjitha fushat e artit, si në artet pamore, në balet, në bibliotekonomi, në fushën e botimeve dhe të promovimeve të librave, në teatër, folklor etj.

Do të ketë premiera filmash, si ai i Gjergj Xhuvanit “Engjëjt janë larg” apo kandidati për Oscar, “Shok”; ekspozita të Edi Hilës e Tahir Emras etj. “Bilanci i vitit 2015 ishte i bukur dhe i fortë. Teatri Kombëtar në Prishtinë, Festivali i Gjirokastrës, DokuFest, Koncerti i Rona Nishliut në Tiranë, Trupa e Baletit të Tiranës në Prishtinë, Koncerti ‘Gjurmët’, Ekspozita e GKAsë në Prishtinë, festivalet që nisin në Kosovë e vijojnë në Shqipëri, filmat gjithashtu”, vijoi Kumbaro.

Ajo e renditi si një hap të rëndësishëm ndryshimin e statutit të QKKsë, për të hapur mundësinë e bashkëproduksioneve, çka mundësoi financimin e filmit të regjisores Blerta Zeqiri edhe nga Shqipëria, edhe nga Kosova. Sipas dy ministrave, bëhet fjalë për një kalendar të hapur, i cili do të pasurohet edhe më tej me aktivitete të përbashkëta Shqipëri-Kosovë e që nuk do të shtrihen vetëm në dy kryeqytetet përkatëse, por edhe në qytete të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura