Kultura ekspozon arkivat në panair, filma e muzikë “live”

Nov 23, 2015 | 16:06
SHPËRNDAJE

Kostume nga shfaqjet, postera, libra, vegla muzikore… U desh një panair, jo me qëllim kulturor, që institucionet kulturore të bëheshin të gjitha bashkë, të nxirrnin arkivat dhe të ekspozonin për publikun trashëgiminë e tyre.

Mes pavijoneve që ekspozonin makineri e materiale ndërtimi, një hapësirë iu kushtua edhe kulturës në panairin “Klik Ekspo Klik”. Ministria e Kulturës me institucionet e varësisë u bë pjesë këtë vit nën titullin “Biznes, Art, Bashkëjetesë”.

mirela-kumbaro

Sipas ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, përmes kësaj pjesëmarrjeje mund të dëshmohet se “kultura nuk është një luks, por një nevojë, nuk është privilegj për disa, por është dhe duhet të jetë pjesë e jetës së komunitetit; se biznesi nuk është i huaj për kulturën dhe se kultura e produktet e saj i shërbejnë atij; se është koha më shumë se kurrë që të kuptojmë që arti nuk mund të jetë vetëm profesion i artistëve, por një instrument i fuqishëm edukimi për të gjithë popullsinë, sidomos për të rinjtë”.

ARKIVAT

Edhe pse dukej pak e çuditshme pjesëmarrja e Ministrisë së Kulturës në panair, nostalgjikët mund të gjejnë qoshen e vet aty. Të pasionuarit e teatrit mund të shkojnë në këndin e Teatrit Kombëtar, për të parë kostume nga shfaqje të ndryshme, postera apo edhe shfaqje të regjistruara. Madje TK ka hapur edhe një konkurs për fotografinë më të bukur realizuar me kostumet dhe parukat e teatrit (Kush merr më shumë “like” fiton dy bileta teatri për shfaqjen “Spiuni i Ballkanit”).

Arkivin e vet ofron edhe Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, edhe pse shumë më i ri në moshë. Kostume popullore nga treva të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga operat më të njohura dhe baletet mund të gjenden në hapësirën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Janë ekspozuar aty partitura, librete, vegla muzikore nga shfaqjet më të hershme, por edhe fotografi. Në ekranin e madh në qendër të stendës, vizitorët do të mund të shohin edhe disa nga shfaqjet më të bukura të TKOBAP.

Ndër të tjera, aty mund të gjendet informacion për aktivitetet e ardhshme, madje të blihen edhe bileta. Por më e veçanta janë interpretimet “live” të këngëtarëve të TKOB-së, nën shoqërinë e një pianoje. Informacionet më të fundit rreth librit dhe shërbimet që ofron Biblioteka Kombëtare mund të gjenden në stendën e këtij institucioni. Edhe Galeria Kombëtare e Arteve apo Muzeu Historik Kombëtar ka pavijonet përkatëse, ku mund të shfletosh katalogë nga ekspozitat e realizuara apo pavijonet muzeore. Filmi mbetet ndër më tërheqësit.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Arkivi i Filmit ofrojnë informacion rreth trashëgimisë kinematografike shqiptare, por edhe për projektet më të reja. Aty mund të shohësh edhe filma të vjetër e të rinj. Kërshëri ngjallin posterat e filmave të shfaqur gjatë viteve të diktaturës: “Duel i heshtur”, “Koncert në vitin ‘36″, “Ballë për ballë” etj.

BUXHETI I RI

Duke përfituar nga rasti, në ceremoninë e hapjes së pavijonit të kulturës, ministrja Mirela Kumbaro premtoi se kultura do të ketë edhe më shumë përparësi vitin e ardhshëm, më shumë financime, më shumë projekte. “Buxheti i Ministrisë së Kulturës ka ardhur në rritje. Dhe viti 2016 shënon një rritje prej 26% më i lartë krahasuar me vitin 2013. Pa përmendur këtu të gjitha financimet e tjera që shkojnë sërish te kultura përmes programeve të posaçme të aktiviteteve të mëdha kombëtare që nga pjesëmarrja e Shqipërisë në ngjarje të mëdha ndërkombëtare, si Bienalja e Venecias, Festivali Folklorik Kombëtar e deri te kantieret e Rilindjes urbane në trashëgimi, muze e qendra historike”, tha Kumbaro.

Por ajo që u dhemb të gjithëve është investimi në godinat e teatrove, të cilat sot janë në një gjendje rreziku. Aktorët ankohen se ndonjë ditë, Teatri Kombëtar do t’i zërë poshtë. Po ashtu edhe në Shkodër e Korçë. Por Kumbaro siguroi se shumë shpejt do të ketë një zgjidhje. “Asnjëherë nuk ka pasur kaq investime në infrastrukturën kulturore: 4 teatro janë në fazë projektimi e ndërtimi, teatri i Korçës, i Shkodrës, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Teatri i ri në Tiranë; 4 muze (Marubi, Arti mesjetar, Gjethi, Muzeu Arkeologjik) dhe mbi 10 kantiere restaurimi dhe mirëmbajtjeje në trashëgiminë kulturore”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura