Kulti i qerratait të Tiranës, që arrin të mashtrojë ndërkombëtarët

| 10:10
SHPËRNDAJE
 

ANDI BUSHATI andi bushati

Pasi vendosi të prishë marrëveshjen e 5 qershorit, duke ndryshuar në mënyrë të njëanshme Kushtetutën dhe duke bërë manovra për të ruajtur me çdo kusht pushtetin, Edi Rama u duk sikur e shmangu stuhinë e ndërkombëtarëve. Nëse para se të hidhte këtë hap të gjithë  e kishin paralajmëruar se kjo gjë mund të pengonte integrimin e Shqipërisë dhe marrjen e një date për nisjen e negociatave, Rama pompoi në shtyp disa deklarata deputetësh të Bundestagut dhe euro parlamentarësh që i mbështesnin ndërhyrjet brutale që votoi në 30 korrik, me ndihmën e sharlatanëve të pozitës së re.

Për hir të së vërtetës, duhet thënë që propaganda e rilindjes arriti të krijojë një kakofoni.

Nëse para ndryshimeve kushtetuese edhe zëra eminentë të CDU CSU-së kërcënuan se po të hidhej ky hap negociatat do të shtyheshin, nëse edhe komisioneri për zgjerim, Oliver Varheley, bëri të qartë se Komisioni Europian nuk mbështet nismat për ndryshimin e sistemit zgjedhor disa muaj para zgjedhjeve, nëse edhe OSBE-ODIHR u shpreh haptas në këtë linjë, Edi Rama arriti të rekrutojë pas faktit të kryer disa zëra që i përshëndetën aktet e tij të njëanshme.

Në ato ditë të fillimit të pushimeve verore, të gjithë lakenjtë pranë kryerilindasit dhe mediat e tyre filluan t’i thurnin lavde politikanit qerrata dhe marifetçi, që di ta bëjë të bardhën të zezë, di ta servirë si të ngrënshme ndërkombëtarisht gjithçka që gatuan vetë, di të rekrutojë edhe në rangjet e larta të politikës europiane.

Disa përmendnin me mburrje ndihmën që lideri global i kishte dhënë Merkelit për të zgjedhur në krye të Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, disa talentin e tij për të bërë për vete edhe deputetët e së djathtës gjermane dhe të gjithë së bashku duartrokisnin faktin se Rama është aq i zoti, sa ndërkombëtarët mund t’i pranojnë edhe shkeljet më të mëdha apo prishjen e marrëveshjeve ku ata janë angazhuar si arbitra.

Në fakt, gushti kaloi, pushimet mbaruan dhe u pa që nuk është kështu. Vizita e Kryeministrit në Gjermani ishte një shpullë e fortë mbi fytyrën e qerratait të Tiranës.

Një informacion që “rrodhi” nga deputetët gjermanë për seksionin shqip të “Deutche Welle” konfirmoi se takimin e tij të lobimit në Berlin, me grupin e CDU-CSUsë, e bojkotuan edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Ballkanit Perëndimor, Johann Wadephul, edhe kryetari i Komisionit për BE në Bundestag, Günther Krichbaum.

Madje, më e rënda qe se radioja zyrtare gjermane (lexo poshtë) theksoi që shumica parlamentare nuk është e bindur se me Tiranën (ndryshe nga Maqedonia) duhet mbajtur konferenca e parë ndërqeveritare, pas ndryshimeve të befta kushtetuese dhe shkeljes së paktit të 5 qershorit.

Pra, gjithë kjo histori tregon një gjë të vetme. Sado marifetçi dhe pehlivan të hiqet Rama për të rekrutuar ndonjë deputet apo për të blerë ndonjë zyrtar perëndimor, ai nuk ndryshon kurrë dot qëndrimin e institucioneve.

Dhe këtu fabula e kodoshit që arriti të amortizojë dredhitë që bëri për ndryshimin e Kushtetutës është e njëjtë me filmin e vjetër që ne shikojmë përditë. Aty del qartë se ky regjim i ka përgjithësisht me vete ambasadorët në Tiranë, por, ndërkohë, nxihet nga A te ZH në raportet që bëjnë për Shqipërinë qeveritë e tyre. Për të marrë vetëm një shembull, mjafton të shohësh raportet e departamentit të shtetit për liritë ekonomike, koncesionet dhe PPP-të apo atë që flet për pafuqinë e shtetit për të luftuar bandat kriminale dhe trafikantët e drogës dhe ta krahasosh me atë që diplomatët që varen prej tij thonë në Tiranë.

Ndryshimi është kolosal.

Dhe kjo tregon se rekrutimi i një eurodeputeti, një diplomati apo një zyrtari nuk ka asnjë vlerë.

Kodoshi i Tiranës mund t’i manipulojë ata vetëm për t’i bërë pjesë të propagandës që shpëlan trurin e shqiptarëve, por në çdo rast këto mashtrime nuk janë të mjaftueshme për t’i hapur Shqipërisë dyert e Perëndimit.

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.