Kullat e Babelit, ndërtesat informale sipas 32 arkitektëve

Feb 23, 2016 | 11:29
SHPËRNDAJE

Ato ngjajnë si Kulla e Babelit që u ngrit drejt qiellit si një gisht për të prekur Zotin e Ai e “dënoi” njerëzimin duke u ngatërruar gjuhët.

Duke mos u kuptuar ata nuk arritën ta përfundonin kurrë. Ndërtesat gjysmake të shpërndara në gjithë Shqipërinë, ca krijesa të çuditshme, që duken si kafshë me këmbë të gjata, me shkallë, që duken sikur rrinë pezull, me kate të para të papërfunduara, me dritare të pambyllura që duken si sy nxjerrë vendit, në shumicën e herëve nuk kanë qenë ndonjë shprehje krenarie apo e ndonjë ambicieje për të kapur Zotin, edhe pse ndonjëherë mund të kenë qenë për t’u bërë “kurora” e fshatit.

hapja e ekspos

Janë më shumë shprehje nevoje, kushtesh. Shpesh paratë e mbledhura me të shpejtë nuk dolën për t’i mbyllur të gjitha katet, shpesh katet e para janë lënë me qëllim të pambaruara për të mos u dëmtuar nga përmbytjet…

Cilado të ketë qenë arsyeja, ato sot janë pjesë e peizazheve urbane në Shqipëri, të cilat filluan të mbinin, pas viteve ’90. Mbi këtë subjekt të veçantë të arkitekturës shqiptare kanë punuar plot 32 arkitektë e artistë italianë dhe shqiptarë, për të sjellë së bashku një ekspozitë të titulluar “Evoked”, hapur dje në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura, FAB.

lezhe evoked

EKSPOZITA

“‘Evoked’ është një hulumtim pamor mbi ndërtimet informale shqiptare. Kur vala migratore e 1990-s i gjeti qytetet bregdetare të papërgatitura, rritja e nevojave për strehim krijoi një tipologji të re të organizimit të tokës bazuar në shfrytëzimin parazitar përgjatë bregdetit, aty ku ndërtesat prej betoni filluan të shfaqeshin gradualisht”, shpjegon Adelina Greca, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit/ Atelier Albania.

blinisht lezhe

Sipas saj, në këtë diptik arkitekturor janë përfshirë 16 arkitektë shqiptarë (disa syresh edhe piktorë, si Maks Velo e Arben Golemi) dhe 16 arkitektë italianë, të cilëve u është kërkuar të punojnë mbi të njëjtin material fotografik; për të përpunuar dhe për të manipuluar një shtëpi të papërfunduar nëpërmjet mediumeve të ndryshme artistike.

“Qëllimi i kësaj ekspozite është nxitja e një debati publik mbi strukturat/ndërtimet informale që përbëjnë tashmë shumicën e mjedisit të ndërtuar në Shqipëri. Ekziston nevoja e të qenët të vetëdijshëm për këtë realitet që nuk mund as të prishet, as të injorohet.

gose

Arkitekturës i nevojitet të reflektojë e të gjejë një vizion të ri për të përtërirë marrëdhëniet e saj me kontekstin / ambientin përreth / peizazhin dhe mënyrën se si mund të vendoset, përdoret, ripërdoret dhe madje edhe përfundohen punimeve të papërfunduara të ndërtimit”, thotë ajo.

ARSYET Ndërtime nga më të çuditshmet, të ndërtuara në vende nga më të pazakontat. Ndërtime buzë lumenjve, mbi kolektorë ujërash, mbi tunele ushtarake… I gjen në Tiranë, Lezhë, Fier, Lushnjë, Kavajë… kudo.

gose1

Sipas specialistëve të arkitekturës, arsyet pse territori shqiptar është ndërtuar masivisht, dhe pa një plan të përcaktuar, që nga fillimi i viteve 1990 e tutje, janë të shumta. Ndryshimi i sistemeve politike në Shqipëri solli një tronditje në çdo aspekt të jetës shqiptare. Ndryshime të mëdha demografike, migrime dhe emigrime; rikthimi dhe “rrëmbimi” i pronës private… të gjitha sollën një rezultat ndërtimesh informale në Shqipëri, që zor se e gjen në ndonjë vend tjetër të botës.

Sigurisht përballja me këtë realitet ka çuditur më së shumti arkitektët italianë, pasi ata vendas tashmë janë mësuar me çuditë shqiptare. “Është si Kulla e Babelit! Thërret im bir, 8-vjeçar, ndërsa përpiqem t’i shpjegoj kuptimin e punës për ‘Evoked’, duke mbledhur natyrën më të thellë të gjendjes urbane bashkëkohore, një Babel i vërtetë gjuhësh, që rritet e shumëfishohet në mënyrë të ndryshme edhe nga ato me të cilat flasin të njëjtën gjuhë”, do të shprehej arkitekti Alberto Iacovoni.

Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Adelina Greca, ndërtimet informale në Shqipëri “janë ngritur me materiale të qëndrueshme dhe të kushtueshme; disa janë të papërfunduara, të larta ose me një perspektivë të qartë për t’u bërë edhe më të larta; me funksione të ndryshme, dhe në vende të pamenduara, të cilat nuk marrin në konsideratë peizazhin urban apo atë natyror, si në aspektin e rreziqeve natyrore apo nga aktivitetet industriale”. Ajo nuk mund të mos përmendë faktin se të tilla ndërtime të ngritura jashtë çdo lloj plani urbanistik, kanë sjellë dëme të mëdha për vetë banorët.

“Në shumë raste, përmbytjet e tokave bujqësore kanë qenë rezultat i ndërtimit informal; erozioni bregdetar është nxitur dhe përshpejtuar nga këto ndërtime shkaktuar kryesisht nga iniciativa individuale, shumë aksidente rrugore kanë ndodhur për shkak të mungesës së hapësirës në rrugë si pasojë e ndërtimeve të paligjshme”, thotë Greca, teksa shton se përveç shëmtimit të peizazhit urban e rural, këto ndërtime kanë sjellë edhe ndryshime të rëndësishme dhe shpesh negative mbi stilin e jetës familjare.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura