Kulla në selinë e PD, Basha i përgjigjet akuzave të Berishës: Gënjeshtër! Kush ka dy pare mend në kokë e kupton që kjo i shërben atij dhe Ramës

Jan 14, 2022 | 16:05
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, iu përgjigj akuzave të ish-kryeministrit Berisha për ekzistencën e një projekti për ndërtimin e kullave në vendin ku ndodhet selia e Partisë Demokratike.

Nga ambientet e jashtme të prokurorisë, ku u morr në pyetje për protestën e 8 janarit, Basha u shpreh se akuzat e Berishës janë të pavërteta. Sipas tij ish-kryeministri dhe Rama mashtrojnë për të dobësuar opozitën, duke dëmtuar në këtë mënyrë interesin publik të shqiptarëve.

“Është një gënjeshtër shtesë dhe kjo i shërben Sali Berishës dhe Edi Ramës. Ata i shërbejnë njëri tjetrit në këtë situatë, Partia Demokratike dhe unë si kryetar i saj po pengohemi të bëjmë punën tonë.

Kushdo që ka dy pare mend në kokë e kupton se nga këto gënjeshtra fiton Edi Rama dhe Sali Berisha, dëmtohet Partia Demokratike dhe përmes saj interesi publik dhe interesi i shqiptarëve. Duhet sa më pak të merremi me të shkuarën dhe sa më shumë të inkurajojmë qytetarët të cilët janë shumica.

Këta duhet të jenë e shkuara, në mendjen time janë e shkuara. Në grupin parlamentar të partisë demokratike dhe në punën tonë janë hallet e shqiptarëve. Kemi një pakicë që do ta mbajë Shqipërinë kështu siç është dhe një shumicë që kërkon ndryshimin dhe përmirësimin e jetës së shqiptarëve”, tha Basha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura