KUKU NAN!

Sep 13, 2020 | 17:07
SHPËRNDAJE

Luçiano Boçi2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-Viewer-e1557227672882

Nxënësit presin të rigjejnë klasat e dashura nën regjimin e ri të maskave, ndërsa Ministria e Arsimit ka hequr maskat dhe ka ngritur flamurin e bardhë të kapitullimit.

Ikja e paralajmëruar e Shahinit nga vetë ajo, shënoi rënien e këmbanave për fundin e qeverisjes së rilindjes.
Dështimi i saj përkufizon të gjithë dështimin 8-vjeçar spektakolar të një politike me theks tërësisht aventuresk, të njeriut më të papërgjegjshmëm ndonjëherë të ngritur në pushtet, Edi Ramës.

Një dështim që po le pas pasoja të rënda.

Simbol i profanizmit profesional e i mbulimit të diellit me shoshë, Shahini asnjëherë nuk performoi dhe madje më keq. Ajo stonoi dhe në raport me paaftësinë e lënë dingas nga paradhësja e saj, aq sa paaftësia e Nikollës ngjan si një romantizëm nostalgjik.
Arsimi i lënë jetim sot, është ku thërret qameti.

Kuku nan, për kryeministrin dhe ministren që kemi!

Kaosi, inercia, paaftësia dhe papërgjeshmëria, të instaluar me durim e përkushtim politik nga rilindja, janë kalorësit që nën revanin e tyre e katandisën arsimin në këtë gjendje.
Panorama është tejet trishtuese dhe zhurmat e gëzuara fëminore e kanë të pamundur të mbulojnë rrënimin që ka ndodhur me shkollën tonë.
Pandemia zbuloi përmasën e vërtetë të lënies pas dore të arsimit, të mbuluar deri më tani me punën përkushtuese të mësuesve.
Rama përcmon hapur dhe urren dijen dhe mos prisni që për të dëshmuar këtë, ai të bëj deklaratë.

Mjafton të shohësh gjendjen fizike të institucioneve arsimore se si është lënë.
Pa ngrohje, pa ujë të rrjedhshëm, me klasa të mykura, me bango jashtë funksionit, pa biblioteka, pa mjete mësimore në pjesën dërrmuese të shkollave.
Pa financime për të siguruar pasjen e elementëve që imponojnë protokollet e sigurisë.
Me mësuesit të braktisur financiarisht e moralisht në shenjtërinë e tyre, por të cilëve votat ua kërkojnë me firmë e kartë identiteti.
Diskrimini kudo është i prekshëm dhe absolut. Disa e kanë një shkollë, disa nuk e kanë, sepse qeveria nuk ia ndërtoi.
Nxënësit nga familje me të ardhura të pakta, studiojnë në shkollat më të rrënuara, me mësues më pak të kualifikuar, me klasa me mjete mësimore zero, pa laboratorë e kushte normale.

Transporti nuk u falet dhe i lihet në dorë rastit.

Një shkollë në Tiranë është tjetër realitet në raport me një në periferi, “luksi” i vetëm i të cilave janë klasat kolektive.
Por mbipopullimi i bën dhe ato të qendrës si të kolektivizuara dhe ku puna me turne ndërton zbrazëtinë e dijes së transmetuar dhe i heq mundësinë cdo fëmije që të ketë klasën e vet, bangën e vet, mjetet e veta mësimore dhe mësuesin e vet.
Gjithcka i nështrohet rregullave të një procesioni të mërzitshëm që duhet thjesht “hequr qafe” dhe jo si një proces i cili përcakton fate individi, fatë shoqërie, fate vendi.
Deviza duket sheshit: “Ta nisim njëherë e të dalë, ku të dalë”.
Asgjë nuk merret seriozisht. Rama nuk e merr seriozisht Shahinin dhe arsimin. Shahini nuk e merr seriozisht veten. Mësuesit nuk dinë më parë kë të marrin seriozisht. Mësimdhënien, apo siguridhënien ndaj covid-19. Përkushtimin profesional, apo kërcënimet politike për largime nga puna.

Nxënësit me online-in qesharak, me videoselfiet e ministres, të vitit të kaluar, hezitojnë sot të marrin seriozisht orët 25 minutëshe dhe turnet rrëmujë.
Ata duan dije, arsimim, të ardhme. Rama do votat, pushtet dhe arbitraritet.
Për nxënësit ka nisur viti shkollor, ndërsa Rama 14 shtatorin e quan nisje të vitit zgjedhor.

Ai me pandjeshmërinë e tij e verbërinë e karrikes, po i hedh mësuesit dhe nxënësit drejt flakës së pandemisë, vetëm e vetëm të mbulojë dështimin e tij politik.

Kuku nan, ku është katandisur arsimi!?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura