Kukësi “peshkon” një sulmues nigerian, por vendos trajneri Pakult

Jan 23, 2018 | 10:58
SHPËRNDAJE

Kukësi ka qenë mjaft aktiv në merkaton e dimrit, pasi verilindorët kanë afruar emra si Donjet Shkodra, Irakli Dzaria, Filip Zderiç, Maldin Ymeraj, si dhe presin Nikolas Le Dilo.

Por, këta lojtarë nuk mjaftojnë, ndonëse duket se Kukësi është kompletuar në çdo rol. Me përjashtim të sulmit, repartet e tjera janë me lojtarë të dubluar.

kukesi2-470x313

Largimi i Alijevit la boshllëk te Kukësi, paçka se azeri nuk la shumë gjurmë. Sulmues i mirëfilltë te Kukësi, aktualisht, është vetëm shkodrani Sindrit Guri.

Edhe pse shtatlarti ka shumë cilësi, ai nuk mjafton, pasi në rast dëmtimi apo mungese për çdo lloj arsyeje, Kukësi do të luante me Bakajn apo me një mesfushor tjetër në rolin e sulmuesit, gjë që nuk shikohet me sy të mirë nga trajneri Pakult apo dhe nga drejtuesit e tjerë të klubit.

Guri-KUkesi

Për këtë arsye, Kukësi është hedhur në sulm për të afruar një qendërsulmues dhe sytë i ka hedhur nga Suedia. Gazeta mëson ekskluzivisht se drejtuesit e Kukësit i kanë paraqitur një sulmues nigerian teknikut Pakult. Bëhet fjalë për Ahmed Abdultaofik, i cili ka luajtur në elitën e futbollit suedez.

25-vjeçari ka luajtur për Ventspilis në Letoni, ku ka qenë një titullar i padiskutueshëm. Loja e mirë që tregoi për disa vite te Ventspilis bëri që në sezonin 2014-2015 të kalonte tek ekipi që udhëheq kampionatin në Letoni, Spartaks Jurmala.

Ahmed Abdultaofik

Ndërsa mbas Letonisë, karriera e tij vijoi te Ljungskile dhe Syrianska në Suedi. Tashmë i mbetet trajnerit Peter Pakult të zgjedhë nëse do e dojë sulmuesin nigerian ose jo.

Nëse trajneri jep OK-in, atëherë me shumë gjasa sulmuesi do të afrohet te kampionët, pasi paraprakisht palët kanë rënë dakord në parim.

Një emër tjetër që flitet është dhe Eko Barine, por shumëkush te Kukësi është skeptik për këtë sulmues duke qenë se Skënderbeu dhe Teuta nuk e kanë mbajtur.

S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura