Kukësi-Laçi, finale milionash për tre qytete, priten 9 mijë tifozë në “Qemal Stafa”, gjyqtari me short

May 29, 2015 | 11:30
SHPËRNDAJE

Një finale për tre qytete. Kukësi dhe Laçi diskutojnë sot për herë të parë mes tyre një finale të Kupës së Shqipërisë, tërësisht veriore.

Kukësi-Laçi, Foto Ilustruese

Mirëpo Tirana, klubi më i titulluar në vend (24 herë kampion), është me sy e veshë nga “Qemal Stafa”. Bardheblutë janë të interesuar direkt nga rezultati, për vetë faktin se mund të sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Europës nëse trofeun e fiton Kukësi. Tirana “digjet” nëse Kupa shkon në Laç.

Kukësi merr pjesë për herë të dytë radhazi në finale, teksa në edicionin e kaluar humbi me Flamurtarin 1-0. Për kurbinasit, kjo do të jetë finalja e dytë në tri edicionet e fundit, ku në të parën dolën fitues, pasi mposhtën Bylisin 1-0 në “Qemal Stafa”.

Për herë të fundit, dy finalistet janë takuar mes tyre në gjysmëfinalen e Kupës në vitin 2013. Laçi kaloi në finale pas barazimit 0-0 në Kukës dhe fitores 2-1 në ndeshjen e kthimit. Në kampionat kanë luajtur 9 herë mes tyre, me një bilanc prej 4 fitoresh të kuksianëve, 5 barazimeve dhe 2 fitoreve të laçianëve.

Armando Cungu ka dilema, ja si pritet të luajë Laçi

Krahu i djathtë i mbrojtjes është dilema e madhe e trajnerit Armando Cungu. Në stërvitjen e fundit ai provoi Elton Dokun, i cili rikthehet pas një periudhe të gjatë jashtë fushave për shkak dëmtimi.

Mirëpo, sipas të gjitha gjasave, sot nga minuta e parë si mbrojtës i djathtë do ta nisë Teqja dhe në rolin e mesfushorit shkatërrues do të jetë Mustafa, duke formuar dyshen me Veliajn.

Radanoviç fikson titullarët, ja si pritet të luajë Kukësi

Kukësi i beson formacionit fitues të katër ndeshjeve të fundit të kampionatit. Me mungesën e sigurt të Besar Musollit për shkak kartonësh dhe largimet e Dritan Smajlit e Erion Dushkut, verilindorët luajnë sot me një skemë sulmuese.

Mesfushori Zeqiri është më i avancuar në mbështetje të Pejiçit, ndërsa edhe Vilfor Hysa në krahun e majtë do të ketë tërësisht detyra sulmuese.

Gjyqtarët drejt shortit, por Meta është favorit

Kukësi dhe Laçi nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për gjyqtarin e finales deri mbrëmë vonë. Shefi i gjyqtarëve, Tahir Kastrati, deklaroi dje për “Panorama Sport” se sot, në 18:00, pikërisht dy orë para ndeshjes, do të tentohet edhe një herë për të gjetur mirëkuptimin mes klubeve.

Nëse kjo nuk ndodh as sot, atëherë FSHF do të hedhë shortin, në praninë e drejtuesve të Kukësit dhe Laçit. “Kemi njoftuar tre gjyqtarët e FIFA-s: Lorenc Jemini, Bardhyl Pashaji dhe Enea Jorgji, por gjithashtu edhe Kridens Metën e Andi Koçin, të cilët do të jenë në gatishmëri për ndeshjen finale. Të shpresojmë që klubet mund të arrijnë konsensus, në të kundërt do të hedhim short”, sqaroi dje Kastrati.

Ndërkohë, burime të sigurta treguan për gazetën se kryesori Jemini pritet të refuzojë arbitrimin, nëse shorti përzgjedh atë si kryesorin e finales. Precedenti i katër viteve më parë në Laç, ku gjyqtari u dhunua, ka bërë që të mos e arbitrojë më skuadrën kurbinase.

Vlen për t’u theksuar se Kukësi ka shpallur Pashajin “non grata”, ndërsa Laçi kryesorin Jorgji. Duket se finalja do të gjykohet nga një mes Metës dhe Koçit.

 KUKËSI – LAÇI ora 20:00

 Formacionet e mundshme:

Kukësi: Halilaj, Hallaçi, Malota, Shameti, Mici, Lushtaku, Xheferson, Hasani, Hysa, Zeqiri, Pejiç; Trajner: Miodrag Radanoviç

Laçi: Vujadinoviç, Teqja, Sheta, Buljan, Çela, Meto, Mustafa, Veliaj, Sefgjinaj, Cetkoviç, Xhejms; Trajner: Armando Cungu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura