Shefi i Krimeve u drejton armën protestuesve. Policia: U tentua t’i merrej pistoleta

May 5, 2015 | 7:25
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Shefi i Policisë së Kukësit nxjerr pistoletën dhe kërcënon protestuesit për energjinë elektrike. Skandali ka ndodhur paraditen e djeshme, kur vetë komisari Albion Xhitoni, me veshje civile është futur në mes të grupit të protestuesve, duke i hequr armës së zjarrit siguresën.


Filmimet nga dita e djeshme kanë tronditur opinionin. Aty dallohet shefi i Policisë, Xhitoni, duke kërcënuar me armë protestuesit që të shpërndahen, ndërsa lëshon sharje njëra pas tjetrës. Gjithçka nisi gjatë tubimit nga ana e banorëve të Kukësit, të cilët kërkojnë që OSHEE-ja t’u falë detyrimet e papaguara. Sipas tyre, për shkak të problemeve ekonomike, nuk kanë mundësi që të shlyejnë faturat bashkë me kamatëvonesat.

Madje, ata pretendojnë se nuk janë dëmshpërblyer as për përmbytjet nga ndërtimi i hidrocentralit të Fierzës. Protestat masive kanë nisur që në muajin mars, kur ishte dhe afati i fundit për të shlyer debitë. Ditën e djeshme, dhjetëra banorë janë ngritur sërish për të protestuar për të njëjtën çështje.

Fillimisht ata janë mbledhur në qendër të qytetit të Kukësit e më pas janë drejtuar në dalje të tij, me qëllim bllokimin e Rrugës së Kombit. Por nga ana e forcave të rendit nuk janë lejuar që të përparojnë, duke u bërë bllokadë ende pa dalë nga qyteti. Më herët, nga ana e saj, Policia e Kukësit kishte refuzuar dhënien e lejes për protestuar, duke bllokuar njërin kah të autostradës, jo vetëm për shkak të trafikut, por dhe pamundësisë për ta mbikëqyrur, meqenëse ishte dhe takimi elektoral i kreut të PD-së.

Këtu ka nisur dhe përplasja e forcave të Policisë me protestuesit, kryesisht pjesë të shoqërisë civile. Duke menduar se do të qetësohet situata, forcat e rendit, bllokuan dhe futën në makinë për të dërguar për në komisariat organizatorin e protestës, Nderim Lushi. Ky veprim ka shkaktuar më tepër tension. Protestuesit qëlluan me mjete rrethanore ndaj uniformave blu dhe duke u përplasur fizikisht me ta.

Punonjësit me uniformë ishin të pajisur me shkopa gome, por u desh ndërhyrja e shefit të Krimeve që të shkaktohet një tension i paparë. Albion Xhitoni ka nxjerrë armën e punës, një pistoletë, duke i hequr siguresën dhe duke e mbajtur në pozicion qëllimi. Ndërsa fyente protestuesit, ai ua ka drejtuar armën e zjarrit, duke bërë që të prapësohen qytetarët, një pjesë e të cilëve mbanin pankarta në duar.

Filmimet e transmetuara në media tregojnë se dhe gjatë kohës që protestuesit ishin në makinën e Policisë, Xhitoni ka vazhduar të qëllojë me grushte, pa u ndikuar aspak nga prania e mediave apo thirrjet e vartësve të tij për të ndaluar.

Në ambientet e Policisë u shoqëruan disa persona, mes tyre dhe këngëtari i njohur i muzikës popullore, Nuhi Elezi. Në këtë, para Drejtorisë së Policisë janë mbledhur sërish protestuesit, duke kërkuar lirimin e të ndaluarve. Pas disa orësh u lanë të lirë të tjerët, ndërsa u arrestua organizatori Nderim Lushi.

Reagimi i Policise 

Policia e Shtetit ka reaguar per ngjarjen e ndodhur paraditen e sotme ne Kukes, ku protestuesit jane perplasur fizikisht me Policine. Ne nje deklarate per mediat, Policia e Shtetit sqaron se organizatorit te protestes, Nderim Lushit i eshte refuzuar leja për të zhvilluar një protestë në rrugën e Kombit, sepse policia ishte e angazhuar për te marrë masa për mbarëvajtjen e prezantimit nga ana e Partise Demokratike, të kandidatit për kryetar Bashkie që do zhvillohej në qytetin e Kukësit, në ora 10-00.

Në njoftim Policia thekson se nga informacionet policore, Lushi “kishte tendenca për të nxitur qytetarët që therriste në tubim në akte dhune ndaj pronës publike dhe private”. Por, ajo që bie në sy ne deklarate, eshte mbrojtja e Shefit të Krimeve që justifikohet se e ka nxjerrë armën pasi “persona të paidentifikuar” kanë tentuar t’ia marrin.

Por ne videon e publikuar ne media me heret, pamjet tregojne qarte se zyrtari i policise e nxjerr qellimisht pistoleten dhe fyen me fjale banale qytetaret qe protestonin.

Foto nga protesta e sotme ne Kukes

Ai akuzohet se ka konsumuar veprën penale të “Organizimit dhe pjesëmarrjes në tubime të paligjshme “, në sheshin para Prefekturës “ Hasan Prishtina “ në qytetin e Kuksit, ndërkohë që në vendin e quajtur “ 6 kateshi “po zhvillohej aktiviteti politik i Partisë Demokratike.

“Në vijim nga shërbimet policore të DPQ Kukës, në zbatim të planit të masave për parandalimin e aktivitetit të paligjshem që po kërkonte të organizonte Nderim Lushi, janë marrë masa duke dislokuar shërbime policore, në afersi të vendit të quajtur “ Ura e Drinit te Zi “, në Kukës. Pikërisht në këtë vend rreth orës 12 :00, nga qytetarë të cilët kishin qenë pjesëmarrës në tubimin që kishte zhvilluar në menyrë të paligjshme Nderim Lushi para Prefektrurës Kukës, është bërë bllokimi i rrugës hyrëse në Kukës afër Urës së Drinit të Zi.  Ndërkohë që nga forcat policore është bëre ndërhyrja për lirimin e aksit rrugor dhe shoqërimin e organizatorëve të ketij tubimi të paligjshëm, qytetarët e tubuar kanë ushtruar akte dhune ndaj punonjësve të policisë me mjete dhe sende të forta (gurë ,drunj etj) megjithëse ju është bërë thirrje nga policia se veprimet ishin të paligjshme.

Gjatë shoqërimit të shtetasit Nderim Lushi si organizator dhe nxitës i tubimit dhe dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të policisë, nga personat që ishin pjesëmarrës në këtë tubim, (të paidentifikuar ende për shkak të konfuzionit) është tentuar t’i merret arma e shërbimit Shefit të Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë së Kukësit, i cili për parandalimin e këtij akti ka nxjerrë armën nga brezi dhe është shmangur nga turma”,- sqaron Policia.

 

Mësohet banorët, të cilët kanë krijuar edhe një shoqatë ‘për faljen e dritave’, kanë bllokuar sot rrugën dytësore që lidh qytetin e Kukësit me ‘Rrugën e Kombit’. Por policia nuk kishte dhënë leje për bllokimin e rrugës dhe ka ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit. 

Por ndërhyrja e policisë për lirimin e rrugës ka sjellë edhe acarimin e situatës, e cila ka degjeneruar në përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të rendit. 
 

Pamje nga vendi i ngjarjes

Policia ka ndaluar edhe kreun e protestës, shtetasin Nderim Lushi si dhe ka shoqëruar 4 persona të tjerë.

Noka: Qeveria barbare.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe deputeti i Partiese Demokratike Flamur Noka, i cili e ka quajtur “akti i fundit i demokracise”.

“Denoncoj terrorin shteteror sot ne Kukes. Dyshja Rama meta Kerkon t’iu tregoje dhembet pasi i varferoi qytetaret. Kjo eshte nje qeveri barbare”,- tha ai.

 Totozani: Hetoni 

 Edhe Avokati i Popullit Igli Totozani, ka reaguar për protestën e banorëve te Kukësit dhe dhunën e ushtruar nga policia mbi ta. Në një deklaratë për mediat, Totozani dënon ngjarjen, dhe fton policinë të marrë pasa ndaj nje personi i veshur civil qe shfaqet ne video.

“Avokati i Popullit, Igli Totozani nëpërmjet medias u njoh sot me një video tronditëse ku dhunohen disa banorë, të cilët po protestonin. Avokati i Popullit dënon me forcë dhunën dhe veprimet e ushtruara nga personi civil, që vihet re në video dhe fton organet e policisë dhe të hetimit të marrin masa të menjëhershme ndaj këtij punonjësi”, thuhet në deklaratën e AP.

“Punonjës të tillë nuk kanë vend në Policinë e Shtetit”,- vijon ai, duke theksuar se neser një grup ekspertësh do të jetë në Kukës për të hetuar ngjarjen.

Arrestohet organizatori i protestes 

Ndaj organizatorit Nderim Lushi është marrë masa e arrestit në flagrancë për konsumim të veprave penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme“ dhe “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Tahiri urdheron verifikimin e veprimeve te Policise

Ndërkohë në lidhje me ngjarjen, Ministri i Punëve të Brendshme  Saimir Tahiri ka urdhëruar verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga Punonjësit e Policisë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat dhe Drejtoria e Inspektimit pranë Ministrit të Brendshëm. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura