Kujtohet Mandi Koçi, operatori i parë i Hoxhës

Jan 31, 2012 | 14:27
SHPËRNDAJE
Kineasti Mandi Koçi

Të ishte operatori i parë në Shqipëri nuk iu njoh për ndonjë privilegj, madje as fakti që ishte i pari që xhiroi Enver Hoxhën në takimet e tij të pasluftës, nuk i shërbyen që t’i shpëtonte burgut 20-vjeçar, që e ndau nga familja, karriera, gjithçka e dashur… Tashmë janë shumë të paktë ata që e kujtojnë Mandi Koçin, të parin operator në Shqipëri. Jo vetëm e shkuara e tij fatkeqe, por edhe vitet kanë bërë që emri i tij të përmendet shumë rrallë ndër emrat e kineastëve pionierë apo fotografëve të parë shqiptarë. Në vazhdën e të mërkurave përkujtimore, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit do të zhvillojë një takim me rastin e 100-vjetorit të Mandi Koçit. Kolegë, por edhe të afërm të kineastit do të jenë të pranishëm në këtë takim, ku do të shfaqet edhe një kolazh me punët që ka lënë pas Koçi, apo siç e njihnin asokohe MAK.
Mandi Koçi lindi në Voskopojë të Korçës, më 17 janar 1912, në një familje zanatçinjsh. Më 1936-n hap në Korçë të parën studio fotografike me korrent. Me aparatin e tij do të fiksonte momente të rëndësishme historike si demonstrata e bukës, pushtimin fashist në Korçë etj. Më 1942-shin do të bëhej pjesë e Brigadës I partizane, ndërsa do të shërbente dhe fotograf i shtabit. Si veprimtar antifashist, u internua në Porto-Romano, së bashku me Pëllumb Dishnicën, Todi Maliqin, Mit’hat Frashërin, Zai Fundon, Manol Konomin, Stefo Grabockën, Safet Butkën, Mina Uçin, Reshit Collakun, Sadik Bekteshin, Qazim Kapisyzin, Spiro Shalësin.
Gjatë viteve 1945-1947 studion mbi kamerën e filmit në studion e “Zvezda film” në Beograd dhe në vitin 1947 xhiron kronikat dhe filmat e parë dokumentarë në Shqipëri. Ndër to mund të përmendim vizitën e Enver Hoxhës në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, një tjetër takim të Hoxhës në vitin 1948 në krye të qeverisë shqiptare, rivarrimin e dëshmorëve në Korçë, vallet e fshatarëve të Dardhes, filmuar në vitin 1945 etj. Sipas historianit të fotografisë Qerim Vrioni, në vitin 1945 Mandi Koçi emërohet përgjegjës i laboratorit fotografik të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, e më pas në Agjencinë Shqiptare të Filmave. Gjatë vitit 1946 e në fillim të vitit 1947, Maku xhiron së bashku me kineaste çekë, jugosllavë, rusë, e më pas edhe i pavarur, disa kinoditarë kryesisht me tematikë politike e propagandistike. Viti 1947 shënon për Makun hapjen e ekspozitës vetjake fotografike në Moskë (Rusi), që përbën të parën ekspozitë të këtij lloji jashtë vendit. Në atë kohë, ai studionte për kinooperator si forcë artistike-krijuese e ardhshme për kinostudion që po ndërtohej në Tiranë. Po në atë vit, ai martohet në Moskë me rusen Rozalia Kazakova, e cila ishte bashkautore e fjalorit të parë shqip-rusisht. Nga martesa sollën në jetë një vajzë. Po sipas Vrionit, në vitet 1954-1960, Maku xhiron rreth 15 filma dokumentarë dhe punon si operator (drejtor fotografie) në filmin me metrazh të shkurtër “Qeshim me veten tonë”, me skenar të Dionis Bubanit, e më pas i filmit të parë artistik shqiptar me metrazh të plotë, “Tana”, 1957. Në vitin 1960 përjashtohet nga kinostudioja “Shqipëria e Re”, arrestohet nga Sigurimi i Shtetit dhe dënohet për politikë me 20 vjet burgim, për “agjitacion e propagandë” dhe për “bashkëpunim me një spiune polake, e cila i sjell një letër nga e bija në Bashkimin Sovjetik”. Në atë kohë, Koçi nuk do të ishte ndër të vetmit që e pësuan për shkak të martesave me gra ruse. Pas kryerjes së dënimit del nga burgu, në vitin 1980. Vitet e fundit të jetës, kineasti dhe fotografi i talentuar i kaloi në vetmi, në një azil pleqsh. Më tej, emrin e operatorit të parë shqiptar do ta pllakoste harrimi, për t’u ringjallur sërish herë pas here në ndonjë përvjetor, a ndonjë libër mbi fotografinë apo kinemanë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura