Kujtimet e Mehmet Shehut: Si u vra komandanti i batalionit, e varrosëm afër përroit

Apr 28, 2018 | 13:19
SHPËRNDAJE

Copëza kujtimesh nga jeta e Brigadës së Parë Sulmuese të shkruara nga Komandanti i saj në prag të çlirimit të Tiranës dhe gjithë vendit. Betejat më të spikatura dhe marshimi heroik për të shpëtuar Shtabin e Përgjithshëm. Përleshjet me ballistë e gjermanë, të cilat rrëzojnë trillimet e humbësve të asaj lufte…  Si u asgjësuan librat e Mehmet Shehut pas dhjetorit 1981.

mehmet-shehu-enver1-780x439

Pse po i botojmë këto kujtime

Është një fshat i vogël në shpatin juglindor të malit të Dajtit që quhet Selbë. Aty u vendos shtabi i Divizionit partizan në tetor të vitit 1944, i cili ishte ngarkuar me misionin e çlirimit të kryeqytetit. Këto kujtime të Mehmet Shehut, janë shkruar pikërisht aty, në Selbë dhe janë nxjerrë nga “Disa kujtime nga jeta e Brigadës së Parë Sulmuese”, të shkruara nga autori në tetor 1944 dhe të botuara për herë të parë më 1945 në një broshurë më vete nga seksioni i shtypit dhe i propagandës të UNÇSH. Ishin pikërisht ditët në prag të çlirimit të Tiranës. Mehmet Shehu kishte marrë urdhrin nga Enver Hoxha për të ndërmarrë mësymjen përfundimtare për çlirimin e kryeqytetit. Brigada e Parë që ai komandonte ishte instaluar në një fshat të vogël që quhet Selbë matanë Priskës, në shpatet e malit të Dajtit. Mehmet Shehu, në kohën që përgatitej për sulmin mbi Tiranë, shkruante kujtimet nga jeta e Brigadës së Parë Sulmuese, të cilat i botoi si libër më vete menjëherë pas çlirimit, kur ende nuk ishte larguar era e barutit dhe tymi i gërmadhave që kishte lënë lufta. I quajti me modesti “Copëza kujtimesh…”, kur në të vërtetë janë kujtime në dorë të parë nga njeriu që udhëhoqi Brigadën e Parë partizane dhe shkroi atë histori që tashmë dihet. Janë kujtime që nuk kanë nevojë për koment pasi janë të përjetuara nga ish-partizanët e asaj brigade, por që janë ndaluar prej afro dyzet vjetësh për shkak të autorit të tyre që u shpall papritmas “armik i partisë”…

Afro 40 vjet më vonë këto kujtime u përfshinë në vëllimin e veprave të zgjedhurat këtij autori, kolanë që nuk e kaloi numrin 1 për shkak të eliminimit fizik të ish-Kryeministrit. Dhe bashkë me autorin, u zhdukën dhe librat e kujtimet e tij.

Unë nuk e asgjësova librin, pavarësisht rrezikut që ekzistonte për të ruajtur librin e një “armiku”. (Ashtu sikurse nuk asgjësova edhe veprat e Enverit në vitin 1991). Ky botim ekskluziv në DITA mbështetet në këtë vepër të Mehmetit. Duhet të theksojmë se pas afro katër dekadash nga lufta, janë bërë korrigjime dhe shtesa,madje ka dhe gjëra që tingëllojnë të pabesueshme që lehtësisht duket se janë shtuar më pas nga ata që janë marrë me botimin e librit ose nga vetë Mehmeti. Për shembull, tingëllon e pavërtetë kur në një moment që partizanët e Brigadës së Parë ndodheshin të rrethuar dhe të uritur, duke ngrirë nga të ftohtët, Komandant Mehmeti u ka mbajtur një fjalim për të ngritur moralin e tyre duke u kujtuar se “Lenini i madh ka thënë se s’ka problem pa një zgjidhje. Partia na mëson se s’ka rrethim pa një të dalë për trimat…” Gjithsesi, kjo nuk e ndryshon thelbin e këtyre kujtimeve dhe heroizmin e asaj brigade në luftë. Në fund të fundit kështu bënte dhe Enveri gjatë ribotimit të veprave të tij, të cilat i korrigjonte dhe retushonte, shtonte dhe hiqte nga varianti fillestar, me qëllim përmirësimin dhe përforcimin e ideve komuniste. Në të vërtetë, shpesh këto korrigjime i kanë dëmtuar veprat dhe besueshmërinë.

Gjithsesi, në këto kujtime të Mehmetit që për herë të parë botohen në shtyp, përshkruhen disa episode nga lufta dhe sakrificat e Brigadës së Parë. Këto kujtime përputhen me ato që kanë shkruar edhe ish-partizanë të asaj Brigade.

Pranë Shtabit të Divizionit sulmues partizan në prag dhe gjatë luftës për çlirimin e kryeqytetit ishin atashuar edhe misionarë të lartë anglezë dhe amerikanë. Ata informoheshin zyrtarisht dhe rregullisht nga Mehmet Shehu lidhur me sulmin dhe perspektivën e tij, nga do të fillonte goditja dhe si do të përfundonte beteja më e rëndësishme e gjithë luftës antifashiste.

Gazetari dhe shkrimtari i njohur amerikan Peter Lucas, i cili ka shkruar një libër interesant me titullin “Misioni amerikan në Shqipëri”, duke përshkruar situatën në prag të luftës për çlirimin e Tiranës, sjel këtë episod domethënës:

“Gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre, në pritje të ofensivës partizane, ndërtuan pozicione mbrojtëse në ndërtesat qeveritare dhe mbi çatira. Ata zaptuan hotelet, shtëpitë, dyqanet dhe parqet. Sipas Shehut, gjermanët gjithashtu kishin ndërtuar pozicione luftarake në spitalet e qytetit, në shkolla, në xhami, në kisha, në banka, në kinema, si dhe në ndërtesën e boshatisur të legatës amerikane. Gjermanët minuan rrugët që të çojnë në qendër të qytetit si dhe rrugët përreth ndërtesave. Ata sajuan pengesa dhe pika të forta nëpër rrugica dhe vendosën artileri nëpër kryqëzime në mënyrë të kalibruar. Tanke italiane dhe njësi gjermane patrullonin perimetrin e qytetit.

Anglezët donin që Shehu të sulmonte menjëherë, por Gjenerali kishte të tjera plane. Shehu, në librin e tij përshkruan një takim idhnak që pati më 18 tetor me tre oficerë anglezë të SOE-s në shtabin e tij. Tre oficerët, majorët Viktor Smith, M.J. Thornton dhe kapitenin J.F.P. Oliver, këmbëngulnin që Shehu të niste sulmin menjëherë. Shehu nuk pranoi. Ai u tha oficerëve anglezë se do të sulmonte kur të ishte gati dhe jo më përpara. Shehu thotë se oficerët ngritën tonin dhe akuzuan partizanët për frikë ndaj gjermanëve. Jo vetëm për të hedhur poshtë ato fjalë, Shehu ua ktheu: “E dinë gjermanët nëse partizanët kanë frikë apo jo, dhe jo ju. Ju jeni tani në Shqipëri, por këtu janë partizanët dhe populli shqiptar që komandon, jo oficerët anglezë. Kur dhe ku do të sulmojmë është puna jonë, jo e juaja”.

Dihet si filloi dhe mbaroi ajo luftë.

Por le t’u kthehemi kujtimeve të Mehmet Shehut për Brigadën e Parë…

 

Selbë, 10-14 tetor 1944

  1. SYMIZË

Nëntëmbëdhjetë nëntor 1943. Jemi në Mallakastër. Brigada ka luftuar për pesë ditë e pesë net rresht kundër qindra gjermanëve dhe ballistëve në të gjitha viset e Mallakastrës. Shiu ka qenë i parreshtur për nëntë ditë e nëntë net e kudo balta argjilore e Mallakastrës të pengon lëvizjen. Rrëketë e përrenjtë kanë dalë, gurgullojnë e bien gurë me rrëmbim. Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati i tij e nuk duket asnjë pëllëmbë zall, është bërë i pakapërcyeshëm. Partizanët janë të lodhur e të këputur nga luftimet e gjata e shumë të vështira, të zhveshur e të zbathur. Brigada është grumbulluar në Çorrush të Mallakastrës për t’u çlodhur pak.

Armiku gjen rastin më të mirë për ta sulmuar Brigadën nga të gjitha anët. Në mëngjesin e nëntëmbëdhjetës, gjermanët ndodhen në Ballsh, me tanke dhe me autoblinda, me artileri e me forca të mëdha; ndonja një mijë ballistë, nën komandën e tradhtarëve Kadri Cakrani, Hamit Matjani, Isa Manastirliu e të tjerë, kanë mbërritur deri në Hekal; ndonja një mijë ballistë e të tjerë të përzier me gjermanë, të drejtuar nga tradhtarët Ali Këlcyra, Baba Qamil Gllava e të tjerë, vijnë nga Këlcyra e janë afruar në Qafën e Rabijes. Berati ka rënë në duart e gjermanëve e forcat armike kanë arritur në Qafë të Sinjës. Gjemia e Kalivaçit fundoset nga një kompani gjermanësh e ardhur apostafat nga Vlora. Brigada është rrethuar nga të gjitha anët. Nuk i mbetet veçse një shteg fare i vogël dhe jo i sigurt për të kaluar; mbetet vetëm lundra e vogël e Memaliajt, ku duhet të kalojnë qindra partizanë e ndo njëqind e ca kafshë me material të rëndë; bile duhet të kalojnë shpejt, sepse armiku po marshon nga të gjitha anët dhe Brigadën e kërcënon rreziku i sigurt. Në këto rrethana s’ka zgjidhje tjetër veçse të mundohemi të tërheqim Brigadën përtej Vjosës, përmes lundrës së Memaliajt. Për të bërë këtë, duhet një qëndresë e fortë nga Qafa e Rabijes dhe nga Fratari, me një pjesë të forcave, që t’i jepet kohë pjesës më të madhe të Brigadës të tërhiqet për në Memaliaj. Kështu, zëvendëskomandanti i Brigadës niset me një batalion për në Qafën e Rabijes, gjithë materiali i rëndë niset për në lundër dhe forcat e tjera të Brigadës mblidhen për një konferencë nën një ullishte në Çorrush.

Ishte ora katër pasdreke. Me shenjën e bilbilit, të gjithë partizanët grumbullohen. Të gjithë e dinë se Brigada është e rrethuar dhe se armiku po marshon nga të gjitha anët, por të gjithë shprehin vendosmërinë e tyre me fytyra serioze të ashpra, por gazmore, asnjë nuk i trembet rrezikut dhe kanë besim te udhëheqësit. Kjo mbledhje, në të vërtetë, nuk është një konferencë; të gjithë presin me gojë hapët se ç’do të flitet në atë mbledhje nga komandanti i Brigadës; ndodhet aty edhe Besniku (Hysni Kapoja) e përfaqësuesi i Shtabit të Përgjithshëm. Komandanti i Brigadës, mbasi bisedon pak në këmbë me këta, u afrohet partizanëve dhe u thotë:

– Shokë! Armiku mendon se Brigada e Parë është futur në një grackë nga e cila nuk mund të shpëtojë. Ai po na sulmon nga të gjitha anët: nga Rabija, nga Sinja, nga Greshica, nga Hekali. Për Brigadën e Parë s’duhet të ketë pengesë që ta ndalë. Çdo problem e ka një zgjidhje. Tash, më tepër se kurrë, kërkohet nga çdo partizan vendosmëri, guxim, shpejtësi, gjakftohtësi, bindje dhe besim në udhëheqjen. Me këto jo vetëm që do të dalim pa dëm, por edhe do ta dëmtojmë armikun. Është nevojë e domosdoshme të mbetet një praparojë e fortë me mua, për të penguar armikun e t’i japim kohë Brigadës të tërhiqet. Detyra e kësaj praparoje është me rëndësi të madhe për gjithë Brigadën. Kërkojmë tetëdhjetë vullnetarë nga e gjithë Brigada që të qëndrojnë si praparojë.

Pa mbaruar mirë këto fjalë, një zë nga mesi i turmës bërtet:

– Të gjithë jemi vullnetarë!

Është zëri i shokut trim Gjok Doçi, komandant i batalionit të katërt. E zëri i tij përzihet me zërin e të gjithë partizanëve që bërtasin:

– Të gjithë, të gjithë!

Menjëherë, papritmas e pa asnjë urdhër, borizani i batalionit të dytë i bie bories “ta-ti ta-ti ta-ti” në shenjë alarmi e të gjithë partizanët ngrihen në këmbë, gati të gjithë për të qëndruar si praparojë. Është një skenë që të prek dhe madhështore… Të gjithë fillojnë të këndojnë këngë revolucionare; e në atë zhurmë entuziazmi që zor të kontrollohet, del Gjok Doçi mënjanë e bërtet:

– I gjithë batalioni i katërt me mua vullnetar për të shkuar sonte në sulm!

Jo vetëm batalioni i katërt, por e gjithë Brigada hidhet pas tij. Por e gjithë Brigada s’mund të mbetej praparojë. Kështu detyrohemi t’i caktojmë një nga një ata që duhet të qëndrojnë. Me shumë zor e shkëputim shumicën e Brigadës nga praparoja. Të tetëdhjetë partizanët që mbetën janë nga të çdo batalioni dhe organizohen në tre grupe të rastit, njërin prej të cilëve e komandon komunisti Gjok Doçi.

Nëpër mugullirën e darkës, Brigada merr rrugën e tërheqjes për në Kalivaç dhe praparoja ngjitet brinjave shtufishte të Çorrushit në drejtim të armikut.

Nata është e errët pa hënë. Fillon një shi i rrëmbyer. Ngjitemi, duke u mbajtur njëri pas tjetrit e, pas një ore udhëtimi, hyjmë në shkollë dhe në teqe. Aty qëndrojmë deri në mes të natës e pastaj nisemi për në Fratar. Shiu vazhdon të bjerë.

Gjoka ecën kurdoherë në krye të kolonës. Në krah mban një automatik italian, disa karikatorë me fishekë dhe katër granata angleze. Nuk është i veshur më mirë se të tjerët. Është djalë i ri, 21 vjeç. Ka mbetur jetim që në vogëli. Nëna e tij ka vdekur, por i ka lënë një vëlla të vogël në Lurë, ndërsa njerëzit e tjerë të familjes i kanë vdekur më përpara. Ka mbaruar shkollën fillore në strehën vorfnore, pastaj Shkollën Teknike në Shkodër. Me ardhjen e fashizmit italian shquhet për aktivitetin e tij si antifashist dhe del ilegal në rrethet e Elbasanit. Është një nga organizatorët e parë të Çetës së Dumresë. Me formimin e Brigadës së Parë hyn në Brigadë dhe, për cilësitë e tij të mira e për aftësinë ushtarake, caktohet nënkomandant i batalionit të katërt. Është shquar në të gjitha luftimet e Brigadës e për meritat e tij emërohet komandant i batalionit të katërt pas luftimeve të Mallakastrës. Ka vetëm gjashtë ditë që është komandant i batalionit. Është i shoqërueshëm, i sjellshëm, gojëmbël, lakonik në shprehje, megjithëqë i mbahet pak goja, guximtar i rrallë, i butë me popullin, i ashpër në luftë, i pamëshirshëm për armikun, i palodhur, komunist i vendosur.

Shiu na ka lagur, na ka bërë qull e balta është gjer në gju. Dymbëdhjetë partizanë kanë mbetur fare zbathur. Kolona vazhdon nëpër terrin e natës pa zë; vetëm dëgjohen të lehurat e qenve që ndiejnë dhe këmbët që luftojnë me baltën.

+++

Porsa fillon të agojë dita e njëzet nëntorit, gjendemi në Symizë. Çlodhemi pak dhe vëzhgojmë për armikun. Një mitraloz ndihet nga ana e majtë; janë ballistët që kanë ardhur deri në KIos. Pak më vonë, një kolonë njerëzish, të veshur me uniformë, duken duke u varur poshtë nga Vidhi i Greshicës: janë gjermanët. Këshillohemi me Karadakun (nënkomandanti i batalionit të parë) dhe me Gjokën e Sazanin (Idriz Seitin), parashikojmë lëvizjen e armikut dhe bëjmë planin ta futim atë në një grackë të mirë. Sazani niset me njëzet partizanë për në Kapaj, e ne qëndrojmë të gjithë të rreshtuar pas kodrave të Symizës në të dy anët e xhadesë. Përpara nesh është një grykë e rrezikshme nëpër të cilën kalon xhadeja. Mendimi ynë është t’i mbajmë të fshehta forcat dhe ta lëmë armikun të futet në grykën e Povlës e, kur të afrohet te lëndinat e Symizës, ta kundërsulmojmë frontalisht dhe anash në befasi, e, në të njëjtën kohë forcat tona në Kapaj t’i marrin krahët nga përroi i Povlës.

Është me të vërtetë një grackë e rrezikshme për armikun.

Sazani ka mbërritur në Kapaj. Është ora 12 e ditës e armiku s’po duket nga Ura e Povlës; ka zbritur gjer afër teqesë së Greshicës dhe po vëzhgon me dylbi për të zbuluar forcat partizane. Gjoka nuk mund të rrijë në pozicione dhe propozon të niset me gjysmën e partizanëve në drejtim të armikut për ta sulmuar atje ku është. Por, ndërsa po bisedojmë rreth mendimit të Gjokës, kolona gjermane duket përtej Povlës, në xhade, duke u ulur poshtë në drejtimin tonë. Janë 120 gjermanë me katër mushka dhe me katër ballistë përpara që dallohen nga qylafet e bardha. Tash na erdhi gjahu në shteg; pas pak e gjithë kompania e gjermanëve do të futet në kllapën që i kemi përgatitur. Gjoka s’rri në një vend, por vërtitet andej-këtej për të përgatitur shokët për sulm.

Është ora tre pasdreke. Gjermanët, duke mbajtur largësinë, ecin më një kolonë të vetme, zbresin deri afër udhës së Povlës, pastaj kthehen majtas, ulen në përrua dhe dalin përmbi mulli. Atje qëndrojnë pak dhe, pasi vendosin një mitraloz për mbrojtjen e krahëve të tyre, vazhdojnë rrugën nga e djathta e përroit të Fratarit, nëpër lëndinat e Kapajt. E lënë xhadenë, sepse kanë dyshim se mos goditen në Symizë dhe duan të na marrin krahët që nga mëhallët e sipërme të Fratarit. Ndoshta na kanë diktuar në Symizë, por me siguri nuk i dinë forcat tona në Kapaj. Gjermanët, aty nga ora katër, ndalojnë pranë një stani në faqe të një kodre. Janë të shkujdesur, pa asnjë patrullë vëzhguese, të gjithë grumbull e pa asnjë sigurim. Është çasti më i mirë për t’i sulmuar.

I pari Gjoka merr skuadrat e tij e niset në formacion luftimi t’u marrë krahët që poshtë nga përroi. Pas tij nisemi edhe ne për të sulmuar frontalisht. Shokët tanë në Kapaj ndodhen përmbi kokë të gjermanëve në pozicione të padukshme nga armiku. Përparojmë në këtë mënyrë pa u diktuar dhe, kur afrohemi 200 m., hapim zjarr mbi ta. Gjoka shkëputet me një skuadër, kalon përruan nga e majta ime dhe u mbyll gjermanëve të vetmin shteg prej nga mund të tërhiqen. Zjarri ynë i përqendruar bën kërdinë mbi armikun dhe nuk i jep rast që të përgjigjet me zjarr.

Me shenjën e parë të bories, të gjithë turremi përpara për t’i sulmuar gjermanët me bomba dore. Gjoka me skuadrën e tij u afrohet më tepër nga të tjerët dhe fillon t’i sulmojë i pari me bomba dore. Kur shohin gjermanët se janë të rrethuar nga të gjitha anët, të çorganizuar, sulmojnë për të çarë rrethimin. Mitralozi gjerman, që ndodhet nga e majta jonë, jashtë rrethimit, qeth pa mëshirë shkarpa e bar, godit pas shpinës skuadrën e Gjokës.

Tri herë orvaten gjermanët që të shpëtojnë, por të tri herët detyrohen të mbeten në tokë të hapët nën mëshirën e plumbave dhe të bombave tona. Pasi afrohemi shumë dhe fillojmë sulmin me bomba dore, një oficer gjerman me nja pesë ushtarë kundërsulmon drejt Gjokës. Gjoka i përgjigjet me automatik dhe i hidhet përpara për ta kapur me dorë. Mirëpo oficeri gjerman, i ndihmuar nga ushtarët e tij, i vërvit nja dhjetë bomba dore Gjokës e, në këtë rast, vritet partizani trim Dane Rromësi dhe një partizan tjetër nga Gjormi. Gjoka mbetet vetëm, sepse shokët e tij, pak më tej, po përleshen me disa gjermanë. I mbarohen bombat. Vazhdon të shtjerë me automatik, por në një çast kritik i ngec automatiku dhe oficeri gjerman përfiton t’i hedhë një bombë tjetër që e godit në trup Gjokën. Me automatik në dorë Gjoka mbetet i vrarë.

Në këtë kohë të gjithë përleshemi me gjermanët. Nuk dimë gjë për vrasjen e Gjokës. I shfarosëm të gjithë gjermanët dhe të gjithë mbetën të vrarë, përveç një oficeri dhe katërmbëdhjetë ushtarëve, disa prej të cilëve, të plagosur, mundën të shpëtojnë. Kur po kontrollojmë gjermanët e vrarë, lajmi i vrasjes së Gjokës na bie si bombë. Shkojmë dhe e gjejmë të vrarë, në mes të gjakut të tij, të dy partizanëve dhe të katër gjermanëve një metër afër tij.

Vërtet se kompania gjermane asgjësohet, lë rreth 100 të vrarë, mitraloza, mortaja dhe të gjithë materialin në duart tona, por humbja e Gjokës është e madhe dhe e ndjeshme për Brigadën. Është i pari komandant batalioni që vritet. E marrim në krahë dhe, bashkë me dy shokë të tjerë të vrarë, e varrosim në qoshen e një are, afër përroit. Armiku fillon të rrahë me artileri që nga Greshica. Përfitojmë nga nata dhe tërhiqemi për në Fratar. Praparoja jonë e mbaroi detyrën. Gjermanët hëngrën një grusht shumë të fortë. Gjaku i Gjokës e i dy partizanëve të tjerë shpëtoi Brigadën dhe i dha kohë të tërhiqet, pa asnjë dëm, nga rrethimi i armikut.

Natën grumbullohemi në Zotaj e prej andej marshojmë drejt shumicës së Brigadës. Gjermanët dhe ballistët mbetën në pozicionet e tyre për pesë ditë pa luajtur, se kanë frikë mos u ndodhë edhe një herë tjetër siç u ndodhi në lëndinat e Kapajt.

Përgatiti për botim: Xhevdet Shehu/ DITA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura