Kujtim Çashku: I kuptoj nostalgjikët, por Tirana ka nevojë për dinamikë

Mar 14, 2018 | 14:57
SHPËRNDAJE

Më shumë kujdes për infrastrukturën e brendshme, më shumë gjelbërim dhe ato kullat nga pas (edhe pse nuk e thotë shprehimisht kështu) të mos i zënë frymën godinës së re.

Ky është mendimi i regjisorit Kujtim Çashku, i cili ishte i pranishëm gjatë prezantimit të projektit për godinën e re të TK-së.

Kujtim Çashku

“Më pëlqen zgjidhja, mënyra se si sillet një formë e re, që e afrojnë me teatrot modernë. Respektohen pjerrësitë, gati-gati si të teatrove antike dhe më duket me interes që krijon një lloj dinamike në jetën e qytetit. Ndoshta duke e parë në kompleks gjërash që ndodhin rreth e rrotull, është një godinë që mund të marrë kuptim e mirë- filltë në një kohë tjetër, por jo tani”, shprehet Çashku. Ashtu si dhe shumë të pranishëm, meraku i tij është tek infrastruktura skenike.

“Ajo që më shqetëson ka të bëjë me infrastrukturën e brendshme dhe do të doja që specialistët të ndaleshin aty. Skena është hapësira më e madhe. Duhet të kalkulohet jo sa sipërfaqe fitojmë për audiencën, por brenda skenës.

Sot, skenat kanë një koncept tjetër, janë futur elemente që e afrojnë me kinematografinë. Për këtë, specialistët dhe artistët duhet të debatojnë më shumë. Më shqetëson hapësira e gjelbër. Duhet menduar që të ketë më tepër gjelbërim se beton. Dhe pjesa pas teatrit të mos ketë aq gravitet sa që ta shtypë gjetjen e bukur të godinës së teatrit”, thotë regjisori, duke nënkuptuar me këtë të fundit ndërtimet që parashikohet të bëhen pas godinës së TK-së. Sa u takon protestave kundër prishjes së godinës së vjetër, Çashku thotë se “unë i kuptoj nostalgjitë, edhe rezistencat që janë bërë. Ne jemi nostalgjikë edhe për Lanën, Urën e Tabakëve, por tash Tirana është 1 milion banorë dhe duhet futur në një dinamikë tjetër, me rrugë të gjera. Ne vuajmë akoma nga mosperceptimi i objektit dhe hapësirës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura