Kujtesa mbi komunizmin sot, përmes projekteve muzeale

May 13, 2018 | 11:55
SHPËRNDAJE

ENRIKETA PAPA*

Kujtesa historike karakter izohet nga ndryshimi i vazhdueshëm i kontekstit historik. Ndryshime ndodhin në shoqëri, në politikë në mënyrën e jetesës, mentalitet dhe kjo shkakton nevojën e njerëzve për të zbuluar të kaluarën. Konstruktimi historik apo lidhjet/vendet e kujtesës nga ana tjetër janë të bazuara mbi faktet historike dhe rekonstruimin njerëzor.

ENRIKETA PAPA

Pra, studimi i historisë apo i lidhjeve me vendet e kujtesës nuk është vetëm studimi i realitetit, por më shumë studim i realitetit të rikonstruktuar dhe bashkë me të dhe i asaj, se pse njerëzit rikrijojnë realitetin në mënyra të ndryshme. Riinterpretimi konstant i historisë sipas periudhave të ndryshme historike, ku disa heronj të një periudhe ktheheshin në armiq të një tjetre, apo e kundërta, të gjitha këto interpretime të vazhdueshme të historisë shqiptare mund të kthehen edhe në eksperienca tronditëse për dikë që ka qenë gjallë dhe i ka përjetuar gjatë këto periudha të ndryshme historike.

Gjë që mund të shkaktojë edhe një mpirje/ngrirje të disa njerëzve përkundrejt interpretimeve të historisë. Nga ana tjetër, ky reflektim historik i kujtesës mbi të kaluarën është gjithashtu një burim i mirë i të kuptuarit të asaj që çfarë mendojnë njerëzit në të tashmen, mbi të kaluarën e dhimbshme të komunizmit.

Megjithëse kujtesa sot është zëvendësuar nga historia pjesërisht e rikonstruktuar e komunizmit, vendet historike ende ngjallin një ndjesi mbi të kaluarën. Pavarësisht se korniza e vjetër e studimeve, që kërkon rikonstruktimin e një narrative të vetme të shtetit nuk vepron aq fuqishëm, ajo kornizë prapë në një farë mënyre është efektive dhe ndikon fuqishëm në perceptimin kolektiv mbi të kaluarën komuniste. Kështu, muzetë, monumentet mbi komunizmin, na tregojnë kontrastin midis së shkuarës që ato ekspozojnë dhe të shoqërisë së tashme.

Kujtesa përmes muzeve kthehet në një përpjekje për të ekspozuar të kaluarën komuniste në formën e një relikeje, narrative muzeale apo monumentesh me qëllimin, që rikujtojnë të kaluarën, që të mos fshihet nga kujtesa jonë kolektive. Nevoja për kujtesë, në formën e asaj kolektive në fakt, është një nevojë për histori, për një rikonstruktim të ndërgjegjshëm të së kaluarës.

Njerëzit tentojnë të komunikojnë përmes kujtesës kolektive dhe kjo kujtesë e komunitetit, bazohet në tekste, në ceremoni, imazhe, arkitekturë dhe monumente, të hartuara për të kujtuar ngjarje të rëndësishme për këtë grup. Të gjitha këto të ashtuquajtura “makineri të memories”, kryesisht sanksionohen nga instancat shtetërore, qeveria apo nga vetë komuniteti i qytetarëve.

Kujtesa ofron kështu një narrativë publike të ngjarjeve historike. Këto narrativa historike plotësojnë nevojat për një histori të përbashkët, për një identitet komunitar dhe janë pjesë të rëndësishme në jetët e njerëzve dhe komuniteteve. Kujtesat kulturore në formën e muzeve, monumenteve, filmave apo memorialëve të tjera, ofrojnë mundësinë e transformimit të mënyrës sesi e kaluara dhe e tashmja janë konceptualizuar.

Po ashtu, kujtesa kolektive ushqen, edukon, nxit dhe përcakton identitetet e grupit, duke iu treguar njerëzve se nga vijnë, kush janë dhe si duhet të veprojnë në të tashmen dhe në të ardhmen. Për periudhën e komunizmit, sot janë ngritur disa muze private dhe publike në Tiranë e gjetkë, të cilat tentojnë të ekspozojnë këtë periudhë historike përmes eksponateve të ekspozuara brenda tyre. Po ashtu, ka projekte për të ndërhyrë në vende të kujtesës së dhunës komuniste, si në Burgun e Spaçit, Kampin e punës së detyruar të Tepelenës, në burgun e Gjirokastrës apo janë vendosur dhe disa pllaka përkujtimore të terrorit komunist, edhe janë ngritur e disa monumente për të përkujtuar po terrorin dhe viktimat e komunizmit shqiptar.

Duhet të kemi parasysh se kujtesa kolektive dhe ceremonitë, apo pllakat përkujtimore që përkujtojnë ngjarjet historike, duket sikur paraqesin versionet zyrtare dhe të pranuara të historisë së përbashkët. Megjithatë, kundërshtitë mbi faktin sesi duhet përkujtuar e kaluara – si mbi faktin sesi kanë ndodhur ngjarjet, apo ç’lloj ngjarjesh duhen treguar – janë një fenomen universal. Shpesh, historitë e “fitimtarëve” tregohen për dekada me radhë dhe kryesisht kanë mbështetjen e njerëzve që janë në pushtet. Por politikanët apo njerëzit me pushtet mund të manipulojnë kujtesat, duke kushtëzuar rrëfimin e një lloj historie, duke i nxitur njerëzit të mendojnë në një mënyrë të caktuar dhe grupe të fuqishme mund të reklamojnë ato versione mbi ngjarjet që iu vinë për shtat apo pasqyrojnë nevojat e tyre.

Po ashtu, lidhjet apo vendet e kujtesës ndryshojnë me kalimin e kohës për t’iu përshtatur edhe kohës dhe tentojnë të riformojnë kujtesat e njerëzve mbi të kaluarën. Të njëjtën gjë bëjnë dhe muzetë dhe ato makineri të kujtesës që na rikonstruktojnë të ardhmen. Por, nëse për këtë rikonstruim nuk ka një përpjekje për të bashkëvepruar dhe bashkërenduar idetë, projektet dhe nismat për të ndërtuar të kaluarën objektive të komunizmit në Shqipëri, kam frikë se do të dështojmë, siç kemi bërë në këto 27 vjet rrumpallë-demokraci.

Vendet e kujtesës, sidomos Burgu i Spaçit, Kampi i Tepelenës, burgu i kalasë së Gjirokastrës apo burgu famëkeq i Shkodrës, duhen së pari shpallur zona a parqe të trashëgimisë kulturore dhe asaj historike, në mënyrë që të mbrohen nga çdo lloj ndërhyrje mbi to. Projektet që janë hartuar duhen peshuar mirë dhe diskutura midis specialistëve dhe institucione shtetërore përgjegjëse për të investuar seriozisht në mbrojtjen dhe zhvillimin e tyre.

Kështu, një seri ministrish, si e Kulturës, Arsimit, Turizmit, Ekonomisë, ekspertë nga universitete, qendra studimore historike, arkitekture dhe inxhinjerike duhet të ftohen në bashkëbisedim dhe rrahje mendimesh sesi mund të arrihet në një plan kombëtar për të ruajtur dhe kthyer në vende kujtesë ato vende që i kanë mbijetuar kaosit dhe rrënimit në këto dekada.

Pa arrirë në dizenjimin e një projekti pune kombëtar, të gjitha iniciativat e ardhur nga aktorë sekondarë, të shoqërisë civile apo investitorësh privatë do të shkatërrojnë vendet e kujtesës, pasi, sado të përpiqen u mungojnë ekspertizat dhe milionat e fondeve që mund të investohen vetëm nga shteti në bashkëpunim me organizma ndërkombëtare, që investojnë për trashëgiminë kulturore, por dhe atë historike, siç janë ish-burgjet komuniste dhe ish-kampet e punës së detyruar.

Studiuesit e kujtesës i japin një rëndësi të veçantë edhe ambientit social ku zhvillohet kujtesa dhe analizojnë sesi historitë individuale mbi të kaluarën bashkëveprojnë me narrativat ekzistuese dhe forma të tjera të përkujtimit. Ndaj, kujtesa bëhet objekt studimi, sidomos kur ndodhin ndryshime të mëdha që ndërpresin rrjedhën ekzistuese të ngjarjeve (komunizmi, tranzicioni).

Duhet pasur kujdes në iniciativat për të përkujtuar të kaluarën, pasi kur vendet e kujtesës (lieux de memoire) tjetërsohen përmes rikonstruimve të ndryshme, qoftë të formës së narratives, por dhe ndërhyrjeve fizike në to, mund të rrezikojmë të “zbulojmë një version historik të komunizmit që nuk i korrespondon më të kaluarës reale, pasi ambienti (milieux de memoire), në të cilin kujtesa është një pjesë reale e eksperiencave të përditshme, ka ndryshuar.

*Pedagoge, Universiteti i Tiranës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura