Kujtesa e Botës/ Procesi i Aushvicit në regjistrin e UNESCO-s

Jun 11, 2016 | 9:15
SHPËRNDAJE

Regjistrimet zanore dhe dosjet e gjyqit për Aushvicin në vitin 1963 janë në prag të pranimit në regjistrin e UNESCO-s, “Kujtesa e Botës” . Teknologjia e informacionit i bën dokumentet të aksesueshme në mbarë botën.

1

Rreth 8.000 anëtarë të SS-ve dhe 200 roje ishin në shërbim në kampin e përqëndrimit në Aushvic. Vetëm 22 prej tyre u akuzuan për të ashtuquajturin procesi i Frankfurtit për Aushvicin në vitin 1963. Ata nuk u akuzuan vetëm për vrasje individësh, por mbi të gjitha se kishin ndjekur “urdhërat kriminale të qeverisë gjermane” dhe ishin përfshirë në krime masive. Gjyqi zgjati 20 muaj. Rreth 300 dëshmitarë dëshmuan, ndër ta dhe rreth 200 të mbijetuar nga Aushvici. Në fund procesit si vrasës u dënuan me burgim të përjetshëm vetëm gjashtë vetë. Tre të pandehur u liruan për mungesë provash.

Një proces që nuk mund të harrohet kurrë

Megjithatë proceset e Frankfurtit për Aushvicin konsiderohen si një pikë kthese në trajtimin e krimeve naziste. Prej tyre kanë mbetur 454 fashikuj me dokumente dhe 103 kaseta, që ruhen në Arkivin e Shtetit në Wiesbaden. Komisioni gjerman i UNESCO-s i ka nominuar tani këto shënime historike për regjistrin e UNESCO-s “Kujtesa e Botës” (“Memory of the World”)

Joachim-Felix Leonhard, Kryetar i Komisionit gjerman për programin e UNESCO-s “Kujtesa e Botës”, ka qenë madje si 16-vjeçar edhe vetë një ditë si vizitor në proces. “Këtë nuk mund ta harrosh,” thotë ai. “Unë i kam ende në vesh zërat e dëshmitarëve dhe fytyrat e tyre përpara syve”. Sipas tij shiritat me regjistrimet e procesit dhe dosjet e tij zënë një vend të lartë në listën e prioriteteve të tij personale për t’u përfshirë në dokumentet botërore të “Kujtesës së Botës” .

Regjistri i dokumenteve “Kujtesa e botës”

Ana Frank

Qëllimi i programit “Kujtesa e Botës” është “që të mbledhë dëshmi dhe dokumente me vlerë të jashtëzakonshme në arkivat, bibliotekat dhe muzeumet e botës dhe t’i bëjë ato përmes teknologjisë së informacionit të aksesueshme në mbarë botën.” Sipas Leonhard prirja është që gjithnjë e më shumë dokumente nga vende të ndryshme të plotësojnë njëri-tjetrin. Pra dokumentet që lidhen me gjykimin e Aushvicit, së bashku me ditarin e Ana Frankut, i cili është tashmë në regjistrin e UNESCO-s, përfaqësojnë një pjesë të enigmës në analizën e Holokaustit. DW

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura