Kujt t’i besoj?!

Dec 1, 2019 | 11:44
SHPËRNDAJE

RAIMONDA SHUNDI

Raimonda-Shundi-Dervishi

A pate dëmtime nga tërmeti? A u ndihmove ndopak? Ku t’i nisim të hollat? Një numër bankar, të lutem, dua të ndihmoj me kaq sa mundem, por s’di se ku të t’i çoj. Janë diskutimi i zakonshëm i këtyre ditëve të tmerrit shqiptar. Të dëmtuar që shohin në rrjetet sociale dyndje solidariteti, ndërsa ata kanë të sigurt asgjënë dhe qiellin e hapur.

Ku shkojnë dhe cilët i menaxhojnë këto prurje humanitare, që na çoroditën vëmendjen dhe ushqejnë hallexhinjtë me lugën bosh? Tabloja që po hasim, është e pamanipulueshme. Familje në panik, njerëz që lëvrijnë si milingonat kur sulmohen në qetësinë e tyre, rrotullnajë asgjëje diktuar nga frika dhe humbja e atij aseti të çmuar, që në të zakonshme as që vihet re çfarë vlere ka. Dua qetësinë time, të lutem! Ajo kthehet me doza të pakta për të mos e vënë re as ti, as unë, askush. Ashtu siç vjen edhe zbardhja e një dite të re, pavarësisht motit të mirë apo të keq.

Shqipëria po përballet realisht me atë çka flitej rëndom në të përditshmen e rutinës. Pangopësinë, papërgjegjshmërinë, shkatërrimin. Ndërtimet e pamenduara, të pastudiuara, të bëra sipas oreksit, nuk kaluan provën e natyrës. Kështu siç ndodh edhe me ne që vihemi në provë pas çdo sfide personale, si atë profesionale, edhe atë që i përket vetëm unit tonë, raporteve sociale, shoqërore, ndërpersonale. Gjithmonë ka një sprove që na shemb dhunshëm pas përplasjes së tërmetit të radhës.

Më pas, shohim gërmadhat tona ose të kundërshtarit. Sot po hasim atë çka unë në këto vite jo të pakta jete nuk kam mundur ta jetoj. Solidariteti. Ndihma ndaj të dëmtuarit dhe besueshmëria. Kujt t’i besoj besimin tim? Është rasti kur shqiptarët treguan vërtet se cilët janë për njëri-tjetrin, se sa e duan dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin, duke lënë në ekranet televizive njëshat që lavdërojnë veten për detyrat që nuk i kanë bërë me kohë. Më pas i vërsulen medias, e kërcënojnë sepse ndiejnë rrezikun e së vërtetës mbi ta.

Mos di lni më në ek rane! Bëni detyrën, për të cilën paguheni. Por, sot po shohim neveritshëm edhe “bamirësit” që fotografojnë vetën përpara pjatës së dhuruar hallexhiut sylotuar. Po shohim luftën-sfidë se cila pikë po grumbullon më shumë ndihma nga solidarët që i besuan pa e ditur se ku. Ky nuk është misioni i tyre. Ata kanë si objektiv vetëm publikimin, blicin, kamerën. Mjaft me spektakle. Ju lutem! Ai që ndihmohet, nuk harron kurrë dorën që e mbajti në fshehtësi e jo kur e bëni për protagonizmin tuaj. Halli do qetësi, jo zhurmë.

Sot nuk është dita juaj, por e Shqipërisë. Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve. Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. “Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë, jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari”, thotë Faik Konica

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura