Kujt i vlen ndarja e Kosovës, analistët flasin për propozimin e Thaçit: Politikë e Rusisë

Aug 6, 2018 | 14:40
SHPËRNDAJE

Zhvillimet e fundit në Ballkan dhe propozimet për korrigjimin e kufijve të artikuluara nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë ndezur debatet jo vetëm në rajon. Është periudha kur po diskutohet zgjidhja përfundimtare e një prej konflikteve më të zëshme në Ballkan, ai mes Kosovës dhe Serbisë.

Florian Bieber, profesor në Universitetin e Grazit
Florian Bieber, profesor në Universitetin e Grazit

Negociatat janë në fazën e fundit dhe në këtë fazë, Presidenti i Kosovës vendos të paraqesë një kërkesë të re: përfshirjen e territorit të Luginës së Preshevës në hartën e Kosovës. Kostoja e mëvonshme e këtij procesi mund të ishte një shkëmbim territori, një shkëmbim i hidhur që do ta dëmtonte Kosovën dhe rajonin.

BIRN-i ka pyetur shtatë ekspertë mbi marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë dhe idenë e shkëmbimit të territoreve. Të shtatë ata, serbë, shqiptarë apo perëndimorë, e kanë quajtur një gabim të madh shkëmbimin e territoreve.

Florian Bieber, profesor për Historinë dhe Politikat e Europës Juglindore në Universitetin Graz dhe koordinator i Grupit Këshilltar të Politikës së Europës për Ballkanin, mendon se të dyja palët janë të interesuara për një paqe të ftohtë. Sipas tij, zgjidhja përmes ndarjes së Kosovës do të sjellë konflikte dhe tensione të reja.

thacii

“Dyshoj se një marrëveshje do t’u jepte fund tensioneve dhe diskutimeve. Të dyja palët janë të interesuara për një paqe të ftohtë, jo një faqe të re në marrëdhënien mes tyre…Ndryshe nga qeveritë në Maqedoni dhe Greqi, ata nuk duken gati për partneritet dhe për të transformuar konfliktin. Ata janë të dy duke kërkuar të përfitojnë nga tensionet në të ardhmen. Në fund të fundit, konflikti është një shpërqendrim i përdorshëm edhe për audiencën vendëse, edhe drejt BE-së”.

Ndërsa Bojan Elek, studiues në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë tha se “Zgjidhja përfundimtare me shumë mundësi duhet të jetë një formë kompromisi që do t’i lërë të dyja palët barazisht të pakënaqura”. Sipas tij, “Shkëmbimi i territoreve do të ishte një zgjidhje e keqe dhe do të shtronte rrugën për demarkacione të tjera territoriale në rajon. Një shkëmbim apo ndarje do të përforconte qëndrimin nacionalist për të organizuar territoret sipas principit ‘populli im – toka ime’, që do të ishte një katastrofë për të gjithë rajonin”. Ai beson se kjo ndarje as nuk i shërben komunitetit serb në Kosovë.

“Nëse një ndarje do të thotë se Veriu i Kosovës do t’i përkiste Serbisë, kjo do të dobësonte më tej komunitetin serb në jug të lumit Ibër…” Analisti politik dhe opinionisti Agon Maliqi tha se shkëmbimi i territoreve ka qenë një opsion prej kohësh i preferuar nga qarqet nacionaliste dhe ato liberale në Serbi, që do të gjente konsensus atje me përjashtim të Kishës Ortodokse Serbe, e cila sapo është shprehur publikisht kundër ndarjes, pasi pjesa më madhe e trashëgimisë së saj ndodhet në jug të lumit Ibër.

“Kemi kaluar dhjetë vite të vështira, duke ndërtuar besimin mbi modelin aktual të shtetit. Vetëm tani populli po nis të pranojë flamurin e shtetit. Janë bërë shumë përpjekje për të integruar serbët në sistemin e shtetit…Do të ketë polarizim të thellë sepse ndarja automatikisht do ta çonte debatin se si të bashkohemi me Shqipërinë dhe çfarë do të thoshte kjo për vetëqeverisjen tonë…”.

Edward Joseph, zv.profesor në shkollën “Johns Hopkins” për studimet e avancuara ndërkombëtare, beson se “I gjithë nocioni se Vuçiç përballet me ‘zgjedhjen’ mes BE-së apo Rusisë është një shpërqendrim i promovuar nga vetë Vuçiç për të zbutur presionin e Perëndimit”. Sa për shkëmbimin e territorit, Joseph tha se “Ndarja e territorit është helmi i të gjithë Ballkanit. Nocioni se kufijtë janë të lakueshëm, se Republika Strpska e Bosnjës mund të ndahet nga Bosnja për shembull, apo pjesa kroate të pretendohej nga Kroacia…” Joseph e ka lidhur situatën me marrëveshjen Greqi-Maqedoni.

“Nëse marrëveshja Greqi- Maqedoni për emrin mbijeton, do ta zbuste ndarjen. Nëse emri hyn në fuqi, ndarja e Maqedonisë do të hiqej nga tryeza dhe vendi do të hynte në NATO, duke garantuar virtualisht se nuk do të ndahej, pavarësisht sesa të paqetë bëhen shqiptarët. Dhe kjo automatikisht e komplikon ndarjen e Kosovës, sepse e bën më të vështirë të ‘kompensosh’ shqiptarët për humbjen e tyre në Veri. Edhe e kundërta është e vërtetë, nëse nuk ka pakt emri, nëse merr përparësi ndarja e Kosovës, mund të kërkojnë ndarje edhe shqiptarët e Maqedonisë.. një hap i rrëmujshëm dhe i rrezikshëm që vetëm nxit më shumë pretendime”.

Lulzim Peci, drejtor i Institutit Kosovar për Zhvillim dhe Kërkime Politike, KIPRED, thotë se ideja e ndarjes së Kosovës është një histori e gjatë dhe serbët nuk kanë hequr kurrë dorë prej saj. “Opsioni i ndarjes së Kosovës është në përputhje me politikën që Rusia po bën me fqinjët e saj, duke u përpjekur të ndryshojë kufijtë në vija etnike… Serbia po luan rolin e një miniRusie në Ballkan”.

Peci tha se “Opsioni për ndarjen e Kosovës rrezikon seriozisht potencialin për zhvillim ekonomik, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e furnizimit me ujë nga liqeni i Gazivodës për një të tretën e Kosovës, si dhe për ftohjen e impianteve energjetike në Obiliq. Për më tepër, ky opsion është kundër interesave thelbësore të komunitetit serb në Kosovë, duke qenë se shumica e anëtarëve të saj (mbi 60 për qind) jetojnë në jug të lumit Ibër dhe shumica e kishave ortodokse serbe janë në pjesën qendrore e perëndimore të Kosovës… Në vend të zgjidhjes, mund të hapë një rrugë për në ferr për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe rajon…”

Gazetarja serbe Gordana Susa, beson se “shkëmbimi i territoreve neglizhon njerëzit dhe hap kutinë e Pandorës. Nëse dy palët nuk gjejnë marrëveshje, eksperienca ka treguar se një palë e tretë do të vendosë fatin tonë në kushte shumë të këqija”. Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit të Politikave të Demokratizimit, thotë se marrëveshja përfundimtare duhet të garantojë funksionimin institucional të shtetit të Kosovës dhe të ketë mbrojtje kundër çdo ndarjeje të mëvonshme të veriut të Kosovës.

Sa për idenë e ndarjes, Weber thotë se “edhe nëse Vuciç dhe Thaçi bien dakord për një marrëveshje të tillë të pistë, asnjë Kuvend në Kosovë nuk do ta aprovonte atë me dy të tretat. Të mos flasim për Perëndimin që sanksionin ‘zgjidhjet’ etnoterritoriale që mund të hapin kutinë e Pandorës në rajon dhe përtej, në Ukrainë për shembull”. Sipas Weber, kjo tregon se Beogradi nuk do t’ia dijë fare edhe për serbët e Kosovës siç nuk ka dashur t’ia dijë kurrë, pasi shumica e tyre jetojnë në jug të lumit Ibër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura