Kujt i shërben mini-Schengen ballkanik

Oct 10, 2019 | 11:42
SHPËRNDAJE

ZEF PREÇI zef-preci

Takimet multilaterale ndërmjet kryeministrave të vendeve ballkanike janë gjithnjë të mirëpritura dhe i shërbejnë ndërtimit të besimit reciprok midis vendeve përkatëse. I tillë mendoj se duhet të jetë edhe takimi që fillon nesër në Novi Sad, i iniciuar nga Presidenti Serb Vuçiç. Nisur nga informacioni që qarkullon rreth këtij takimi, nuk mund të mos konstatohen edhe disa probleme.

Së pari, nëse mikpritës është një kryetar shteti, përse dy vendet e tjera nuk përfaqësohen nga kryetarët përkatës të shtetit, por në vend të tyre po marrin pjesë kryeministrat? Së dyti, nuk është e qartë se përse nuk është ftuar Kosova të marrë pjesë në këtë takim? Çfarëdo anashkalimi i kryetarëve të shteteve pjesëmarrëse i jep një pozicion të favorizuar Presidentit Vuçiç dhe vendit të tij. Ndërsa përjashtimi pa shkak i Republikës së Kosovës dëmton rëndë edhe vetëpërpjekjen për afrimin e mëtejshëm ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe raportet institucionale midis qeverisë së Tiranës dhe asaj të Prishtinës. Së fundi, nisur nga publikimet rreth takimit të nesërm për “Marrëveshjen mini-Schengen”, posaçërisht rreth fokusit të dokumentit në fjalë – Lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave – mund të thuhet se nga pikëpamja e marrëdhënieve ndërkombëtare, kjo është arritur edhe pa nënshkrimin nesër të kësaj marrëveshjeje. Është problem tjetër shkalla e zbatimit të kuadrit ligjor dhe problemet e veçanta që lidhen me barrierat e ndryshme që aplikojnë vendet e ndryshme… Shkurt, nga marrëveshja e nesërme, më shume se zgjidhje, mund të priten probleme të reja në marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Tiranës, por jo ndonjë avancim në bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe në fushën e investimeve, sikurse shpresohet… Gjithsesi, nuk do të mungojë mbulimi i gjerë mediatik dhe propaganda e rastit, që gjithsesi mund të mbivendoset mbi skepticizmin e disa vendeve të rëndësishme rreth çeljes së negociatave për anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura