Kujdes/ Ndryshon sistemi i kasave fiskale, Financat: Si do funksionojnë

Aug 18, 2018 | 11:33
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Sistemi i funksionimit të kasave fiskale do të ndryshojë. Administrata Tatimore së shpejti do të instalojë një sistem të ri të kasave fiskale, i cili do të përcjellë online çdo faturë dhe kupon të lëshuar nga biznesi. Lajmin për ndryshimin e sistemit të kasave fiskale e njoftoi dje Ministria e Financave.

tatimet

Sistemi aktual i kasave fiskale, i instaluar në vitin 2010, transmeton në fund të ditës xhiron e biznesit, në momentin kur kasa fiskale mbyllet manualisht. Ministria e Financave theksoi se sistemi i ri do të transmetojë në kohë reale në serverin e Tatimeve çdo kupon të lëshuar, faturat që biznesi lëshon me biznesin dhe ato me konsumatorin.

Ministria e Financave shpjegoi se me instalimin e sistemit të ri u jepet zgjidhje mangësive aktuale për kasat fiskale. “Projekti i fiskalizimit synon krijimin e një sistemi online të mbikëqyrjes në kohë reale të pajisjeve fiskale, si për pagesat në cash për transaksionet biznes-konsumatorë, ashtu edhe për transaksionet biznes-biznes.

Sistemi i ri, ndryshe nga ai aktual i ndërtuar në vitin 2010, do të lidhet edhe me modulin aktual të menaxhimit të riskut në Tatime e më pas edhe në dogana, për të mundësuar një analizim më të thellë të përgjegjësive fiskale të subjekteve dhe transaksioneve individuale të bizneseve”, sqaruan Financat. Institucioni i Financave sqaroi se si do të funksionojë sistemi i ri.

“Është një sistem gjithëpërfshirës që mbulon transaksionet biznes-konsumator dhe biznesbiznes; Do të mundësojë monitorim më të mirë të të gjithë tatimpaguesve dhe auditimit të synuar, zvogëlimin e kostove administrative dhe rritjen e efikasitetit të Administratës Tatimore;

Do të mundësojë plotësimin automatik të formularëve, që tatimpaguesit duhet të dorëzojnë pranë autoriteteve tatimore (librat e shitjes dhe blerjes apo të paraplotësojë fusha të caktuara të deklaratës së TVSH. Në transaksionet biznes-biznes, do të jetë e mundur që blerësi të përcaktojë menjëherë nëse furnizuesi është me të vërtet një pagues tatimor i TVSHsë”, shpjegoi Ministria e Financave.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura