Dyshimet e policisë, kufoma e gjetur në Librazhd mund të jetë e këngëtarit të tallavasë Reni

Apr 29, 2015 | 11:28
SHPËRNDAJE

Renato Hamzai, i zhdukur prej një viti

Kufoma e gjetur në Babje të Librazhdit dyshohet se mund t’i përkasë këngëtarit tallava të zhdukur një vit më parë në Elbasan.

Ndonëse u dyshua paraprakisht nga eshtrat e gjetura të dielën se mund të jetë një femër, dje u ngrit një tjetër pistë. Renato Hamzai (Reni i Elbasanit), 21 vjeç, është larguar pa lënë gjurmë prej 7 prillit të vitit të shkuar, duke mos dhënë asnjë shenjë që nga ajo kohë. Këngëtari doli nga shtëpia një pasdite për të takuar një person, i cili siç treguan familjarët, do të diskutonte me të për të kënduar në një dasmë.

Që nga ajo kohë, Reni i Elbasanit nuk pati asnjë kontakt me familjarët. Me gjithë dyshimet për rrëmbim apo ndonjë ngjarje të rëndë, nuk pati asnjë shenjë. I riu këngëtar është personi i vetëm i moshës nga 18- 23 vjeç në qarkun e Elbasanit që rezulton i zhdukur kohët e fundit. Këtë e konfirmojnë dhe burimet e Policisë së qarkut, pas alarmit të gjetjes së kufomës së një njeriu buzë përroit në Babje të Librazhdit.

Mbetjet kockore të gjetura dy ditë më parë në lagjen “Qershizë” janë në duart të ekspertëve mjekoligjorë, prej të cilëve pritet identifikimi i viktimës. Policia zgjeroi dje rrethin e zonave ku është verifikuar për raste të zhdukjes së personave, por në të gjithë Elbasanin nuk rezulton ndonjë vajzë e larguar pa shenjë.

Nga ekspertiza e parë e kafkës së gjetur buzë përroit të Babjes u konkludua se ajo ishte deformuar nga një goditje vdekjeprurëse.

Burime të Policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se, “në qarkun e Elbasanit nuk rezulton deri më tani asnjë person i humbur me karakteristikat paraprake të kufomës. Po ashtu nuk është paraqitur asnjë denoncim nga ana e ndonjë familjari për të deklaruar ndonjë person të humbur”.

Mësohet se në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur edhe disa rroba të vjetra, të cilat nuk mund të përcaktohen nëse janë të seksit mashkull apo femër, pasi mendohet se kufoma ka pasur më shumë se një vit e hedhur në këtë vend. Për shkak të dëborës e shiut në këtë zonë, trupi ka qenë në gjendje të plotë dekompozimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura