Kufiri/ Shqipëria kontrakton kompani britanike për përballjen me Greqinë në Hagë. Meçollari: Rrezikohen sipërfaqe detare. Kujdes me…

May 26, 2022 | 10:30
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Shqipëria ka kontraktuar një kompani britanike për t’u përfaqësuar në Hagë përballë Greqisë lidhur me çështjen e kufirit detar.

Artur Meçollari

Kjo kompani ligjore drejtohet nga Cherie Blair, bashkëshortja e ish-Kryeministrit britanik, Toni Bler, i cili gjithashtu ka punuar si këshilltar i qeverisë “Rama”.

Bëhet fjalë për kompaninë londineze “Omnia Strategy”. Artur Meçollari, ish-anëtar i grupit negociator për kufirin detar, nuk e mohon një gjë të tillë, por ai thotë për gazetën “Panorama” se Shqipëria duhet të bëjë kujdes në Hagë dhe mos të lejojë referimin e vijës ndarëse bazë.

Sipas tij, nëse ndodh kjo, Shqipëria rrezikon të humbasë vijën e drejtë bazë, që do të thotë sipërfaqe detare e humbur.

“Ka pasur një marrëveshje për këtë dhe për mendimin tim Shqipëria nuk duhet ta lejojë sërish referimin e saj. Konkretisht, humbasin në sipërfaqe dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Ndaj, Shqipëria në këtë përballje nuk duhet ta lejojë një gjë të tillë. Një referim i tillë duhet të përjashtohet domosdoshmërish. Duhet bërë shumë kujdes”, tha Meçollari.

Rreth dy vjet më parë, Shqipëria dhe Greqia vendosën t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufirit detar mes dy vendeve në bazë të ekspertizës dhe të së drejtës ndërkombëtare të detit.

Mësohet se mes dy vendeve kanë nisur fazat përgatitore të bisedimeve që do të duhet të zhvillohen më pas për të arritur marrëveshjen mbi dokumentin që do të dërgohet para Gjykatës.

Këto bisedime duhet të zhvillohen pas dhënies së plotfuqisë nga ana e Presidentit, ndërsa marrëveshja sërish do të duhet të ratifikohet nga Parlamenti.

Z. Meçollari, jeni në dijeni që Shqipëria ka kontraktuar një kompani britanike për t’u përfaqësuar në Hagë përballë Greqisë lidhur me çështjen e kufirit detar?

Është një lajm që qarkullon prej disa javësh, por unë nuk kam dokumente. Nuk mund ta faktoj dot, nuk qëndron këtu problemi. Mua nuk më shqetëson fakti se kë do të kontaktojë qeveria shqiptare për tu përballur me Greqinë në Hagë. Mund të kontaktojë çdo kompani dhe nuk bën asnjë problem. Për mua nuk është ky shqetësimi në këtë rast.

Çfarë ju shqetëson në këtë rast…?

Mua më shqetëson më tepër rikthimi i referimit të çështjes së vijës së drejtë bazë. Kjo çështje është ezauruar në vitin 2018 dhe është pranuar edhe nga Greqia, madje e deklaruar edhe nga ishKryeministri grek Kotzias. Kjo çështje nuk duhet të referohet sërish pasi do të rrezikojmë.

Çfarë rrezikojmë konkretisht?

Nëse rikthehet referimi te kjo çështje rrezikojmë të humbasim vijën ndarëse bazë. Shqipëria rrezikon të humbasë vijën e drejtë bazë, që do të thotë sipërfaqe detare e humbur. Ka pasur një marrëveshje për këtë dhe për mendimin tim Shqipëria nuk duhet ta lejojë sërish referimin e saj. Konkretisht humbasin në sipërfaqe dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Ndaj Shqipëria në këtë përballje nuk duhet ta lejojë një gjë të tillë. Një referim i tillë duhet të përjashtohet domosdoshmërish. Duhet bërë shumë kujdes.

Për cilat arsye…?

Në rast se referohet sërish çështja e vijës ndarëse bazë, Haga thellohet dhe Shqipëria rrezikon të humbasë nga vetja e saj. Një çështje që është mbyllur me mirëkuptimin e të dyja palëve nuk duhet të diskutohet sërish.

Kjo kompani ligjore e kontaktuar nga qeveria shqiptare drejtohet nga Cherie Blair, bashkëshortja e ish-Kryeministrit britanik, Toni Bler, i cili gjithashtu ka punuar si këshilltar i qeverisë “Rama”. Si e konsideroni këtë zgjedhje të diplomacisë sonë për në Hagë?

Ju thashë nuk është ky problemi. Shqipëria mund të kontaktojë çdo kompani. Nuk është ky problemi. Le të jetë edhe kjo që thoni, por për mua shqetësimi kryesor është që të përjashtojë çështjen e vijës detare ndarëse.

Me çfarë kushtesh duhet të shkojë Shqipëria në Hagë? 

Shqipëria nuk duhet të kishte shkuar pa kushte përballë Greqisë në një gjykatë ndërkombëtare. Mendoj se jemi nxituar që vendosëm të shkojmë në Hagë pa kushte. Duhet të kishin vendosur kushte. Duhet të çonim vetëm çështje që nuk i kishim zgjidhur. Kushtet duhet të jenë mos referimi i vijës ndarëse bazë si dhe kushti tjetër për uljen e peshës së shkëmbinjve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura