Kuçedra që ua vjedh të ardhmen qytetarëve në Maqedoni

Jul 11, 2016 | 11:17
SHPËRNDAJE

Arsim-SinaniARSIM SINANI

Maqedonia e katandisur në një gjendje të vështirë ekonomike me probleme në buxhet dhe me vrima të mëdha ku si zakonisht kur ka krizë ekonomike, projektet e para që dëmtohen janë ato shqiptare. Edhe këtë herë ndodhi kjo, çdo projekt shqiptar u përgjysmua, ndërsa gropa e madhe në qendër të Tetovës rrezikon që të përmbytet nga ujërat dhe shiu.

Maqedonia është me një krizë politike disavjeçare dhe me opozitën, e cila e inspiruar nga kriza politike, e ka ngjyrosur “Shkupin 2014” me ngjyra lara-lara. Maqedonia e katandisur në këtë gjendje është edhe në raport me shqiptarët, mosimplementimi i Marrëveshjes së Ohrit është thjesht një inat që e mban mbi supe nga 2006 kryeministri i përmbysur Nikolla Gruevski dhe suita e tij.

Një inat që Maqedonisë po i kushton dhe do t’i kushtojë për shkak se shqiptarët janë të durueshëm, historia ka treguar se nuk ka arritur t’i mposhtë as edhe diktatura më e vështirë. Maqedonia e katandisur në këtë gjendje vështirë se do ta gjejë rrugën e vet europiane posaçërisht tash kur Europa po ballafaqohet me probleme të brendshme dhe s’do mend se Maqedonia do të mbetet në gjendje të ngrirë në raport me integrimet posaçërisht sa kriza politike vjen duke u bërë si problem pa zgjidhje.

Maqedonia e cila ka një Parlament, i cili u shpërbë brenda 24 orëve dhe sërish u rikthye në punë duke kaluar ligje të rrezikshme, të cilat në të ardhmen do të jenë mollë sherri mes qytetarëve.

I veçantë është Universiteti Dame Gruev për çështje të sigurisë, i cili kaloi, ndërsa deputetët shqiptarë nuk e di çka dreqin po bëjnë, por për interesa të shqiptarëve nuk po punojnë. Në Maqedoni po ballafaqohet koncepti i një diktature, e cila e ka gjenezën në Lindje dhe realisht ka të bëjë me mentalitetin jugosllav, i cili ka depërtuar thellë në institucionet e këtij vendi të vogël e me shumë halle të mëdha.

Ajo çka vërehet dhe është interesante te kjo klasë politike se kemi të bëjmë me një mentalitet njerëzish, të cilët po na i vjedhin idealet. Këto ideale të vjedhura do t’u kushtojnë gjeneratave të ardhshme.

Në mungesë të idealeve të rinjtë në të ardhmen ka shumë gjasa që të jenë kopje të dobëta të projektit Shkupi 2014 duke mos pasur ideal, por duke menduar si mumiet e çelikta të cilat e kanë zaptuar Shkupin dhe qytetarët në Maqedoni. Politikanët në Shkup e kanë projektuar shumë mirë idenë e vjedhjes së idealeve, sepse kështu do të sundojnë më gjatë, do të qeverisin si duan, do të uzurpojnë çka duan.

Ndërsa mënyra më e mirë është që njerëzve t’ua vjedhësh të ardhmen, sepse kështu ata bëhen të parrezikshëm. Vjedhësit e idealeve përveçse vodhën gjithçka, tani duan t’ua vjedhin të ardhmen qytetarëve dhe ideja po funksionon. Por këto plane mund t’i prishë pakënaqë- sia qytetare, kriza ekonomike, faturat e larta të energjisë elektrike, zbrazja e tavolinës së qytetarëve, taksat e mëdha që tanzimati i Shkupit po i vendos dhe përfundimisht planet mund t’i prishë një mentalitet, i cili nuk do t’ia dijë për këto pengesa.

Realisht kriza politike në Maqedoni është shumëdimensionale dhe e vështirë, por qytetarët kanë mundësi që ta mundin përbindëshin, i cili po ua ha kokat çdo ditë. Nëse qytetari çdo ditë duhet të mendojë për jetën e vështirë dhe me krizën që ballafaqohet ka shumë gjasa mendimin ta ndryshojë dhe të kërkojë rrugën për dalje nga kjo gjendje e pështirë.

Edhe në tregimet e vështira kur kuçedra kontrollon gjithçka, edhe në Maqedoni ka shumë mundësi që qytetarët të ballafaqohen me të keqen-kuçedrën, e cila kërkon taksa, ndërsa qytetarët janë të mbështetur për muri dhe s’ka nga të ikin. Kriza politike, kriza ekonomike, kriza identitare, kriza politike, kriza gjeostrategjike, kriza me shqiptarët do të jenë problemet me të cilat qytetarët lipset të ballafaqohen mos them të konfrontohen, sepse demokracia në Maqedoni me këtë mentalitet gjithsesi se do të ballafaqohet diku në projektin Shkupi 2014.

Shenjat janë se regjimi i instaluar shumë kohë në Shkup do të përmbyset në mënyrë demokratike, kjo është rruga e vetme të cilën e kanë qytetarët që të lirohen nga kjo ideologji, ku shteti është bë parti, ku qytetari është bë rob, ku demokracia është bë burg, e ku të gjithë vuajnë nga disa mendje, të cilat nuk kanë asnjë ideal dhe dëshirojnë t’i vjedhin edhe idealet e një qytetarie dhe demokracia.

Por vera është e bukur, thjesht njerëzit mund nga efekti i diellit e plazhit t’i japin fund këtij regjimi në mënyrë demokratike. Ajo që më së shumti më brengos është ideja që të na i vjedhin idealet, të cilat janë krejt ajo çka na ka mbet nga qytetërimi dhe ëndrra për të qenë pjesë e botës së qytetëruar, thjesht Maqedonia lipset të lirohet nga kuçedra.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura