Kualifikimi, 3 mijë mësues në provim për shtesën në pagë

May 6, 2016 | 14:05
SHPËRNDAJE

Nesër zhvillohet provimi i kualifikimit për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar që kanë 5, 10 apo 15 vite eksperiencë. Janë 2951 arsimtarë, të cilët do të testojnë njohuritë e tyre për t’u rritur profesionalisht, por, ç’është më e rëndë- sishme për ta, përfitimi i rritjes së pagës.

testimi-i-mesuesveTestimi që do të zhvillohet në disa shkolla të kryeqytetit është parashikuar të zgjasë 2 orë e 30 minuta. Të interesuarit kanë afat edhe sot të mësojnë bazuar mbi programet orientuese të publikuara me kohë në faqen zyrtare të Institutit të Zhvillimit të Arsimit.

Vlerësimi përfundimtar me pikët e gjithsecilit realizohet si kombinim i tri instrumenteve: portofoli i mësuesit, totali i pikëve në test dhe bonuset, që mund të jetë një doktoraturë, diplomë pasuniversitare apo mbrojtja e një gjuhe të huaj.

KUALIFIKIMI DHE PAGA

Në testin e së shtunës do të futen në provim mësuesit me mbi 5 vite punë në kërkim të titullit “Mësues i kualifikuar”, ata me përvojë mbi 10-vjeçare kandidatë për “Mësues specialist” dhe “Mësuesit mjeshtër”, që janë arsimtarët të cilët kanë mbi 20 vite karrierë. Në varësi të tre titujve të mësipërm, do të bëhet edhe shtesa mbi pagë, përkatësisht me 5, 10 dhe 20%.

Por ajo që duhet theksuar është se rritja bëhet mbi pagën bazë dhe jo atë bruto. Bazuar në një vendim të Ministrisë së Arsimit të shumë viteve më parë, që përcakton pagën bazë 14 mijë lekë, më- suesit që fitojnë shkallën e tretë të kualifikimit përfitojnë 700 lekë më shumë në muaj, ata të kategorisë së dytë 1400 lekë dhe mësuesit mjeshtër 2800 lekë në muaj.

PROVIMI

Janë pesë fusha ku do të testohen të gjithë mësuesit që përmbushin kushtet për të hyrë në testimin kombëtar për rritjen e pagës: veprimtaria mësimore-edukative, programi i lëndës, aspekte të pedagogjisë e metodologjisë, përdorimit të teknologjisë së informacionit në mësimdhënie-nxënie, etika e komunikimit dhe drejtshkrimi i gjuhës shqipe standarde.

Në secilën prej programeve orientuese të publikuara në faqen e IZHA, renditen njohuritë dhe aftësitë bazë që duhet të zotërojë arsimtari që të zhvillojë një orë mësimore model. Testi parashikohet të ndahet në dy pjesë: formimi i përgjithshëm dhe ai shkencor.

Nga rezultatet e viteve të fundit, pjesa më e madhe e mësuesve hasin vështirësi në pjesën e parë, e cila vlerësohet me 30 pikë, ndërsa e dyta me 40.

Përpara se të futen në provim, mësuesit duhet të përgatisin portofolin personal e profesional. Sipas kritereve të përcaktuara nga IZHA, vlerësohet me 1-3 pikë secila pjesë përbërëse e portofolit.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura