Kuadri Makro 2023-2025: Rritja ekonomike do mbështetet nga konsumi dhe investimet, inflacioni do të rritet

Jan 21, 2022 | 18:03
SHPËRNDAJE

Qeveria ka pranuar se në periudhën afatmesme rritja ekonomike do të bazohet kryesisht tek kërkesa e brendshme duke pasur parasysh këtu konsumin dhe investimet.

makro

Në dokumentin bazë që projekton parashikimet për vitet 2023-2025 siç është Kuadri Makroekonomik dhe Fiskal nënvizohet se konsolidimi fiskal do të vazhdojë të jetë në fokus të politikave.

Në shifra rritja ekonomike parashikohet në normën 4.1për qind në vitin 2022 dhe mesatarisht rreth 4 për qind në vit përgjatë periudhës afatmesme në vijim 2023–2025. Më specifikisht, rritja ekonomike parashikohet në 4.2, 3.9 dhe 3.9 për qind respektivisht për vitet 2023, 2024 dhe 2025.

“Konsumi privat parashikohet të jetë sërish nxitësi kryesor i rritjes së PBB-së, stimuluar kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimi në tregun e punës. Këto të fundit priten të transmetohen në një rritje graduale të pagave të cilat më tej pritet të stimulojnë të ardhurat reale të disponueshme të individëve, duke krijuar efektin e raundit të dytë në nxitjen e konsumit, si dhe duke intensifikuar prirjen e konsumatorëve për financimin e mëtejshëm të konsumit nëpërmjet një kredi marrje më të lartë” thuhet në dokument.

Sa i takon investimeve nxitja kryesore e tyre pritet të jetë shfrytëzimi më intensive i kapaciteteve ekzistuese prodhuese dhe përshpejtimi i aktivitetit ekonomik gjatë periudhës së parashikuar .

Kuadri parashikon që kërkesa e huaj neto pritet të ketë një kontribut pozitiv të moderuar në periudhën afatmesme. Eksportet e mallrave të cilat zakonisht kanë pasur performancë të mirë në vite, priten të vazhdojnë këtë trend pozitiv dhe të ruajnë ritmet e kaluara. Eksportet e shërbimeve, veçanërisht shërbimet turistike, priten gjithashtu të rikthejnë performancën pozitive në periudhën afatmesme dhe të jenë elementi kryesor për të kompensuar kontributin negativ të ardhur prej rritjes së importeve.

“Megjithëse politika fiskale do të vazhdojë të jetë e orientuar drejt konsolidimit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, politika buxhetore e qeverisë për të ruajtur një nivel të investimeve publike në mbi 5 për qind të PBB-së në vitet 2023–2025 do të stimulojë formimin e kapitalit fiks bruto në ekonomi, esenciale kjo për të mbështetur nivele relativisht të larta rritje në periudhën afatmesme dhe afatgjatë. Në të njëjtën kohë, pritshmëritë për vijimin e kushteve relativisht të favorshme për financim në tregun financiar, do të mbështesë konsumin privat dhe investimet” thuhet në dokument.

I njëjti nënvizon se bazuar mbi parashikimet e treguesve kryesorë makroekonomikë, reformave dhe ndryshimeve fiskale të ndërmarra dhe veçanërisht ato të pritshme për t’u ndërmarrë në vijim, përfshirë këtu implementimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, e cila synon të përmirësojë politikat tatimore për mbledhjen e tatimeve, përputhshmërisë dhe sistemeve të monitorimit, si dhe të faktorëve të tjerë përcaktues në ecurinë e zërave të ndryshëm të të ardhurave të buxhetit të shtetit, të ardhurat totale të buxhetit për tre vitet në vijim (2023–2025) parashikohet të rriten mesatarisht me rreth 5.9 për qind në çdo vit. Më specifikisht 6.1 për qind për vitin 2023, 5.6 për qind për 2024 dhe 5.8 për qind për 2025. Të ardhurat tatimore për këtë periudhë parashikohen me një rritje mesatare vjetore prej rreth 6.2 për qind.

Qeveria parashikon qe presionet inflacioniste të forcohen në periudhën afatmesme.

“Presionet e brendshme inflacioniste priten të përshpejtohen si rezultat i rritjes së konsumit privat dhe investimeve, të cilat do të mbështesin një ritëm më të shpejtë të rritjes ekonomike. Për më tepër, parashikimi për forcimin e kërkesës agregate dhe inflacionit në mjedisin ndërkombëtar pritet të përçojnë një efekt inflacionist disi më të rritur në ekonominë shqiptare për periudhën afatmesme në vijim. Inflacioni pritet të rritet gradualisht dhe të rikthehet në objektivin e politikës monetare në afatin e mesëm”, thuhet ne kuadër. /Monitor/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura