Ku të çon vendimi i një Presidenti

Apr 19, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

leonidha mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, doli këto ditë me një vendim për faljen e politikanëve nën akuzë dhe hetim. Kush janë të akuzuarit që amniston Presidenti maqedonas? Krimet e të amnistuarve lidhen me abuzime me postet zyrtare; shkelje financiare, falsifikim zgjedhjesh, përgjegjës për pezullimin e hetimeve për skandalin e përgjimeve etj.

Në këtë mënyrë, nën hijen e amnistisë së Presidentit, Drejtësisë i vihen bërrylat, duke zbehur sa më shumë sundimin e së drejtës, ndërkohë që zyrtarët e korruptuar inkurajohen më tej në korrupsionin e tyre, duke i mbrojtur dhe zgjatur jetën elitave të diskredituara tashmë. Kjo ka bërë që situata politike në Maqedoni të vijë duke u tensionuar. Zemërimi i qytetarëve të këtij vendi shprehet në protestat e tyre, përmes thirrjeve “shtet mafioz”, se “nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”, se “populli nuk mund të falë kriminelët”.

Shteti aktual vlerësohet si i tillë, që nuk pajtohet me shtetin ligjor. Në krah të protestuesve, të organizuar nga organizata joqeveritare, janë vënë dhe përfaqësuesit e opozitës, të partisë kryesore opozitare, Lidhjes Social Demokrate me në krye liderin e saj, Zoran Zaev.

Një grup protestuesish kanë shkuar dhe më tej, duke hyrë në zyrën e Presidentit dhe duke shkaktuar dëme të ndjeshme. Replika dhe kundërreplika midis drejtuesve të opozitës dhe atyre të partive në pushtet. Zaev është i gatshëm t’u bëjë thirrje qytetarëve të marrin vetë në duar Drejtësinë në rast bllokimi të Prokurorisë Speciale nga pushtetarët aktualë.

Ai dhe ithtarët e tij nuk e ndajnë këtë vendim të Presidentit Ivanov nga një grusht real shteti që po i bëhet Maqedonisë. Në këtë zallamahi, partia në pushtet, VMRO-DPMNE, i shikon socialdemokratët dhe përkrahësit e tyre si hordhi, që duan të vënë në jetë një skenar kriminal. Prokuroria Speciale, nga ana tjetër, duke iu kundërvënë vendimit të fundit të Presidentit, është e gatshme të dalë me akuza të tjera për veprimet kriminale të zyrtarëve të lartë.

Vendimi i Ivanovit dhe tensionet e krijuara prej tij, nuk mund të mos tërhiqnin vëmendjen e menjëhershme të ndërkombëtarëve, të aleatëve perëndimorë. Bashkimi Europian, me të drejtë vazhdon trysninë për tërheqjen e Presidentit maqedonas nga ky vendim. Komisari Europian për Zgjerim dhe Politikë fqinjësore, austriaku Johannes Hahn, vendimin e mësipërm e shikon në kundërshtim me sundimin e së drejtës.

Kjo e bën atë pas kësaj edhe më pesimist nëse mund të zhvillohen në vend zgjedhje demokratike. Departamenti Amerikan i Shtetit kërkon nga Ivanovi të tërhiqet nga vendimi i marrë prej tij dhe që Zyra e Prokurorisë Speciale të hetojë akuzat serioze për shpërdorim nga qeveria, si dhe të lejojë dhe të mos pengojë gjykatat për të kryer punën e tyre. Përballë absurditetit të Presidentit maqedonas, për ministrin e Jashtëm gjerman, Frank- Walter Steinmeier, ky vendim bie ndesh me ndërtimin e shtetit ligjor dhe sundimin e paqes.

Por, Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov mbetet dhe më tej i vendosur në qëndrimin e vet. Çuditërisht, ai e justifikon sot këtë vendim të tij edhe në emër të një “patriotizmi të nevojshëm”. Një kartë kjo- e preferuar, me të cilën luhet herë pas here, pavarësisht presionit të brendshëm apo atij ndërkombëtar. Dhe këtë, përpiqet ta bëjë sa më të besueshme, si një nevojë të domosdoshme.

Ne, thotë ai, arritëm të pajtohemi me shqiptarët, kurse tani është koha të pajtohemi me njëri-tjetrin. Është ndërkohë një kthim i nderit të bërë, shpërblim për liderët e partisë në pushtet, parti e tij, si dhe përkrahësit e tjerë të saj, të cilët sollën profesorin e Universitetit të Shkupit, Ivanov, në fronin e Presidentit, në maj të vitit 2009, dhe i rizgjedhur në 2014-n. Pra, VMRO-DPMNE-së i vjen për shtat ky vendim, në një kohë që akuzat për të kanë qenë të ndryshme dhe të shpeshta.

Lideri i saj, Nikolla Gruevski, një ditë më parë, në emisionin e lajmeve të “Kanalit 5”, me superlativa, vendimin e Presidentit për falje e shikonte si “një akt të madh patriotik”. Pra, kjo parti, në panik, sikurse konkludon dhe gazeta e njohur austriake “Standard”, mendon që përmes një “grushti shteti” të Presidentit, do të mund t’u shpëtojë akuzave të mësipërme. Presidenti Ivanov shkon dhe më tej, pas kritikave të ashpra për vendimin e marrë.

Në pasditen e pardjeshme, në një fjalim të jashtëzakonshëm, sipas agjencisë maqedonase të lajmeve “Zhurnal”, ai tejkaloi çdo lloj etike, duke i parë kritikuesit e vendimit si armiq të Maqedonisë, se “nuk e tërheq vendimin dhe pikë”. Madje, gjuha e tij shkonte larg, kërcënuese, teksa paralajmëronte përfaqësuesit diplomatik në Shkup, të sillen konform rregullave të shtëpisë, se vendi ka zot dhe duhet të rrinë urtë, për të mos u ballafaquar më sanksionet e të zotit të shtëpisë.

Ky qëndrim i Ivanovit, që, siç mendohet inkurajohet nga Moska dhe Beogradi, nuk mund t’i shërbejë Maqedonisë dhe qytetarëve të saj, rajonit në tërësi; ai veç e thellon krizën në vend. Duket që, në këtë situatë, presidentit Ivanov i pëlqen të bëjë të fortin, paçka se vendi mund të përballet me një izolim të tij. Nga ana tjetër, integrimi euroatlantik i Maqedonisë, në këtë mënyrë, bllokohet dhe më tej.

Ftesa për anëtarësim në NATO, qysh nga viti 2008, në Samitin e Bukureshtit dhe ajo për hapjen e bisedimeve për pranimin në Bashkimin Europian, prej 2005-s, duket se do të vazhdojnë të mbeten të largë- ta për bashkështetasit e Presidentit të Maqedonisë. Zgjidhja e këtij problemi, dhe më tej do të humbasë rrugëve të errëta të krizës së herëpashershme maqedonase.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura