Ku qëndron “Mëkati fillestar” i Virgjil Muçit

May 2, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

Një analizë mbi librin që synon të zbërthejë legjendat e Rozafës dhe Kostandinit, librin e autorit Virgjil Muçi dhe debatit që hapi me çështjen e incestit.

Shkrimtari, eseisti dhe përkthyesi, Virgjil Muçi
Shkrimtari, eseisti dhe përkthyesi, Virgjil Muçi

“Në vitet ’70, kritikë letrarë si Alfred Uçi dhe Dalan Shapllo kanë prekur çështjen e dyshimit të incestit”- shkruan autori i analizës, Ermir Nika.

ERMIR NIKA 

Në kohën e sotme dhe në krejt atmosferën mbizotëruese të kësaj epoke ku bëjmë pjesë, vihet re krahas shumë dukurive të tjera, jo vetëm prirja për të qenë pjesëtar i një armate snobiste në kulturë e art, por sundon edhe sindroma për t’u shfaqur disi ndryshe, më delikat, më i veçuar, por edhe më i pakuptuar nga shoqëria e sotme.

Këto pasiguri, apo ndjesi të kompleksuara ka marrë përsipër t’i deshifrojë dhe t’i zbulojë shkrimtari, eseisti dhe përkthyesi Virgjil Muçi në librin e tij të fundit “Mëkati fillestar”. Kjo vepër e prezantuar me ekzaltim nga vetë autori synon të kthejë vëmendjen drejt një teme të preferuar prej shumë kohe në studimet botërore: origjinën e legjendave dhe interpretimin e tyre.

Tema është pasionante, nga ato që shkaktojnë shpesh polemika në vende të ndryshme dhe në kohë të ndryshme. Dihet se legjendat shquhen për enigmat e tyre, të cilat kanë nevojë për zbërthim. Ato bazohen shpesh në ngjarje të vërteta, por që me kalimin e kohës dhe përpunimin e gjatë në kujtesën njerëzore, ndryshojnë disa herë aq shumë saqë ngjarja fillestare që ka qenë si burim i tyre nuk njihet më. Ndryshe nga kronikat e sakta të ngjarjeve, legjendat duket sikur nuk bazohen në fakte historike.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Me zhdukjen e fakteve, të personazheve dhe të ngjarjeve që kanë ndodhur vërtet, legjendat, në shumicën e tyre japin përshtypjen se merren me ngjarje jo fort të besueshme, të jashtëzakonshme. Ky është tipari i tyre kryesor. Si të tilla, ato kanë nevojë për zbërthim dhe interpretim.

Kanë mbetur të famshme në traditën botërore legjendat që rrëfejnë rrëmbimin e një sasie fëmijësh ose vajzash nga një shtrigë magjistare, çdo vit. Nuk është vështirë të kuptohet se pas kësaj ngjarjeje krejtësisht të pabesueshme fshihet një nga dramat më të rënda të popullsisë agrare: taksat e detyrueshme. Ka mendime të ndryshme se përse rapsodi popullor e ka zëvendësuar ardhjen e taksidarit me ardhjen e një shtrige.

Një shtrigë apo një magjistare është shumë e frikshme nga pamja se një nëpunës taksash. Pikërisht, këtë gjë ka dashur të nënvizojë legjenda: fjala taksë, ose detyrimi i të dhjetave, duket shumë banale, por në të vërtetë ajo është po aq e frikshme sa ardhja e një shtrige. Shembujt e zbërthimit të legjendave janë të shumta.

Në studimet e kryera mbi teoritë e letërsisë njihet fakti se folklori nuk mund të shihet dhe trajtohet si shenjë e primitivizmit në një shoqëri, por përkundrazi, historianët hedhin dritë mbi disa aspekte shumë të veçanta dhe përgjithësuese, ku saktësohet se folklori është zhvilluar dhe kultivuar jo vetëm në krijimtarinë dhe rijetëzimin e jetës baritore, por edhe në sallonet dhe brenda oborreve mondane të dukëve, princërve dhe mbretërve të njohur. Nga një vështrim i kujdesshëm rreth vendit që zë mitologjia në arsenalin e kulturës njerëzore, vëren se pikërisht ky fondament i përcjellë dhe pasuruar nga një gjeneratë në tjetrën përbën një ndër fushat më të hulumtuara nga mendja njerëzore.

Ajo i ka shërbyer si lëndë e parë e si objekt vëmendjeje e kërkimit historik, hulumtimeve estetike, studimit të filozofisë, por edhe spekulimeve teologjike të të gjitha nuancave. Një e vërtetë e pamohueshme lidhet me faktin se qytetërimi europian zakonisht nuk i është kundërvënë mitologjisë pagane dhe këngë e vepra të tilla si Iliada apo Odisea apo edhe Bibla e Kurani kanë triumfuar dhe kanë ushtruar dhe vazhdojnë të ushtrojnë një ndikim tejet të ndjeshëm në historinë botërore për brendinë dhe mesazhet që përcjellin nga njëri brez te tjetri, por njëkohësisht edhe për forcën e tyre të rrëfimit dhe strukturën e përsosur narrative.

Si në veprat e lartpërmendura, ashtu edhe në epikën e popujve të Europës, por edhe të Gadishullit të Ballkanit, miti si dukuri është historia e vërtetë e dëshmuar nga ai që e ka parë dhe rrëfen mbi të, realiteti i vetëm që të lejon të rizgjosh atë hemisferë të fjetur që frymon në vetëdijen e secilit prej nesh.

Sipas studiuesit të njohur të miteve, Prof. Mark Tirta, në veprën e tij “Mitologjia ndër shqiptarë”, ai shprehet se “duke u futur brenda veprimeve të veçanta të një perëndie, njeriu i bashkëngjitet kohës së shenjtë, duke përjetuar ekzistencë ‘heroike’ të harruar. Kjo kulturë është ndërlidhëse mes kohëve e gjeneratave më të largëta, nga më të hershmet e deri tek më të vonat, në shndërrimet për mbijetesë të organizmit kombëtar që vjen i gjallë deri në ditët e sotme”.

Asnjë komb dhe asnjë kulturë e krijuar dhe e ruajtur prej tij, nuk mund të identifikohet pa këtë etnokulturë, si areal kulturor etnik. Pikërisht kjo trashëgimi e pasur kulturore dhe shpirtërore përbën në vetvete, së bashku me protagonistët, por edhe me bartësit e saj, jo vetëm një nocion artistik dhe kulturor, por është në vetvete një areal etnik që përvijon një shtrirje gjeografike ku zënë natyrshëm vendin e merituar të gjitha viset, trojet e banuara nga shqiptarët, por edhe bashkësitë shqiptare të mërgatave të shtrira në të pesë kontinentet.

Shikuar në këtë kënd, libri i Virgjil Muçit “Mëkati fillestar”, në të cilin autori merret me zbërthimin dhe interpretimin e disa legjendave të njohura shqiptare, do të ishte tepër me interes dhe shumë i mirëpritur në vendin tonë. Për fat të keq, nuk është fare kështu. Pa dashur të fyej autorin, më duhet të them qysh në fillim se, sipas mendimit tim, mania për të qenë me çdo kusht origjinal e ka shtyrë Virgjil Muçin në gabime të njëpasnjëshme.

Si përfundim, libri “Mëkati fillestar”, jo vetëm nuk jep asnjë ndihmesë në zbërthimin e disa prej legjendave të njohura shqiptare, por i ndërtuar krejtësisht gabim, ai ka përfunduar në një falsifikim të rëndomtë prej nallbani. Po përpiqem të shpjegoj shkurt dhe qartë defektin e rëndë dhe të pandreqshëm të “Mëkatit fillestar”.

Autori pretendon që në traditën e njohur të sqarimit se çfarë mund të ketë qenë ngjarja e vërtetë që ka shërbyer si embrion për një legjendë, është marrë me disa nga legjendat e njohura shqiptare si ajo e “Kalasë së Rozafës” dhe e “Kostandinit dhe Doruntinës”. Siç u tha më sipër, s’ka asgjë të keqe në këtë synim të autorit.

Madje, edhe sikur zbërthimi i tij bashkë me interpretimet të ishin jo të sakta, por të gabuara, kjo nuk do të përbënte ndonjë “mëkat”. Mëkate të tilla janë të njohura në këtë fushë, ngaqë interpretimet janë shpeshherë të shumta, kurse e vërteta s’mund të jetë veçse një. E keqja e librit të Virgjil Muçit qëndron gjetkë dhe na vjen keq ta themi se është e pafalshme.

Me një mendjelehtësi që të habit, autori ka shpallur se në librin e tij do të zbërthejë, për herë të parë, enigmën që fshihet pas këtyre legjendave. Në të vërtetë, ai nuk zbulon asnjë enigmë, sepse ai s’bën asgjë tjetër veçse përsërit në mënyrë banale atë që prej shumë vitesh është zbuluar prej të tjerëve. Pretendimi i tij është me të vërtetë skandaloz, po të kemi parasysh se ai shtyn një derë të hapur.

Le të marrim vetëm njërën prej legjendave, atë të kthimit të Doruntinës, që njihet ndryshe me titullin “Udhëtimi i vëllait të vdekur”. Është një nga legjendat më të njohura që gjendet në folklorin e disa popujve të vjetër të Europës. Shqiptarët dhe grekët numërohen midis këtyre popujve. Kjo legjendë tronditëse ka shërbyer për vepra letrare dhe është përmendur nga shkrimtarë të mëdhenj, siç është rasti i Gëtes.

Të shumtë janë studiuesit që janë marrë me zbërthimin e saj, ashtu siç ka ndodhur edhe me legjendën tjetër, atë të Rozafës, për të cilën mendohet se është ngritur së pari për kështjellën e Shkodrës. Interpretimet e tyre nuk janë të pakta, qoftë në kohë të vjetra, qoftë në shekullin XX.

Është interesante të vërehet se ndonëse gjatë kohës së realizmit socialist nuk përkrahej aspak trajtimi i subjekteve legjendare, disa nga legjendat kryesore kanë shërbyer si subjekte dramash e novelash, siç ka qenë rasti i “Halili dhe Hajrija” të Kolë Jakovës, “Kush e solli Doruntinën” të Ismail Kadaresë, si edhe poema e tregime jo të pakta.

Mendimi kritik shqiptar, me aq sa ka mundur, duke kapërcyer vështirësitë dogmatike, është përpjekur të trajtojë karakteristikat e këtyre veprave dhe anët e tyre delikate. Kështu, për shembull, në vitet ’70 kishte kritikë letrarë si Alfred Uçi dhe Dalan Shapllo, që kanë prekur çështjen e dyshimit të incestit te legjenda e Doruntinës në veprën homonime të Kadaresë.

Shembuj të ngjashëm gjenden edhe në studime të tjera apo vepra letrare të hershme, qoftë në Shqipëri, qoftë tek arbëreshët e Italisë dhe në diasporën e gjerë shqiptare. Është e rëndësishme të kujtojmë këtu vendin që zënë legjendat në veprat letrare ose studimore, te fqinjët tanë ballkanas, si te grekët, serbët e rumunët, si dhe ndikimi i tyre te shkrimtarë të shquar si Kazanzaqis apo Ivo Andriç.

Është kjo arsyeja që lexuesi mbetet gojëhapur prej leximit të librit të Virgjil Muçit, ku ai, kundër çdo logjike, e paraqet veten e vet si njeriu që për herë të parë ka zbuluar se çfarë fshihet pas njërës prej legjendave më të njohura, asaj të Doruntinës. Në qoftë se dikush do të donte ta justifikonte Virgjil Muçin, me tezën se një studiues mund të mos jetë i detyruar të dijë se çfarë po ndodh te letërsia e popujve të tjerë, mbrojtja do të thyhej, ngaqë këtu kemi të bëjmë me letërsinë shqipe.

Virgjil Muçi nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë kur kujton se qenkësh ai që paska zbërthyer për herë të parë se në historinë e vëllait të vdekur na qenka fshehur një dramë incesti. Në qoftë se ai nuk ka pasur dijeni për studiues si A. Uçi dhe D. Shapllo, që kanë përdorur pikërisht fjalën “incest” në artikujt e tyre, ai nuk mund të thotë se nuk ka pasur dijeni se me këtë subjekt, është shkruar një vepër e njohur në letërsinë shqipe.

Në këtë vepër, të botuar dyzet vjet më parë, dyshimi për incest midis vëllait dhe motrës përmendet në faqe të tëra dhe paragrafë të tërë, madje personazhet kanë mendime të ndryshme për të. Virgjil Muçi e ka rënduar gabimin e vet, duke përsëritur atë në një numër intervistash. Gazetarët që e kanë intervistuar atë kanë humbur një rast për t’i kujtuar modestinë, që në raste të tilla është e detyrueshme. Për përhapjen e një trillimi të tillë kanë përgjegjësi gjithashtu shtypi dhe televizionet, por sidomos studiuesit e letërsisë.

(*studiues letërsie)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura