Ku po shkojmë?

Feb 24, 2020 | 10:59
SHPËRNDAJE

FOTO TOTI foto-toti-300-300x251-1-300x251

Për këtë shkrim mora shkas nga një publikim i Departamentit të Popullsisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kjo organizatë parashikon që popullsia e Shqipërisë vazhdimisht do të vijë duke u rrudhur dhe në vitin 2100 do të arrijë në 500.000 – 800.000 banorë. Sigurisht që një lajm i tillë është shumë shqetësues për çdo shqiptar, që i dhimbset vendi i vet. Ky lajm është akoma më alarmant edhe për ne të moshuarit, që po plakemi duke pritur e shpresuar për më mirë…

Për ta kuptuar më mirë e konkretisht këtë dukuri, unë, si një vrojtues i thjeshtë, i hodha një sy historikut të fshatit tim të lindjes – Labovë e Zhapës ose si quhej më parë, Labovë e Madhe. Për këtë qëllim u përqendrova kryesisht në dy drejtime: arsimi dhe popullsia e Labovës ndër vite.

Labova është një fshat i vogël malor, që shtrihet në mesin e rrugës automobilistike Gjirokastër–Tepelenë, rrëzë malit Odrie, rreth 800 – 900 metra mbi nivelin e detit. Ky fshat me pak tokë buke është stisur aty për t’u dhënë banorëve të tij më shumë ushqim për dijen e shpirtit, sesa për barkun. Zanafilla e jetës në Labovë nuk dihet saktësisht. Të dhënat e para që i referohen fundit të shekullit XIV pra, para pushtimit osman, tregojnë si më poshtë:

Tabela e Popullsisë: Numri i familjeve dhe popullsisë në vite.

VITI NR. I FAMILJEVE NR. I BANORËVE

1431 154  1100

1900 104  580

1940 60   295

1950 15   72

1990 53   250

2000 30   223

2020 20   45

Nga ajo çka shohim në këtë tabelë, bie në sy një rënie e vazhdueshme jo vetëm e numrit të familjeve, por edhe e banorëve. Sot në Labovë nuk ka më fëmijë, shkollat janë mbyllur, nuk ka dasma, nuk ka lindje. Mosha mesatare e banorëve të sotëm të Labovës është mbi 50–60 vjet. Në rrugët e kalldrëmta të fshatit, që vazhdimisht po shkatërrohen e mbulohen nga ferrat, nuk dëgjohen më zëra fëmijësh, por kolla e thatë e të moshuarve që po përballojnë jetën me mërzi e varfëri.

Në këto kushte, njerëzit në Labovë, si kudo tjetër në Shqipëri, por sidomos në zonat e thella e periferike të vendit e kanë humbur shpresën. Qeveritë që vijnë njëra pas tjetrës si dhe partitë e shumta që kemi, e Zoti na i faltë e u shtofshin vazhdimisht, zihen e grihen me njëra-tjetrën për një “çik” pushtet. Premtojnë parajsën, kërkojnë zgjedhje të reja kur janë në opozitë, ndërsa populli pret zgjidhje.

Arsimi në Labovë, ndoshta më shumë se kudo, është jetuar sipas fjalës se urtë popullore: “Shit kalin e mëso djalin”, që sot kjo shprehje nuk dëgjohet më.

Labova që i ka dhënë vendit rreth 200 arsimtarë dhe shumë kuadro të mirënjohur në fusha të ndryshme, sot po shkon drejt analfabetizmit. Kjo Labovë, që në vitin 1860, me fondet e bamirësit të madh labovit, Vangjel Zhapa, “Nderi i Kombit”, hapi shkollë me 91 nxënës, në të cilën përveç greqisht, që në atë kohë siç dihet ishte gjuha zyrtare, u vendos edhe gjuha shqipe. Kjo shkollë që u hap me sakrifica e shumë para, pavarësisht pengesave e reprezaljeve të shtetit feudalo–ushtarak turk dhe Patriarkanës greke të Stambollit, rezistoi e u rrit nga viti në vit. Kështu, në vitin 1875 u hap shkolla fillore me 108 nxënës, tri klasa qytetëse dhe dy klasa gjimnazi.

Pas Kongresit të Manastirit më 1908, kur u vendos përfundimisht alfabeti i gjuhës sonë, u ringjall përsëri shpresa për labovitët mbi arsimin. Dhe më 4 prill 1910 u hap shkolla e parë shqipe, duke e bërë kështu Labovën jo vetëm një shembull të mirë për gjithë vendin, por dhe një qendër të rëndësishme për arsimin mbarëkombëtar. Më vonë, në verën e vitit 1921, çelet në Labovë kursi tremujor i përsosmërisë së mësueseve të jugut për unifikimin e planeve e programeve mësimore. Në këtë kurs morën pjesë 150 mësues, të cilët strehoheshin e trajnoheshin falas në familjet labovite.

Në periudhën e Ahmet Zogut, reforma e re për arsimin e vitit 1928 parashikonte mbylljen e shumë shkollave në fshatra, por labovitët me fondet e tyre e mbajtën shkollën të hapur.

Lufta e Dytë Botërore, si kudo tjetër, edhe në Shqipëri solli shkatërrime të mëdha. Të parat që dëmtoi lufta ishin shkollat, por edhe të parat që u rindërtuan nga vetë labovitët arsimdashës ishin po ato. Filloi ringritja dhe më 1944 filloi së funksionuari shkolla fillore, më 1962 shkolla 7-vjeçare, më 1988 shkolla e mesme e përgjithshme me konvikt. Kështu, vit pas viti, arsimi në Labovë shkoi mbroth.

Pas vitit 1990, sistemi në vendin tonë ndryshoi dhe fituam demokracinë e shumëpritur. Njerëzit u gëzuan me lirinë që solli demokracia dhe me parullat si: “Çeku i bardhë”, “do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” etj. Njerëzit filluan të prishnin e shkatërronin çdo gjë të vjetër, që e kishin ndërtuar po vetë. Prishën shkollat, duke i kthyer në stalla bagëtish, prenë drurët frutorë, prishën vatrat e kulturës dhe muzetë e fshatit etj. Në këtë situatë, në këtë marri kolektive, njerëzit u çorientuan dhe morën arratinë. Ikën, duke e braktisur vendin. Fshatra të tëra po boshatiseshin dhe kjo vazhdon edhe sot.

Në këto kushte, më të moshuarit humbasin çdo shpresë dhe nxisin të rinjtë, fëmijët e tyre të IKIN. IKNI, u thonë, ky vend nuk bëhet! Ikni, shikoni jetën tuaj. Ne do bëjmë si do bëjmë. Ne e hëngrëm çairin… Kudo, në çdo familje dëgjohet kjo fjalë e kobshme “IK”. Dhe njerëzit ikin vazhdimisht, popullsia rrudhet, vendi boshatiset e shkretohet. Kudo në vendin tonë, sa vjen e më shpesh, shohim njerëz të moshuar, të vetmuar e të harruar, me fëmijë e pa fëmijë, me nipër e mbesa që nuk i kanë parë kurrë. Të rriturit kanë ndërruar dhe emrat, ndërsa fëmijët e tyre janë “pagëzuar” me emra të huaj që gjyshërit me zor i artikulojnë.

Po pse ndodhën të gjitha këto në vendin tonë? Sipas disa “analistëve” tanë, për uljen, madje edhe për zhdukjen e popullsisë në botë, ndikojnë disa faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Ndër këto “analistët” rendisin: klorizimi i ujit, organizatat e fshehta si “Klubi i Romës”, prishja e institucioneve fetare etj. Së fundmi doli nga shishja dhe “shejtani” kinez, coronavirusi, që sigurisht edhe ai do të ndikojë në tkurrjen e popullsisë botërore etj.

Po politikanët tanë, si do t’ia bëjnë vallë? Atyre nuk është për t’ua qarë hallin. Ata janë të pajisur me një a më shumë pasaporta të huaja, ata i kanë fëmijët jashtë shtetit, në shkollat më të mira të botës dhe gojët e liga thonë, vallaha jashtë vendit kanë dhe prona e para…

Po populli, çfarë duhet të bëjë? Do të rrojë me shpresë dhe parulla si: “O sa mirë me ken shqiptar”, “Ti Shqipëri me jep nder, më jep emrin shqipëtar” etj.

Dhe kështu, Labova do të presë të festojë 7 dhe 8 Marsin pa asnjë mësues, pa asnjë nxënës dhe me shkolla të mbyllura…

Vendi ynë në shekuj ka kaluar rreziqe e vështirësi, deri në copëtimin e trojeve e zhdukjen si komb, por ai ka gjetur përsëri forcë dhe është ringritur. Dhe ashtu si bari që thahet e zhuritet nga vapa, ai mbin përsëri pasi rrënjët janë aty dhe rrënjët e kombit tonë janë këtu e janë shumë të thella. Unë shpresoj, madje jam besimplotë që kështu do ndodhë edhe me ne. Labova ime, si gjithë Shqipëria, nuk do të braktiset e harrohet. Kurrsesi! Ajo pret me krahëhapur bijtë e saj ta rilindin, ta risjellin në jetë, ashtu si e patën ëndërruar e dëshiruar të parët tanë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura