Ku ka mbërritur morali i shoqërisë sonë?

Feb 23, 2015 | 12:02
SHPËRNDAJE

JAMARBËR MALLTEZI

   Tomi Misha u dhunua nga policët në mes qytetit të urtë, të bukur dhe të qytetëruar të Korçës. U dhunua në mes të ditës, ndërsa qytetarët kalonin aty afër pa ju bërë përshtypje. Ngjarja do të kish kaluar pa gjurmë nëse skenat e turpit nuk do të ishin filmuar rastësisht dhe nëse familjarët nuk do të kishin dhënë alarmin e dhunës shtazarake që vijoi brenda në polici dhe që detyroi shtrimin e menjëhershëm të viktimës në spital.
Dhe megjithëkëtë, Tomi Misha u arrestua, prokurori i trembur nga bërtitjet e Kryeministrit në telefon bëhet shërbyes i Policisë, dhe gjyqtari nën dhunën verbale të Kryeministrit e dënon me arrest në burg pse gërvishti makinën e zv. drejtorit të policisë. Nga ana tjetër, kur filmimi i turpshëm u shfaq në media, autoritetet u mjaftuan me pezullimin e policëve, për të evituar hapjen e çështjes penale për ta, apo arrestimin për ushtrim dhune, prishje të qetësisë publike, shkelje të të drejtave të njeriut etj. Si e bëri gjumin prokurori dhe gjyqtari që dërguan në burg viktimën e dhunës bazuar në gënjeshtrën e dhunuesve?
Turp për Policinë. Turp për Qeverinë. Turp për Prokurorinë. Turp për Gjyqësorin. Në fakt, ky është turp për shoqërinë tonë. Qytetarë të Korçës shihen të kalojnë dhe nuk ndalojnë. Kjo është ose një frikë e tejskajshme dhe e turpshme, ose një nivel rrënimi i moralit tonë si shoqëri, nëse nuk na bën përshtypje një ngjarje e tillë.
Për fat të keq, kjo nuk është as ngjarje e izoluar. Kjo vjen një javë pasi dy policë shajnë dhe godasin një grua në mes Tiranës, dhe veç një ditë pasi u filmuan në Kavajë 4 policë duke rrahur në mënyrë shtazarake një qytetar, që ndërkaq ishte i prangosur. Njësoj si dhe në rastin e parë, policia ia hedh fajin qytetarit, ndërsa kur kapen të filmuar policët pezullohen dhe synohet që çështja të harrohet.
Dhuna ndaj Tomi Mishës nuk u ndal me aq, por u rrah edhe brenda në polici, ku i nxorën shpatullën dhe u detyruan ta çojnë në spital. Shtazë me uniformë që mbrohen nga sivëllezërit me imunitet.
Do dalin menjëherë papagajtë bajatë, që do thonë që policët ishin të njëjtët që ishin edhe në qeverisjen e PD, ndaj njëlloj jemi. Pa dyshim që mund të jenë të njëjtë policët, por dallimi është shumë i madh… Së pari, këta 18 muajt e fundit shefa dhe drejtorë të Policisë u bënë pa asnjë ligj apo rregull ish-krerët e Sigurimit, që nuk dinë asnjë gjuhë tjetër, veç dhunës, që nuk dinë çfarë janë të drejtat e njeriut; edhe më e rëndë bëhet çështja kur ata që emëruan këta shefa, deklaruan se “Ligji është një teknikalitet i parëndësishëm”!!! Së dyti, deri para 18 muajsh nuk kishim asnjë rast të vërtetuar që një drejtor Policie dhe ca më pak ministër të telefononte prokurorin apo gjyqtarin për të kërkuar që X person të arrestohej dhe të dënohej me burg. Për fat të keq, gjatë vitit të fundit kemi dhjetëra raste ku jo drejtori i Policisë, por vetë Kryeministri i telefonon prokurorët dhe gjyqtarët dhe i hakërrehet pse keni dënuar aq pak me burg dikë! Kjo është shumë e rëndë, pasi është ndërhyrje direkte në Gjyqësor, gjë që nuk kish ndodhur në Shqipëri qysh në kohën e komunizmit. Kjo rrënon dhe e kthen në farsë konceptin e shtetit të së drejtës, ndarjes së pushteteve dhe balancës midis pushteteve të pavarura. Natyrisht situata kthen në lolo edhe prokurorët e gjyqtarët dhe rrënon nga themelet gjithë sistemin e Drejtësisë. Nuk ia vlen të ndalem këtu edhe te manipulimi i  mediave nga kreu i qeverisë, qoftë përmes reklamave, kërcënimit të tatimeve, kasetave të gatshme, dhe telefonatat.
Ku kemi mbërritur si shoqëri? Këta që janë në pushtet vijnë të gjithë nga fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”. Po rastet e renditura me lart a janë shembuj të një shoqërie të hapur?
Situata e rendit është përkeqësuar shumë e, me sa duket, nga varfëria e tejskajshme. Vetëm në dy javët e fundit kemi dhjetëra grabitje, si Union Bank në Tiranë, supermarketi në Kamzë, pika e karburantit në Pogradec, vjedhje me armë në Lezhë, Vlorë, Novoselë etj. Na janë shtuar tritolet gjithkund dhe sërish dëgjojmë nga ministri që situata e rendit qenkësh përmirësuar ndjeshëm! A kemi mbërritur në këtë pikë si shoqëri që qeveria mund të na gënjejë kaq haptas dhe të na marrë për budallenj?
Pas aferës qindramilionëshe me CEZ, po kërkohet që paratë të mblidhen nga qytetarët me masa shpesh antiligjore dhe ndonjëherë edhe çnjerëzore. Kjo çoi deri në arrestimet e fëmijëve, në vetëvrasjet në burg të Qamil Zelës, në vetëvrasjen e Llazi Nasit, por për fat të keq veç opozita dhe Altin Goxhaj protestoi, ndërsa ato qindra OJQ që marrin paratë e donatorëve nuk u ndjenë. Nuk u ndje as Avokati i Popullit, që paguhet me paratë e taksave tona për të na mbrojtur të drejtat.  
Llazi Nasi la në dhimbje gruan dhe 3 vajza dhe u vetëvra se nuk kish të paguante 800 dollarë për energjinë elektrike, që doli se e kishin faturuar gabim. Qamil Zela u vetëvra pasi prokurorët dhe gjyqtarët nën urdhrat dhe britmat e çmendura të Ramës e dënuan me burg për më shumë se 2 muaj për vetëm 30 dollarë detyrim energjie. Ndërkaq, me dhjetëra familje jetojnë në skamje dhe nën qiell të hapur në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë. Kaq keq kemi përfunduar, saqë i heqim njerëzit si kafshë nga shtëpitë dhe i lëmë në mes të rrugës me premtime të ulëta për kompensime qesharake? Mos na ka humbur filli dhe vlerësimi për jetën e njeriut?
Por, edhe nëse do përpiqemi të gjejmë ndopak drejtësi apo respekt për njeriun në tempullin e demokracisë, aty do zhgënjehemi keq. Tri gra deputete u tërhoqën nga lista e PS së Lezhës për t’i lënë vendin një burri. PD deklaroi se gratë ishin kërcënuar me jetë dhe njërës i ishte marrë peng djali që të dorëhiqej nga mandati i deputetes. Burri që hyri si deputet ishte person i dënuar për trafiqe dhe rrëmbim personi në Itali dhe dha prova se mund ta përsëriste. Për fat të keq, në vend që të dënohej rasti, PS preferoi ta fshihte dhe të mbante heshtje. Asnjë shoqatë grash (nga ato që dalin si miza për të kërkuar fonde për cenimin e të drejtave të grave) nuk u ndje.
Farsa shkon më tej dhe deputetja në gjyq tërhoqi dëshminë e dhënë në Prokurori. Ndonëse kish deklaruar se si z. Noka edhe Pjerin Ndreu (i shkarkuar nga policia për lidhje me krimin nga vetë PS para 2005) goditi në mënyrë shtazarake deputetin Strazimiri, me sa duket u rikujtua për famën e Ndreut dhe tërhoqi dëshminë. Krimi ka mbërritur aq lart, saqë kërcënon edhe deputetet!!! Po a do të mundet më kjo grua të pretendojë se do ndihmojë ndonjë hallexhi kur ajo vetë përthyhet para krimit, që kreu i saj e ka futur në Parlament?
Në kushtet kur Policia është nën urdhra politikë, Gjyqësori shantazhohet me telefonata nga z. Rama, Parlamenti është strehë e personave me precedentë penalë dhe ku vetë deputetët e shumicës kanë frikë të jenë njerëz, ku mundet që shoqëria Shqiptare të gjejë piketat për t’u mbështetur?
Në këta 18 muaj është arrestuar 3 herë Altin Goxhaj. Arrestohet Goxhaj dhe lihet i lirë Shullazi. Ky është niveli ku kemi përfunduar? Të arrestojmë aktivistët e shoqërisë civile sikur janë kriminelë? Dhe a e dini se cila është arma e shoqërisë civile? Një celular me të cilin regjistron rastet e dhunimit të të drejtave të njeriut dhe i komunikon me gjithë shoqërinë përmes rrjeteve sociale si facebook. Për qeverinë, filmimet me celular dhe publikimi i fakteve ne facebook qenkan më të rrezikshme se armët e zjarrit? Kaq mendjengushtë jemi kthyer, saqë në vend që të dënojmë dhunimin e të drejtave të njeriut dënojmë njerëzit që i faktojnë këto dhunime?
Këto janë disa reflektime mbi nivelin e moralit në shoqërinë shqiptare 25 vjet pas rënies së komunizmit. A jemi vërtet njerëz të lirë? Ku është standardi ynë i lirisë? Cilat janë standardet morale dhe vlerat tona si shoqëri dhe si njerëz?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura