Ku je Isuf Plloçi?…

Aug 16, 2017 | 10:22
SHPËRNDAJE

ndue dedajNDUE DEDAJ

Në shuarjen e zjarreve të kësaj vere, nga administrata e lartë e shtetit spikati si i “vetëm trim në luftë” një kolonel pak i njohur për publikun, por jo për mediumet intelektuale, zoti Dritan Demiraj, prej dy muajsh në postin e ministrit të Brendshëm, që është parë disa herë në terren duke u marrë drejtpërdrejt me zjarrin dhe jo me konferenca shtypi si të tjerët. Pa dyshim meriton përgëzimin e të gjithëve Ushtria, e përfshirë në betejën me flakët në të gjithë vendin dhe cilido qytetar që dhe këtë çast kontribuon për shuarjen e zjarreve.

Pyetja e parë që të vjen ndërmend është: A kemi ne një administratë qendrore e vendore eficiente në përballimin e emergjencave të tilla? Me keqardhje duhet thënë jo. Është kohë standardesh, ndaj na duhet të shohim në përvojën e të tjerëve, si i përballon këto situata të nxehta Europa, me të cilën ndajmë të njëjtat male e pyje, por jo të njëjtat mënyra të punuari. Siç vlen të shihet dhe në traditën tonë sado modeste për të qëmtuar më të mirën.

Dikur pati rënë në përleshje me flakët një pylltar matjan, Isuf Plloçi, dhe busti i tij është mirë të ngrihet ndokund, si një kujtesë se për të ruajtur pyjet, ka gjithmonë vend për heroizëm. Isufi ishte rojtar pyjesh në Martanesh dhe në verën e vitit 1969 u vu të shuante flakët në pyje, por humbi jetën. Pak rëndësi ka ngjyrimi politik që iu dha pas rënies në krye të detyrës personit të tij. Ama sakrifica për të shpëtuar pronën publike, kombëtare, lyp përherë vlerësim e nderim.

Ashtu siç pak vite më parë se kjo ngjarje, po në Martanesh, kishin humbur jetën nga një ortek 11 sondistë duke shkuar për në punë. Fakti që po e sjellim në vëmendje aktin e rrallë të këtij punëtori pyjesh përmes këtyre radhëve ka për qëllim të sensibilizojë për një ndërgjegje tjetër nga kjo e sotmja në raste katastrofash natyrore, ku nuk ndihet nëpunësi, qytetari, publiku. Askush nuk e prish qetësinë, nuk i bie telefonit për të lajmëruar zjarrfikësit, nuk mobilizon komunitetin për të shuar zjarret, nuk merr veglat e punës për të prerë “kanal”, që të mos kalojë zjarri nga njëra faqe mali në tjetrën, por secili i bishtnon detyrës që duhet kryer në raste të tilla.

Kjo do të vlente sa mijëra deklarata për atdheun, sa valëvitja e qindra flamujve kombëtarë në ditë festive. Atdhedashja nuk ka për masë fjalët, por gjërat konkrete që bën për vendin tënd, veçmas në ditët e vështira të tij. I themi këto jo se duam të bëjmë moral, porse ka një mungesë të theksuar të qytetarisë publike. Çfarë mund të presësh nga njerëz që i vënë vetë zjarrin pyllit, që nuk pastrojnë ferrat rreth e rrotull shtëpisë apo ndërmarrjes së tyre, që djegin plehrat në skaj të qytetit etj.

Prandaj kujtohemi për Isuf Plloçin e virtytshëm, sepse jo vetëm që nuk e kemi tejkaluar atë, por e kemi humbur dhe atë kujdes që kishim për pyjet, ku më e pakta kishte gjithkund tabela që vareshin nëpër lisa: “Mbroni pyjet nga zjarri”.

Nuk themi që të shkohet mes flakëve për të dhënë jetën, por për të parandaluar zjarret në verë, ashtu si dhe përmbytjet në dimër. Vërtet ka një Emergjencë Civile, por assesi nuk mundet ajo të përmbushë detyrimet që kanë bashkitë dhe njësitë administrative të republikës, të cilat nuk janë vetëm për të dhënë informacion prefekturës dhe aq. Mirëpo qeveritarët dhe zyrtarët tanë janë në kohën e rehatisë së madhe. Si mund ta prishim ata qejfin për punën? Ta lënë plazhin për zjarret? Indiferenca po shndërrohet në mënyrë sjelljeje e ne shqiptarëve.

Apo nuk ka patur dhe “selfie” të njerëzve duke shuar zjarrin?! Për të qarë e për të qeshur. Si mund të vetëfotografohesh kur po të digjen këmbët dhe përzhitet fytyra nga flakët? Vetëm nëse gjendesh aty si në një lojë “luftash”. Dhe loja më e madhe e njerëzisë së sotme është dhënia e marrja me rrjetet sociale, vend e pa vend, që nga drejtuesit e shtetit, që prej aty i flasin botës për qeverisjen, për zgjedhjet, për zjarret e gjer mallkimet për kundërshtarët politikë.

Megjithatë, gjithmonë do të ketë sakrificë njerëzore në luftën me zjarret. Punonjësit e vjetër të pyjeve e kanë këtë “instinkt”, si tekniku pyjor Llesh Lleshi këto ditë në Mat, që pasi qëndroi me ditë e me net në shuarjen e zjarrit në malin e Trodhnës, shkoi në farmaci të merrte ilaçe. Janë parë dhe gra të moshuara në fshatrat e Lezhës me kova uji nëpër duar duke i hedhur në vatrat e zjarrit. Nga helikopterët te kovat. Asgjë për t’u habitur. Por aktet individuale nuk e shpëtojnë pyllin.

Zjarret i kanë gjetur të shprishura strukturat e dikurshme pyjore eficiente, me makina në dispozicion etj. Tani nuk ka më shërbim pyjor, stacione pyjore dhe inspektorë me uniformë nëpër zona, por disa zyra pyjore bashkiake, që ende nuk kanë marrë formë e që kanë vetëm shkresa në tavolinë, pa asnjë logjistikë për në terren. Është natyrisht dhe personeli i zonave të mbrojtura me detyra specifike në fushën e pyjeve dhe mjedisit etj., që dhe pse strukturë e re, sikur e ka gjetur “korsinë” e vet në këtë tranzicion pa cak. Ka ardhur koha që për mbrojtjen e pyjeve, o sot, o kurrë! Nëse flakët do të vazhdojnë të jenë kështu, ç’kuptim ka moratoriumi për pyjet, kur aq drurë sa do të priteshin në mënyrë të paligjshme për dhjetë vjet, i djegin zjarret e një vere? Nuk mund të ketë shtet në mëshirë të shirave. Ra shi ia hodhëm, nuk ra u dogjëm nga Dropulli në Dibër. Ligji është njëra anë e administrimit pyjor, infrastruktura pyjore është ana tjetër dhe mbi këto përkushtimi qytetar i përditshëm për pyjet e mjedisin. Ka një elitë profesorësh, specialistësh e drejtuesish pyjorë në vite që mund të dëgjohen si një këshill të urtish nga ministria përkatëse, që nga Vezir Muharremi, Kol Malaj, Nehat Çollaku, Selman Mziu, Haki Kola, Abdulla Diku etj. Nuk është se nuk dihet ajo që duhet bërë, por punët do të jenë ndryshe vetëm kur këto pasuri kombëtare si pyjet, tokat, ujërat, bregdeti, lagunat, mineralet etj. të trajtohen si të dorës së parë, siç dhe janë kudo në botën e zhvilluar, e jo si deri më tani që u janë lënë për kompensim portofolash aleatëve të qeverisjes, si dikastere të dorës së dytë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura