Ku do të përfundojë Porti i Durrësit? Çfarë parashikon marrëveshja dhe rreziku i zhvendosjes në Porto Romano!

Nov 16, 2022 | 21:23
SHPËRNDAJE

NË SHËNJESTËR/ Por ndërsa qeveria shqiptare ka hequr dorë vullnetarisht në mënyrë të pazakontë nga përfitimi i ndërtimit të komplekseve luksoze të projektit ‘Marina dhe Jahtet e Durrësit’, duke i falur 81 hektarë truall investitorit dhe duke e përjashtuar nga taksat në infrastrukturë, pikëpyetja më e madhe që ngre ky projekt, është fati i Portit të Durrësit, ku ende edhe sot qeveria shqiptare nuk ka bërë të ditura kostot e ndërtimit të portit të ri, që thuhet se do të jetë në Porto Romano.

porti-i-durresit-projekti-770x402

Një projekt i cili është kundërshtuar fort edhe ky nga ekspertët dhe nga kundërshtarët politikë të qeverisë, të cilët shikojnë te zbatimi i këtij projekti, mundësinë e një incidenti me pasoja të rënda.

Kjo, pasi porti i ri i Durrësit, do të ndërtohet pranë depozitave të gazit që ndodhen po në Porto Romano, çka mund të rriste ndjeshëm riskun e një incidenti me pasoja të paparashikueshme, duke qenë se në portin e ri, nuk do të zhvendoset vetëm porti i mallrave, por edhe terminali i pasagjerëve.

 

 

Osman Metalla, profesor i Detarisë – Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’ Durrës

“Aktualisht ne jemi para një vendimmarrje me detyrim përcaktim. Është vendosur që ky port do të kalojë në një vend tjetër pasi të jenë hapur rrugët e ndërtimit të një marine dhe nga ana tjetër nuk është përcaktuar sesi do bëhet ky kalim, kush do të paguajë për këtë kalim. Natyrisht sot i vihet në dispozicion kompanisë arabe për ndërtimin e një zone të madhe rezidenciale dhe unë e vë theksin këtu. Nuk bëhet fjalë për ndërtimin e një marine. Marina është thjesht një aksesor i zonës rezidenciale, pra i vihen në dispozicion gati 1 milionë m2 tokë. Të gjitha asetet që ka ky port i ndërtimit të marinës dhe askush nuk tregon sesi do të ndërtohet një port i ri. Ndërkohë që porti është një ndërmarrje shumë e madhe, ndërmarrje strategjike, është nyja më nevralgjike e ekonomisë kombëtare, pasi mbi 60% e eksportit të porteve të Shqipërisë hyjnë e dalin nga ky port dhe pikërisht për këtë arsye ky port meritonte më shumë vëmendje. Meriton më shumë studim dhe meriton një vendimmarrje shumë të strukturuar”.

Por duke u kthyer edhe njëherë te kostot, është akoma e paqartë se kush do të jenë financuesit e portit të ri dhe pse qeveria po i mban kaq shumë të izoluar nga informacioni publik.

Nëse nga vlerësimi paraprak është menduar që kostoja e Portit të ri të Durrësit të jetë 500 milionë dollarë, si do t’i sigurojë qeveria shqiptare këto para?

Osman Metalla, Profesor i Detarisë- Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’ Durrës

“Një investim i tillë do të ishte me shumë përfitime nëse do të ishin të përcaktuara edhe mënyrat e investimit të një porti të tillë. Të mos harrojmë portet janë një ndërmarrje e kushtueshme, janë investime strategjike të cilat kanë kosto shumë të lartë. Në kohën që po kalojmë dhe materialet e ndërtimit janë shtrenjtuar çka do të thotë dhe kostoja e ndërtimit të një porti është shumë e lartë.

Pyetja që unë shtroj sërish është kush do të paguajë për ndërtimin e këtij porti. A do të paguajë ndonjë gjë kompania arabe për ndërtimin e portit të ri apo do të paguajnë sërish taksapaguesit shqiptarë. Kjo është pyetja që unë shtroj. Kush do të paguajë për portin e ri”.

Por sipas vendimit të qeverisë Rama, projekti për Portin e ri të Durrësit, do të ndërtohet në një fazë të dytë dhe pritet të ndodhë gradualisht brenda 15 viteve.

Sipas marrëveshjes, projekti pritet të finalizohet në dy faza. Në fazën e parë parashikohet dorëzimi i pjesës së sheshit, ku thuhet se do të ndërtohen dy godina në atë që njihet si zona e Urës së Dajlanit që sot është një tokë e papërdorur nga Porti, por që pritet të kthehet në një qytet të vogël.

Relacioni i Marrëveshjes

“Dorëzimi i sheshit të projektit do të ndahet në dy faza. Dorëzimi për zhvillimin e fazës së parë të Projektit (Faza 1) do të përfshijë dorëzimin e pjesës së sheshit të Projektit të përshkruar më hollësisht në shtojcën e marrëveshjes, sipas masterplanit të miratuar dhe planit të biznesit.

Investitori strategjik do të jetë përgjegjës për lirimin fizik dhe pastrimin mjedisor të sheshit të fazës 1, me kostot e veta”.

Sipas ekspertëve, duke marrë parasysh statusin e investitorit strategjik, që i lejon të operojë pa taksa, kompania ndërtuese mund të rrisë kostot pa u shqetësuar.

Kjo për sa kohë që ato me marrëveshjen e nënshkruar me qeverinë janë të përjashtuar nga TVSH.

Çka i bën ata që të reduktojnë fitimet, një pjesë të të cilave normalisht duhet t’i marrë qeveria shqiptare.

Po sipas ekspertëve, bazuar në skemën e përgatitur, kjo mund të bëjë që kompania pasi të blejë mallrat me çmimin real, mund t’i dërgojë ato në një vend offshore.

Aty ku nga më pas mund t’u bëjë dalje nga vendi offshore në territorin kufitar shqiptar me çmimin që ajo dëshiron, duke fryrë në këtë mënyrë çmimet dhe rritur fiktivisht shpenzimet.

Osman Metalla, Profesor i Detarisë- Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës

“Nxitimi në vendimmarrje sjell disa pasoja të cilat nuk shkojnë në linjë me interesat ekonomike. Të ndërtosh ose të marrësh vendimin për të rialokuar këtë port pa pasur akoma të gjitha alternativat e duhura për të zhvendosur portin dhe pa i studiuar këto alternativa unë mendoj se nuk është një gjë e mirë. Të paktën mesa jam në dijeni nuk ka një studim të përcaktimit të vendit se ku duhet ndërtuar ky port. Të ndërtosh një port është një ndërmarrje që ndodh një herë në një shekull”.

Por duke u kthyer te ndërtimi i portit të Jahteve, një investim që thuhet të kapë vlerën e 1.49 milionë miliardë eurove, kjo është ende e paditur ende se kur do të ndodhë, pasi ky investim është i lidhur ngushtësisht me zhvendosjen e Portit të Durrësit.

Ku sipas parashikimeve, thuhet se qeverisë do t’i duhen të paktën 5 vite për të kryer zhvendosjen e Portit të Durrësit, në territorin e ri dhe vetëm pas kësaj zhvendosje, porti i Jahteve do të zgjerohet me një sipërfaqe edhe më të gjerë.

Ndërkohë që terminali i pasagjerëve që sot ndodhet në Portin e Durrësit pritet të qëndrojë aty, ndërsa ridimensionimi e tij thuhet se do të kryhet në një fazë të dytë të zbatimit të projektit.

Relacioni i Marrëveshjes

“Zhvillimi i projektit do të jetë gradual, me faza dhe sipas dakordësisë dhe kushteve të parashikuara në marrëveshjet mes palëve, duke mos cenuar aktivitetin e përpunimit të mallrave në portin ekzistues.

Në harmoni me këto faza zhvillimi, do të ndodhë dhe transferimi gradual i aktiviteteve tregtare në portin e ri të integruar të Durrësit në Porto Romano, i personelit operacional, doganor dhe të sigurisë”.

Ndërsa siç e thamë edhe më herët, sot e vetmja gjë që dihet e sigurt është se përjetësimi në kulla shumëkatëshe i Portit aktual të Durrësit, nuk do të bëjë asgjë tjetër vetëm se do të riaktivizojë idenë e vjetër të qeverisë Rama për ta kthyer këtë projekt në një shans të artë për kanalizimin e parave informale, në një nga zonat më të preferuara bregdetare të Shqipërisë.

Osman Metalla, profesor i Detarisë- Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’ Durrës

“Nuk di të them nëse këtu bëhet fjalë për marrëveshje klienteliste apo favorizuese por mund të them që ky projekt ka dritëhije, nuk ka transparencë, vendimmarrja ka qenë e nxituar dhe të gjitha këto të bëjnë të mendosh shumë e shumë gjëra të tjera. Ndoshta qëllimi i mirë për të bërë një port apo marinë, gjërat janë bërë me nxitim, nuk e di këtë pjesë, nuk e them dot dhe nuk e marr përsipër të them, por ajo që unë them realisht vendimmarrja ka qenë e nxituar, transparenca nuk është ajo që duhet”.

Por ndërsa këto mbeten oponenca e zërave të ekspertëve, Porti i Durrësit, nuk kishte si t’i shpëtonte retorikës së fortë politike.

Duke u kthyer në axhendën e politikës së ditës dhe një përplasje të madhe në Kuvend, ku edhe këtë herë nuk munguan akuzat e forta të ndërsjella.

Madje gjuha e opozitës shkoi deri aty sa e quajti një projekt në shërbim të Serbisë dhe interesave të Presidentit të saj, Aleksandër Vuçiç.

Sali Berisha, kryetar i PD

“Afera e Durrësit, është aferë Vuçiç-Rama-Rama-Vuçiç.

Se prapa aferës së Durrësit qëndron Bratja Kariç, të sanksionuar nga Bashkimi Evropian, SHBA, Britania e Madhe, dhe që tani bëjnë biznes me Holdingun e Emirateve të Bashkuara që ka blerë kompanitë e tij, se bashku me Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçiç.

Dubai i Edi Ramës në Durrës, është megaafera më e madhe sot në Europë. I një njeriu që shkatërron interesat e vendit të tij për të mbushur xhepat e Aleksandër Vuçiç, i jep portin mijëra vjeçar. Kjo është e vërteta. Flamuri i tij është flamuri i Serbisë. Flamuri i vjedhjes, Atdheu i tij është Beogradi”.

Por kush janë vëllezërit Kariç, që Sali Berisha përmendi në Kuvend dhe cila është lidhja e tyre me atë që opozita e quan megaafera e Portit të Durrësit.

Sipas të dhënave që disponohen, vëllezërit Bogoljub dhe Dragomir Kariç thuhet se ishin një nga familjet më të pasura dhe më me ndikim në vitet ‘90 në Serbi, periudha, kur ky vend udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviç.

Madje thuhet se ata ishin sponsorë të regjimit gjakatar të atij që më pas u cilësua si ‘Kasapi i Ballkanit’, por zbehja e rolit të Millosheviç, mesa duket solli pa kthim edhe rënien e familjes Kariç në Serbi.

Por ndërsa fuqia e tyre u zbeh në Serbi, thuhet se biznesmenët Kariç rigjetën forcat, duke u ngjitur në industrinë bjelloruse të pronave duke siguruar nga aty përfitime të mëdha nëpërmjet firmës së tyre ‘Dana Astra’, gjë të cilën thuhet se e arritën falë lidhjeve me presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko.

Pavarësisht problemeve që njëri prej vëllezërve, Bogoljub Kariç, kishte në Serbi, ku u akuzua për evazion fiskal dhe pastrim parash, autoritetet serbe e pezulluan çështjen ndaj tij.

Çka bëri që ai të kthehej në Serbi, ku më herët kishte kandiduar edhe në zgjedhjet presidenciale.

Ndërkohë që biznesi i tij në Bjellorusi thuhet se vazhdonte të lulëzonte falë miqësisë me presidentin, Aleksandër Lukashenko.

Ndërkohë që në një dalje të tij të fundit në dhjetor 2021, Dragomir Kariç e cilësoi Lukashenkon si Presidentin e tij.

Ndërsa tha se “shumë kompani perëndimore ende punojnë indirekt me Bjellorusinë përmes vendeve të treta. Sepse biznesi është si uji: ju nuk mund ta ndaloni atë, ai do të gjejë rrugën e tij”.

Por ndërsa emri i tij po lakohet gjithmonë e më shumë në ambientin politik shqiptar si i përfshirë në megaaferën e Portit të Durrësit, qeveria ka vendosur t’i injorojë këto zëra.

Madje kryeministri Rama zgjodhi t’i përgjigjet akuzave të Berishës në mënyrë retorike dhe të ashpër.

Edi Rama, kryeministër

“I hyhet në mënyrën më barbare, më të shëmtuar, më skizofrene, nga një nongrata, nga një llum.

Nuk kemi miratuar asgjë. Ne kemi futur për diskutim me procedurë të përshpejtuar një marrëveshje strategjike”.

Po ndërkohë që kryeministri Rama zgjodhi këtë gjuhë për t’iu përgjigjur kundërshtarëve të tij politikë, në fjalën e saj në Kuvend, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, tha se Porti i ri i Durrësit, do t’i shërbejë projektit të ‘Ballkanit të Hapur’.

Belinda Balluku, zëvendës kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës

Nuk do t’i shërbejë vetëm Shqipërisë, por edhe Kosovës. Porti i Durrësit do të lidhet përmes një hekurudhe me Portin e Thatë që po ndërtohet në Kosovë. Do t’i shërbejë edhe Maqedonisë së Veriut, por edhe Serbisë, si pjesë e “Ballkanit të hapur”. Nuk jemi pjesë e asnjë lobimi. Ne lobojmë vetëm për shqiptarët”.

Por cili do jetë fati i Portit të Durrësit, pas këtyre akuzave të ndërsjella?

A do të vazhdojë qeveria t’i qëndrojë me këmbëngulësi projektit të saj?

Dhe a do jetë ky projekt afera e radhës e korrupsionit, për të cilën do flitet gjatë?

Kjo mbetet për t’u parë.

Pasi ajo që duket në sipërfaqe, duket të jetë vetëm hija e korrupsionit, pasi askush nuk mund të thotë se sa të gjatë mund ta ketë shtatin dhe në cilat xhepa përfundon hija e kësaj afere.

Osman Metalla, Profesor i Detarisë – Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’ Durrës

“Unë nuk gjej arsye përse një linjë e konsoliduar që funksionon sot nga një port tjetër të shkëputet dhe të vijë  për të përpunuar mallrat e tij nëpërmjet portit të Durrësit, në një kohë që linjën e ka, koston tarifat i ka të përcaktuara. Nuk ka ndonjë arsye madhore. Vetëm nëse ndodhin ngjarje të mëdha gjeopolitike atëherë mund të kemi një spostim të rëndesës apo të gravitetit të lëvizjes së mallrave në rajon. Kjo ndoshta do të ishte një arsye, por deri në këtë moment nuk shoh ndonjë arsye”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura