Kthimi

Sep 7, 2021 | 8:30
SHPËRNDAJE

leonard demiLEONARD DEMI

Më 30 gusht mbaroi lufta më e gjatë e Shteteve të Bashkuara dhe e NATO-s, e cila zgjati njëzet vjet. Në këtë shkrim dëshiroj të njoh lexuesin me qëllimin e ndërhyrjes të Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s në Afganistan, duke u dhënë përparësi marrëdhënieve transatlantike, që lidhen pazgjidhshmërisht me rrugëtimin tonë: të Shqipërisë dhe të Kosovës.

1. FILLIMI

Lufta në Afganistan nisi si përgjigje ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara dhe kur NATO aktivizoi, për herë të parë, Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit: “Sulmi kundër një anëtari është sulm kundër të gjithëve”. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët ndërhynë në Afganistan me një objektiv të mirëpërcaktuar: të ndalonin terroristët dhe Al Kaedën të përdornin Afganistanin si strehë të sigurt për të ndërmarrë sulme të mëtejshme kundër vendeve demokratike dhe qytetarëve të tyre. Në këtë përpjekje të armatosur, Shtetet e Bashkuara dhe NATO patën mbështetjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të komunitetit botëror.

Trupat ushtarake, në bashkëpunim me forcat lokale, rrëzuan talebanët nga pushteti për 60 ditë. Në këtë operacion u vranë vetëm katër trupa amerikanë. Operacioni u konsiderua si model ndërhyrjeje dhe për dy dekada, nga Afganistani nuk është organizuar asnjë sulm terrorist kundër ndonjë vendi të Aleancës.

Pasi arrihet objektivi, për të parandaluar përsëritjen e sulmeve, strategët venë në dukje se forca ndërhyrëse ndodhet në udhëkryq. Ajo duhet të zgjedhë ndërmjet (i) pushtimit të përhershëm, (ii) pushtimit periodik ose (iii) angazhimit për të ndihmuar në ngritjen e një regjimi pasardhës minimalisht të aftë për të siguruar paqe brenda vendit dhe me fqinjët e vet. Administrata e Presidentit Bush zgjodhi opsionin e tretë.

2. MARRËVESHJA

Më 29 shkurt 2020, në Doha, Katar, Shtetet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje me talebanët, ku ranë dakord t’i jepnin fund pranisë ushtarake në Afganistan dhe të gjitha forcat e NATO-s do të largoheshin deri më 1 maj 2021. Të gjithë aleatët e NATO-s e miratuan marrëveshjen.

Presidentit Biden dhe administrata e re amerikane qëndronin para dy alternativave: të zbatonin marrëveshjen e Dohas dhe të tërhiqnin trupat ushtarake, apo të përshkallëzonin konfliktin dhe të dërgonin përsëri në Afganistan me mijëra trupa të tjerë amerikane për t’u zvarritur në dekadën e tretë të konfliktit.

3. LARGIMI

Nga muaji shkurt deri në prill të këtij viti, Aleanca, pasi u konsultua gjatë me administratën e re amerikane, arriti në përfundimin se kishte ardhur koha për t’i dhënë fund pranisë ushtarake dhe misionit të vet në Afganistan, e ndërgjegjshme për rreziqet dhe mundësinë që talebanët të rimerrnin kontrollin e vendit (ky vendim është diskutuar edhe në takimin e G7-ës në Kornuoll, Angli, më 11-13 qershor). Ashtu siç tha Sekretari i Përgjithshëm i NATOs, Aleanca shkoi së bashku dhe u largua së bashku.

Në qoftë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të vendosnin të qëndronin, gjasat ishin të rrisnin numrin e trupave dhe të forcave të NATO-s për t’u angazhuar, edhe një herë, në luftime, që do të kishin mbajtur të angazhuara, kryesisht, forcat amerikane dhe inteligjencën e tyre, vëzhgimin, zbulimin dhe sisteme të tjera mbështetëse tepër të rëndësishme. Kësisoj, Shtetet e Bashkuara do të qëndronin të bllokuara në Afganistan, të përfshira në një konflikt të pashpresë, duke u përpjekur të mënjanonin edhe shqetësimet e Kinës, Iranit dhe Rusisë ndaj terrorizmit të atjeshëm. D.m.th., ose më shumë luftime, më shumë trupa dhe një prani ushtarake të pakufizuar të NATO-s, ose të largoheshin.

Vendimi i Biden për t’u larguar rizgjoi një nga debatet më të nxehta pas 11 shtatorit 2021: a do të konsiderohej dobësi tërheqja nga Afganistani, a do të provokonte ndonjë agresion, a do të dëmtonte aftësinë e Amerikës për të udhëhequr në skenën ndërkombëtare? Apo do të ishte një reformim i domosdoshëm i interesit kombëtar, që do ta sillte Amerikën në një pozitë më të mirë për të përballuar sfidat e reja të shekullit 21, si dhe t’u bënte të qartë aleatëve dhe kundërshtarëve të vet se për çfarë janë apo nuk janë të gatshëm Shtetet e Bashkuara të shpenzojnë fondet dhe asetet e tyre?

Studiues dhe strategë amerikanë theksojnë se Administrata e Presidentit Biden kishte të drejtë t’i jepte fund luftës. Përfundimi i kësaj lufte njëzetvjeçare do t’i krijojë mundësi Uashingtonit të përqendrohet më shumë në përparësi më të mëdha. Ndërsa ushtari i fundit amerikan largohej nga Afganistani, pjesa më e madhe e opinioneve të shprehura në rrjetet dhe të përditshmet amerikane, mbështesnin vendimin parimor të Presidentit.

4. KOSTOT

Në çdo luftë, humbjet njerëzore nuk kanë kosto, ato janë të pallogaritshme. Në Afganistan u vranë 2461 ushtarë e oficerë amerikanë, ndërsa të kontraktuar 3846; 1144 trupa aleatë dhe 72 gazetarë (humbjet e popullsisë afgane janë shumë më të larta).

Shtetet e Bashkuara financuan pjesën dërrmuese të shpenzimeve në Afganistan, mbi 1 trilion dollarë (kostoja e përgjithshme është dy herë më e madhe, rreth 2.2 trilionë). Nga viti 2010 deri në vitin 2012, shpenzimet luftarake arritën pothuajse 110 miliardë dollarë në vit ose në Afganistan janë shpenzuar 300 milionë dollarë në ditë, çdo ditë, për dy dekada me radhë, apo 50,000 dollarë për çdo afgan (rreth 40 milionë vetë).

Sipas studimeve të universiteteve Harvard dhe Braun mbi “Kostet e Luftës”, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të paguajnë më shumë se 2 trilionë dollarë për kujdesin shëndetësor, paaftësinë dhe disa kosto të tjera për rreth 4 milionë veteranë të Afganistanit dhe të Irakut. Këto shpenzime do të fillojnë të pakësohen vetëm pas vitit 2048 (Kennedy School of Government, Harvard University dhe Brown University Costs of War).

Për shumicën e vendeve europiane anëtare të NATO-s, shpenzimet financiare janë të vështira për t’u llogaritur. Dy nga aleatët më të fuqishëm të NATO-s, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania shpenzuan, respektivisht, rreth 21 miliardë sterlina deri në vitin 2014 (pas kësaj date vlerësimet angleze nuk janë të disponueshme) dhe rreth 16.4 miliardë euro deri në fund të vitit 2018.

5. ÇFARË NDODHI DHE PSE?

Ajo që ndodhi në Afganistan, pa dyshim, që ngre pyetje të forta lidhur me angazhimin aleat: si mund të shkatërroheshin kaq shpejt Forcat e Sigurisë të Afganistanit (ASF), një ushtri e madhe dhe e pajisur mirë? Ajo që pamë javët e fundit, ishte një rrënim ushtarak dhe politik me një shpejtësi të paparashikuar. Edhe pse një pjesë e forcave afgane të sigurisë luftuan, nuk qenë në gjendje të siguronin vendin. Nga ana tjetër, udhëheqja politike afgane nuk arriti t’u bëjë ballë talebanëve dhe të gjente një zgjidhje paqësore, që populli e dëshironte dëshpërimisht.

Një analizë objektive kërkon kohën e vet, por shumë studiues mendojnë se faktorët kryesorë që çuan në kolaps janë: humbja e fokusit strategjik, lidershipi afgan mjaft i dobët, përçarjet e thella ndërmjet udhëheqësve politikë afganë, të cilët u dorëzuan dhe u larguan nga vendi; korrupsioni sistematik dhe i kudogjendur, padrejtësitë e mëdha dhe përpjekjet për të kënaqur interesin vetjak në çdo nivel të administratës civile dhe hierarkisë ushtarake që nga kryeqendrat e Distrikteve deri te pikat e kontrollit rrugor, përfshirë kryetarët e qarqeve dhe komunave; të cilët vodhën tokë, shpërndanë poste qeveritare për të përfituar dhe shpeshherë mashtruan forcat e operacioneve speciale amerikane për të goditur rivalët e tyre politikë. Ushtria afgane bëri marrëveshje me talebanët: të kapitullonte dhe t’u jepte të gjitha armatimet moderne në shkëmbim të parave. Një zyrtar vlerëson se, që nga viti 2001, 40% e ndihmës amerikane për Afganistanin përfundonte në xhepat e zyrtarëve të korruptuar, komandantëve të qarqeve dhe komunave, kriminelëve dhe rebelëve. Sidoqoftë, analiza institucionale e hollësishme dhe objektive do t’u japë përgjigje të gjitha arsyeve që shkaktuan kolapsin e papritur.

6. ROLI I PAKISTANIT

Politika dhe veprimtaria në dy plane e Pakistanit është një nga faktorët kryesorë, që ndikuan në precipitimin e situatës në Afganistan. Pavarësisht partneritetit me Shtetet e Bashkuara, Pakistani mbështeti talebanët për dekada me radhë. Vetë Kryeministri Imran Khan përshëndeti fitoren e talebanëve, duke theksuar se Afganistani “theu prangat e skllavërisë mendore”.

Strategjia e Pakistanit në Afganistan është përcaktuar kryesisht nga rivaliteti indiano-pakistanez: si në drejtimin politik, ashtu edhe në atë taktik. Rebelimi i gjatë i talebanëve dhe marrja e shpejtë e Afganistanit janë të lidhura ngushtë me Pakistanin. Ushtria pakistaneze ishte financuese e talebanëve, strehuesja e tyre e sigurt. Pakistani ngriti dhe drejtoi kampe trajnimi për talebanët, si dhe i aftësoi për planifikim luftarak. Udhëheqësit talebanë jetonin dhe bënin biznes në Pakistan, ndërsa luftëtarët e plagosur kuroheshin në spitalet e tij. Kjo mbështetje minoi thelbësisht përpjekjet e ndërhyrjes të aleatëve në Afganistan. Vetë ministri i Brendshëm i Pakistanit, në korrik të këtij viti, pranoi se familjet talebane jetonin në rrethinat e Islamabadit (“Financial Times”).

Në pjesën më të madhe të gjysmëshekullit të kaluar, Pakistani përgatiti militantë në Afganistan. Fraksionet që krijuan talebanët mbajtën lidhje të ngushta logjistike dhe taktike me agjencitë pakistaneze, pasi një pjesë e madhe e këtyre luftëtarëve kishin lidhje etnike dhe fisnore në të dyja anët e kufirit, që ndan Afganistanin me Pakistanin. Ka mundësi që këto rrjete t’i kenë krijuar mundësinë kryeterroristit Osama Bin Laden, themeluesit të Al-Kaedës, të strehohej jo shumë larg akademisë kryesore ushtarake të Pakistanit, derisa forcat speciale të marinës (Navy Seals) të Shteteve të Bashkuara e vranë, dhjetë vjet më parë.

Po kështu, personalitete si Hamid Karzai dhe Ashraf Ghani, që shërbyen si presidentë të Afganistanit, nuk i solli Uashingtoni, por ata erdhën nga Islamabadi me mbështetjen e plotë dhe entuziaste të Pakistanit.

Politologë dhe diplomatë të njohur pakistanezë mendojnë se këto zhvillime do ta largojnë Pakistanin edhe më nga funksionimi si një vend normal, d.m.th., Pakistani do të vazhdojë të jetë jofunksional brenda vendit dhe politika e tij e jashtme do të jetë e mbërthyer nga dy faktorë: (i) nga armiqësia ndaj Indisë dhe (i) varësia nga Kina. Shtetet e Bashkuara nuk kanë gjasa që të harrojnë shpejt mbështetjen dhe përpjekjet e Pakistanit për të fuqizuar talebanët gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit.

7. MARRËDHËNIET TRANSATLANTIKE

Lëshimi i Afganistanit, pa dyshim, që do të ketë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare të Amerikës, por për një kohë shumë të shkurtër. Në qoftë se në vend të gazetave do të hapim historinë, do të shikojmë se pas tërheqjes nga Saigoni, më 1975, Shtetet e Bashkuara rifituan pozitën e tyre ndërkombëtare dhe i gjithë blloku lindor u rrëzua në më pak se një dekadë më pas.

Në një kohë si e sotmja, kur kërcënimet globale po rriten, Shtetet e Bashkuara dhe Europa do të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin transatlantik të përtërirë nga administrata Biden dhe Afganistani apo ngjarjet në aeroportin e Kabulit nuk do ta pengojnë atë.

MË TË FORTË SË BASHKU

Shtetet e Bashkuara dhe Europa do të kenë qëndrime të ndryshme në shumë drejtime, por, si demokraci liberale dhe shoqëri të hapura, janë të vendosura t’u bëjnë ballë kundërshtarëve agresivë dhe autoritarë, të ruajnë institucionet ndërkombëtare dhe sistemin global të tregtisë; të mbrojnë të drejtat individuale, liritë tregtare, sistemin e tyre demokratik dhe autonominë strategjike. Kur vendet armiqësore do të bëhen më agresivë, vendet perëndimore duhet të forcojnë radhët dhe të punojnë më shumë së bashku.

Sot, Amerika bashkëpunon me Europën jo vetëm për çështje globale urgjente, por në një sërë drejtimesh me interes jetik si: (i) për të përmbajtur Rusinë, e cila kërcënon me këmbëngulje interesat e shumë vendeve europiane kufi me të; (ii) për të përballuar kërcënime të tjera, që zënë fill nga terrori islamik, (iii) ndryshimet klimatike; (iv) krizat e emigracionit, (v) pasigurinë kibernetike, (vI) epidemitë e reja etj. Politologë të ndryshëm mendojnë se faktorë të tillë si gjeografia, demografia dhe, relativisht, fuqia dhe dobësitë ekonomike, do të përcaktojnë shkallën e rrezikut dhe shpejtësinë e masave, që duhet të marrin të dy palët për t’i përballuar. Sidoqoftë, këtu, një gjë është krejt e qartë: Europa dhe Amerika kanë interes të përbashkët për të eliminuar këto rreziqe.

Po kështu, të dyja palët kanë nisur të realizojë angazhimet e samitin të Kornuollit si: krijimin e Këshillit të Tregtisë dhe Teknologjisë BE-SHBA, ngritjen e një Task Force BE-SHBA për prodhimin dhe furnizimin me vaksina COVID, si dhe projektin e BE-së për të lëvizur më shpejt trupat ushtarake në Europë.

Për suksesin e kësaj përpjekjeje, Amerika dhe Europa janë të shtrënguara të punojnë edhe për miratimin e traktateve të reja për menaxhimin e internetit, riangazhim për të luftuar terrorizmin, për një Organizatë Botërore Tregtare të reformuar, qëndrim të përbashkët ndaj Rusisë dhe Kinës, si dhe koordinimin e luftës kundër krimit kibernetik, pandemive, trafikimit, kontrabandës dhe emigracionit të paligjshëm.

Në lidhje me Kinën, Europa dëshiron të ruajë eksportet e veta, por, ashtu si Shtetet e Bashkuara, ajo do të përballet me spiunazhin industrial, sulmet kibernetike dhe presionin diplomatik mbi institucionet ndërkombëtare. Nëse Perëndimi është serioz në lidhje me kërcënimet kibernetike kineze, atëherë duhet të reformojë tregjet e telekomunikacionit të Shteteve të Bashkuara dhe të Europës për të siguruar kapacitetet e veta dhe për të zvogëluar varësinë nga kompani si “Huawei”.

Situata në Afganistan, siç edhe pritej, ka risjellë çështjen e “autonomisë strategjike” që kërkon BE. Kjo autonomi është e dobishme përderisa nuk dëmton marrëdhëniet transatlantike. Ajo duhet të jetë komplementare me NATO-n dhe e aftë të marrë një përgjegjësi më të madhe kolektive për interesat e posaçme europiane, si: në Afrikën e Veriut, në Sahel dhe në Mesdheun Lindor. E njëjta gjë vlen edhe për të ardhmen e Afganistanit. Nëse gjendja nuk do të stabilizohet me shpejtësi dhe vendi do të shkojë drejt luftës civile, Afganistani mund të rikthehet në një inkubator të terrorizmit ndërkombëtar dhe do të jetë për Europën një burim në rritje refugjatësh, emigrantësh dhe radikalësh. Përpjekjet për të mënjanuar këto rreziqe, do ta bënin “autonominë më të madhe strategjike të Europës” një suplement për një marrëdhënie më të fortë transatlantike.

Bashkimi Europian është i ndërgjegjshëm se Shtetet e Bashkuara janë forca më e madhe ushtarake në botë, superfuqia e saj ekonomike dhe nxitësja e novacionit dhe zbulimit. Ndryshimi i balancës globale të forcave, veprimet agresive të Rusisë dhe ngritja e Kinës e bëjnë edhe më të rëndësishme forcimin e lidhjeve transatlantike.

8. QËNDRIMI I KINËS DHE RUSISË

Tërheqja nga Afganistani ka provokuar kudo një diskutim mbi rolin e Amerikës në botë. Në një kohë kur aleatët europianë në NATO po diskutojnë për të luajtur një rol më të madh në çështjet e sigurisë, Rusia dhe Kina po shqyrtojnë mundësinë se si të fuqizojnë interesat e tyre në Afganistanin e udhëhequr nga talebanët.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë të mos nxitojnë për të njohur talebanët. Moska dhe Pekini nuk kanë dhënë ndonjë siguri dhe po përpiqen për marrëdhënie miqësore me ta. Diplomatët kinezë dhe rusë kanë ndjekur ngjarjet në Kabul, duke peshuar me kujdes çështjet me interes, që duhet të planifikojnë për t’i diskutuar me qeveritarët e rinj të Afganistanit.

Largimi i shpejtë i pranisë ushtarake aleate nga Afganistani ka krijuar një vakum të jashtëzakonshëm pushteti, që tmerron disa nga fqinjët e vet, si Uzbekistanin dhe Taxhikistanin, por u ofron mundësi Rusisë dhe Kinës. Një veçori tjetër, tepër e rëndësishme, që i favorizon të dyja këto vende, është e drejta e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që, në fakt, Pekini e ka kthyer në një strukturë të pafuqishme kundër abuzimeve të veta me shkeljen e të të drejtave të njeriut.

8.1 RUSIA

Zhvendosja e ekuilibrit të forcave në Afganistan është kthyer në një magnet për Rusinë. Tani, ajo po sheh mundësinë për një ndikim më të madh te talebanët, por me një rivalitet më të kujdesshëm me Kinën.

Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm rus, i përcolli pozitivisht garancitë politike të talebanëve për një qeveri gjithëpërfshirëse. Ai e zëvendësoi përcaktimin “terrorist”, që Rusia i ka bërë këtij grupi, duke e quajtur “një forcë politike e njohur”. Ndërsa, ambasadori rus në Afganistan, Dmitri Zhirnov, e ka konsideruar gjendjen “paqësore dhe të mirë, gjithçka është qetësuar në qytet; … është më mirë se sa me Presidentin Ashraf Ghani”. Ai, gjithashtu, përgatitej të ftonte udhëheqësit talebanë në ambasadën ruse. Kurse, Zamir Kabulov, përfaqësuesi i posaçëm i Presidentit Putin për Afganistanin, i tha televizionit shtetëror rus: “Unë jam i bindur se talebanët janë shumë më të aftë të arrijnë marrëveshje sesa qeveria kukull e Kabulit dhe kjo pritej”. Ai shtoi se Rusia, në një kohë të përshtatshme, do të njohë qeverinë talebane.

Javët e fundit, Rusia ka kryer stërvitje ushtarake në kufijtë e Afganistanit dhe ka njoftuar një stërvitje ushtarake njëmujore në Taxhikistan, që ndan me Afganistanin një kufi prej 1200 km dhe ku ndodhet baza më e madhe e Rusisë jashtë vendit. Moska po rrit praninë e vet ushtarake dhe diplomatike në Azinë Qendrore me synim që të parandalojë dhunën radikale talebane të destabilizojë ish-republikat sovjetike dhe të depërtojë në Rusi, sidomos në rajonet me popullsi myslimane, në qoftë se Afganistani do të përfshihet sërish në luftë civile.

Instituti rus i Studimeve Strategjike tërheq vëmendjen se talebanët nuk do të jenë në gjendje të sigurojnë stabilitet në Afganistan pasi është mjaft i përçarë, fuqitë rajonale dhe më gjerë do të vazhdojnë të shfrytëzojnë përçarjet e brendshme, të cilat thellohen edhe nga grupe të tjerë të armatosur, që nuk janë të gatshëm t’u binden talebanëve.

Kremlini i frikësohet një dyndjeje refugjatësh në vendet fqinje me Afganistanin dhe, sidomos, në rajonet ruse me popullsi myslimane, sepse ata do të përpiqen t’i kthejnë këto territore në strehë të sigurta për grupet xhihadiste, që do të kërcënonin ndikimin e Rusisë në një rajon, të cilin ende e konsideron si oborrin e shtëpisë së vet. Prandaj, Presidenti rus e ka kritikuar idenë për të sistemuar refugjatët afganë në vendet fqinje të Azisë Qendrore (pranë Rusisë) derisa t’u përgatiten vizat për në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë. Ai nuk do që në këto vende të mbërrijnë “militantë nën petkun e refugjatëve”, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve. Po kështu, ministri Lavrov ndërmori një tur në këto vende për t’u siguruar se asnjë syresh nuk do të bëjë marrëveshje individuale me amerikanët për të pranuar refugjatë.

8.2 KINA

Në 28 korrik të këtij viti, Mullah Baradar, bashkëthemelues i talebanëve dhe zëvendës i parë i Liderit Suprem, Mullah Hibatullah Akhundzada, kryesoi delegacionin e talebanëve në qytetin Tianxhin të Kinës, ku u prit nga ministri i Jashtëm i Republikës Popullore të Kinës, Wang Yi.

Vetëm disa orë pas kapjes së Kabulit, një zëdhënës i Pekinit tha se Kina ishte “gati për bashkëpunim miqësor dhe për një rol konstruktiv në Afganistan” nga ana tjetër, talebani Suhail Shaheen, që luan rolin e zëdhënësit, kumtoi se Kina ishte e mirëpritur “të merrte pjesë në rindërtimin e vendit”

Afganistani, prej kohësh, i ka rezistuar nënshkrimit të nismës së Kinës për ndërtimin e infrastrukturës (China’s Belt and Road), duke shqetësuar mbështetësit perëndimorë të saj. Tani situata mund të ndryshojë. Pekini po ndërton një rrugë përmes korridorit Wakhan, që lidh Xinjiang-un me Afganistanin dhe, më pas, me Pakistanin dhe Azinë Qendrore, e cila, sapo të përfundojë, do të lehtësojë shumë projektet tregtare dhe minerare të Kinës; e cila është e joshur, veçanërisht, nga litiumi dhe mineralet e tjera të çmuara, që Afganistani ka me bollëk. Ndoshta, ky interes mund të ringjallë “Lojën e Madhe” (rivalitetin strategjik midis Anglisë dhe Rusisë për epërsi në Afganistan dhe territoret përreth).

Në vitin 2010, Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) zbuloi në Afganistan rezerva minerare dhe vajgurore vlera e të cilave i tejkalon 1000 miliardë dollarë ose baras me 50 herë GDP-në e këtij vendi. Ato mund ta kthejnë Afganistanin në “Arabinë Saudite të litiumit”, vinte në dukje një memo e brendshme e Pentagonit në vitin 2012. Me pak fjalë, nëntoka afgane përmban shumë minerale të domosdoshme për prodhimin e automjeteve elektrike dhe teknologjinë e tranzicionit energjetik apo të teknologjive ushtarake. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), deri më 2040, kërkesa globale për litium do të rritet 40 herë. Në vitin 2020, ky metal u përfshi në listën e 30 materialeve të konsideruara “kritike” për pavarësinë energjetike të BE-së.

Kinezët kanë mundësi ta bëjnë këtë gjë dhe po përgatiten, vërejnë ekspertët ndërkombëtarë. Talebanëve u nevojiten para dhe, pas disa vitesh ngurrim, kinezët do të zgjidhin qesen. Ata do ta bëjnë këtë edhe kundër amerikanëve. Zëdhënësja e Partisë Komuniste kineze i bëri të ditur tabloidit “Global Times”: “As që bëhet fjalë që Shtetet e Bashkuara të angazhohen në një bashkëpunimin midis Kinës dhe Afganistanit, edhe pse kemi të bëjmë me metale të rralla”. Po kështu, Kina po shikon mundësinë të mbështesë Pakistanin për t’u ofruar talebanëve një port detar pakistanez.

9. PËRPARIMI

Prania e Amerikës, NATO-s dhe mbështetja e gjithë komunitetit ndërkombëtar u dhanë mundësi afganëve të bëjnë një përparim të pashembullt social, ekonomik edhe politik. Çdo qeveri afgane, që do përpiqet ta zhbëjë këtë përparim, rrezikon izolim ndërkombëtar.

Sot, Afganistani jo vetëm që është shumë më i lidhur me botën, por është i lidhur edhe brenda vendit. Talebanët nuk do ta kenë aq të lehtë t’i fshehin botës apo pjesës tjetër të popullsisë afgane abuzimet e tyre. Në vitin 2001, në Afganistan, pothuajse, askush nuk kishte telefon celular. Tani e kanë më shumë se 70 % e afganëve. Sipas një studimi të kryer nga “Internjuz” (Internews) në vitin 2017, media sociale e Afganistanit “tashmë po mbështet dhe përhap ndryshimin sepse ajo është kthyer në një platformë mediatike, që denoncon korrupsionin dhe padrejtësitë. Duke i dhënë mundësi çdo përdoruesi të shprehë një opinion, ajo tërheq vëmendjen tek ato shkaqe, që ende nuk janë eliminuar”.

Shtetet e Bashkuara kanë transformuar arsimin afgan dhe numri i vajzave dhe grave që ndjekin shkollën dhe universitetin dhe që punojnë ka një rritje eksponenciale. Sot, ato studiojnë gjithçka, që nga mjekësia deri te pikturat në miniaturë.

Nga viti 2001 e deri sot, në Afganistan është rritur një brez i ri burrash dhe grash të aftë të marrin arsim, të marrin pjesë në procesin politik, të drejtojnë bizneset e tyre dhe që i gëzohen një medie energjike. Afganistani i sotëm është shumë i ndryshëm nga Afganistani i vitit 2001. Pra, këto ndryshime nuk mund të zhbëhen lehtë, por sikur të gjithë afganët e arsimuar të përpiqen të emigrojnë, përfshirë nëpunësit civilë, hidraulikët, elektricistët, ekspertët e riparimit të kompjuterëve dhe mekanikët e makinave, vendi do të mbetet në duart e një grupi talebanësh, pothuajse analfabetë

10. TERRORIZMI

Një nga arritjet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve gjatë këtyre 20 viteve është fakti që luftuan dhe shkatërruan grupet terroriste në Afganistan. Al-Kaeda pothuajse nuk ekziston, është shumë më e dobët sot se ç’ishte kur filloi operacioni ushtarak. Sidoqoftë, ende ekziston rreziku që grupe radikale afgane të përdoren kundër Perëndimit.

Po të shqyrtojmë aftësitë e talebanëve të sotëm dhe Al Kaedës, balanca e fuqisë ka ndryshuar në favor të talebanëve, gjë që u vu re gjatë rimarrjes të Kabulit. Nga ana tjetër, talebanët, pas njëzet vjetësh pa pushtet, ndoshta nuk dëshirojnë të tërheqin rrufetë e superfuqisë kineze fqinjë dhe as ato të superfuqisë të hershme ruse, që është ende shumë vigjilente ndaj ish-republikave të veta të Azisë Qendrore, fqinjë me Afganistanin dhe, veçanërisht, ndaj rajoneve të veta me popullsi myslimane.

Pos kësaj, deklarimet e personaliteteve të larta amerikane dhe europiane tërheqin vëmendjen se, sot, një kërcënim terrorist ka lëshuar metastaza shumë larg nga Afganistani, si: Al Shabab në Somali, Al Kaeda në Gadishullin Arabik, Al Nusra në Siri, ISIS, që po përpiqet të krijojë një kalifat në Siri dhe Irak dhe të ngrejë filiale në vende të shumta në Afrikë dhe Azi.

11. RRUGA PËRPARA

Rënia e plotë e forcave afgane të sigurisë rrit gjasat që aktorët rajonalë të bashkëpunojnë me talebanët nëpërmjet marrëdhënieve të hapura politike, të cilat do të zëvendësojnë mbështetjen e deritashme me anën e personave të tretë. Këto ndërveprime, vërejnë politologët, do të kenë karakter transaksionesh, më jep, të të jap, pasi shtete si Irani dhe Pakistani kërkojnë të sigurojnë kufijtë dhe të kënaqin interesat e tyre të sigurisë; ndërsa vende të tilla si Rusia, Kina dhe fqinjët aziatiko-qendrorë të Afganistanit do të kërkojnë të rritin interesat e tyre ekonomike dhe të kufizojnë flukset e refugjatëve apo ndonjë emergjencë humanitare komplekse. Rusia dhe Bjellorusia mund të përdorin vërshimet e refugjatëve për të polarizuar më tej politikën në Europë.

Sidoqoftë, aktorët rajonalë do ta shohin Afganistanin nëpërmjet lenteve kundër terrorizmit dhe do të drejtojnë vëmendjen e tyre në grupe të tilla si ISIS-Khorasan (ISIS-K), një armik i përbashkët i shteteve të rajonit dhe i vetë talebanëve. Këto grupe do të shfrytëzojnë krizën e sigurisë pas konfliktit për të radikalizuar një brez të ri mbështetësish, të cilët ndihen të braktisur nga institucionet perëndimore. Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët e tyre do të shtrëngohen të mos mbështesin një regjim të dështuar për të parandaluar fitoren ushtarake të talebanëve, pasi do të furnizonin me karburant pështjellime në forma të reja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura