Kthim në skenën nga më larguan 45 vjet më parë

Jun 13, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Edhe më mosbesuesit, ata që janë në kufij të mbijetesës, kanë ëndrra! Mund të zgjedhin të mos i ndajnë me të tjerët, për të mos e lënë botën të tallet, por ëndrra kanë!

Ndryshe, asnjëri prej artistëve të dënuar e të flakëruar fshatrave o kampeve të përqendrimit, nuk do të mbijetonte. Aktorja e këngëtarja Justina Aliaj gjithmonë e ka ditur se do të vinte kjo ditë kur do të mund të këndonte këngën që i pëlqente asaj, do të zgjidhte fustanin e pëlqyer, do të recitonte poezinë e dashur.

sdfsaf

Në të gjitha ditët e jetës pas Festivalit të 11-të, e dinte! Sigurisht, nuk ishte e rastit t’i ndante ëndrrat e mendimet me të tjerët, por vetë, me vete, me to merrte frymë.

Pak ditë më parë, në Teatrin e Operës dhe Baletit, Justina Aliaj e vijoi këngën atje ku i ishte ndërprerë 45 vite më parë. “Në ekranin e televizorit” hapi koncertin e saj “Justina Aliaj show” po aq bujshëm sa ç’e mbylli dikur. Ishin aty miqtë e saj artistë, shkodranët e dashur që kishin ardhur me autobusë, e plot të tjerë që do të kishin dashur ta dëgjonin Justinën në të gjitha kohët.

Ndryshe nga viti i shkuar, kur projektet e saj u fokusuan tek aktrimi, këtë herë aktorja këngëtare realizoi ëndrrën e 45 viteve me po atë zë të fuqishëm si në festivalin e famshëm ku iu pre në mes.

Tani që e kemi takuar, Justina është e çlodhur. As asaj nuk i besohet që ka realizuar dëshirën e madhe e mund të pushojë në ballkon pa menduar për një mijë e një gjërat organizative të përpara koncertit.

ffsafsfa

Një vit më parë, pas shumë kohësh mungese, jeni shfaqur në Teatrin e Metropolit me koncertin “Justina i kreh flokët me këngë”. Çfarë ngeli pa përmbushur atëherë që erdhët me një tjetër koncert?

Kjo ishte ëndrra ime e të gjitha kohërave. “Justina Aliaj show” ishte i përmasave të tjera, ishte ajo që kisha dëshiruar, ashtu siç e kisha dëshiruar. Hyra në skenë symbyllur, njësoj siç u largova. E kisha lënë publikun të veshur në ngjyra të errëta, dhe kur hapa sytë, gjeta një publik plot ngjyra. Recitova poezinë e dashur të Migjenit “Dy buzë”, këndova këngët italiane e franceze, këndova këngë të mikeshave të mia, sepse, më në fund, isha e lirë të bëja atë që doja.

Prej sa kohësh punonit për këtë koncert?

Gjithmonë, në çdo kohë, kam punuar për këtë koncert. Ishte në mendimet e mia qysh kur m’u ndal e drejta për të kënduar. Ishte gjithmonë në sirtar. Edhe nëse rrugës dilnin gjëra të tjera që mund t’i mbivendoseshin, ai ishte aty.

A mendonit dikur, pasi ju transferuan në Dukagjin, se do të vinte dita kur do të ishit e lirë të bënit gjithçka?

Artisti nuk mund të jetojë ndryshe. Edhe atëherë kur gjërat duken të errëta e pa shpresë, ai gjithmonë ëndërron se do të vijë dita e tij. Unë kështu kam jetuar, ndryshe nuk do t’ia dilja.

Pse pritët kaq gjatë?

Në këto 26 vite, mund ta kishit realizuar ëndrrën më herët… Menjëherë pas ardhjes së demokracisë unë u largova bashkë me familjen. Isha aq e lodhur dhe e ngarkuar nga gjërat që kishin ndodhur këtu, saqë nuk mund të rrija më gjatë. Pastaj, kur vitet e para kaluan, situata në Shqipëri u rëndua edhe më tepër. Politika nuk po e linte artin të jetonte. Të gjitha trazirat, mungesa e stabilitetit, të bënte të mendoje se veç për koncerte nuk e kishte mendjen njeri.

Prej shumë vitesh tashmë, njerëzit strehohen nëpër koncerte…

Më vjen mirë për këtë, por për mua nuk ka qenë aq e thjeshtë. I kam bërë të gjitha gjërat vetë, pa pasur asnjë mbështetje dhe kjo i vështirëson punët. Sapo vë një gur, bie një tjetër. E kam ndërtuar këtë koncert si një puzzle, një copë një herë, e një copë një herë tjetër. Punoj për të prej pesë vitesh dhe vetëm tani munda ta mbyll.

Ndoshta sepse gjatë kësaj kohe jeni marrë edhe me aktrim?!

Jo, nuk ka qenë kjo pengesa. Koncerti ka qenë gjithmonë aty, edhe në rastin e roleve, thjesht nuk jam marrë me kohë të plotë kur më është dashur të punoj për rolin, por nga mendja kurrë nuk është larguar asnjë ditë. Vjet pata dy role, atë të Zonjës Pernelë, te komedia “Tartufi” e Molierit, dhe të Silvës, te drama shqiptare “20 vjet, 2 javë dhe 2 ditë”.

Nuk duket të keni gëzimin e realizimit të koncertit, kur vjen fjala te rolet! A duhet të mendojmë, nisur edhe nga ëndrra e gjithhershme për ta realizuar, se kënga është më e dashur se aktrimi?

Jo, nuk është kështu. Për mua janë njësoj, do t’i zgjidhja të dyja në çdo kohë. Asnjëra nuk ka penguar tjetrën. Interpretimi ishte gjithashtu pjesë e koncertit tim, recitova poezitë që i dua shumë, mes të cilave “Dy buzë” të Migjenit.

Justina Aliaj në dy rolet e saj të fundit si aktore
Justina Aliaj në dy
rolet e saj të fundit
si aktore

Historia e së shkuarës së këngëtares

Edhe pse e njihte potencialin e zërit të saj, kishte kënduar në festivale të ndryshme, Justina Aliaj nuk e mendonte se do të ngelej në kujtesën e njerëzve si këngëtare. “Unë isha këngëtare e provuar në shumë interpretime në kohë të ndryshme. Kisha marrë pjesë me sukses gjatë çdo viti edhe në festivalet e tjera të mëparshme. Dhe të gjithë e dinin se, megjithëqë unë në atë kohë punoja në Televizionin Shqiptar, si regjisore, prezantuese, spikere etj., përsëri kisha një pasion të veçantë, e cila ishte kënga.

Pavarësisht se kisha mbaruar shkollën e lartë të aktorëve (Konservatorin), një nga ëndrrat e mia ishte muzika. Pra, përpara Festivalit të 11-të unë kisha marrë pjesë edhe në festivale apo koncerte të tjera. Dhe njihesha shumë mirë me rrethet artistike të vendit. Por këtu çështja ishte se me çfarë kënge do të përfaqësohesha në festival. Dhe për këtë unë zgjodha një këngë ritmike, e cila titullohej ‘Në ekranin e televizorit’.

Kënga ishte një kompozim i Agron Xhungës”, tregon Justina. Sigurisht që pakkush mund të zgjidhte vetë këngën që donte të këndonte. Pra, dënimet pas atij festivali ishin kryesisht për shkak të kompozitorëve e drejtuesve. “Deri përpara Festivalit të 11-të, këngët kishin funksionuar me dublantë. Pra, ishin dy këngëtarë që këndonin të njëjtën këngë. Mirëpo në Festivalin e 11-të ky rregull u hoq fare dhe filloi eksperimentimi me një këngëtar. Unë zakonisht kam punuar me këngët e Agim Krajkës dhe Tish Daisë, por në këtë festival zgjodha këngën e A. Xhungës.

Kënga ishte vërtet shumë e bukur dhe më pëlqeu. Tani kur i mendoj këto gjëra, them ndonjëherë me vete se atje na kishin çuar për të zgjedhur jo këngën, por avionin e luftës me të cilin ishte paracaktuar se do të rrëzoheshim. Dhe kjo vlen për të gjithë ata artistë të talentuar dhe fisnikë, të cilët iu përkushtuan artit muzikor duke mbajtur më pas mbi shpinë sakrifica të llahtarshme në emër të pasionit për muzikën. Pra, iu thashë se bëhej një lloj marrëveshjeje e heshtur, por sidoqoftë asgjë nuk vendosej pa marrë miratimin e atyre ‘ustallarëve’ më lart. Kishte raste që këngëtarit i hiqej kënga edhe një apo dy net para festivalit. Kjo ka ndodhur shpesh. Dhe për këtë arsye këngëtarët deri në natën e fundit ishin gjithmonë në ankth”.

Kënga e saj aty për aty u prit shumë mirë nga publiku. Edhe më pas të gjithë i thanë fjalët më të mira. Njerëzit e pëlqyen dhe e bënë menjëherë të tyren melodinë e kësaj kënge. Por ndryshe nga të tjerët, entuziazmi i saj nuk zgjati shumë. Menjëherë kritikat u bënë mjaft të ashpra, sidomos për mënyrën e interpretimit. Bëhej fjalë për “dredhje të zërit”, diku afër refrenit. Por kjo akuzë që tani duket qesharake, në fakt për atë kohë ishte shumë. Kështu që goditja ndaj saj ishte e menjëhershme. “Ishin veprime të shëmtuara, sepse ishte urdhëruar në prapaskenat politike të asaj kohe. Mua nuk më thanë asgjë për largim nga puna në Televizionin Shqiptar. Por ato ditë më erdhi Kadri Metohu dhe më tha: ‘Ka shumë kohë që Teatri i Shkodrës të kërkon që të punosh si aktore në këtë qytet. Dhe unë nuk mund të kundërshtoj këtë urdhër’.

Në fakt, u çudita disi, por u detyrova ta pranoj kushtin, aq më tepër që nuk kisha ndonjë zgjidhje të ndërmjetme. Mirëpo, kur shkova në Shkodër dhe kur u paraqita në Teatrin ‘Migjeni’, atje nuk më pranuan. Më thanë se nuk mund të më pranonin ngaqë unë isha e dënuar për shkak të Festivalit të 11-të. Dhe për këtë arsye duhej të kërkoja një lloj pune tjetër në Komitetin Ekzekutiv. Shkova në Komitet dhe ata më caktuan në Dukagjin, për një shkollë apo një vatër kulture. Vetëm tani unë e kuptova planin që luhej mbi mua. Gjithçka ishte përcaktuar qysh në Tiranë, por mua nuk më thoshin asgjë haptazi. Vetëm se vazhdonin të më sillnin vërdallë sa në njërin vend, në tjetrin.

Aty për herë të parë pashë hipokrizinë e një aparati shtetëror që vepronte nëpërmjet prapaskenave të ulëta. Dhe isha tepër e re kur e kuptova këtë gjë”. Por fati deshi që në Dukagjin të mos shkonte. U gjend dikush edhe për të në momentin që i duhej më shumë. Bilal Paruca ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv dhe kërkoi që Justina Aliaj të caktohej në Teatrin e Shkodrës. “I jam shumë mirënjohëse për ndihmën që më dha në ato momente tepër të vështira të jetës sime. Sepse në ato ditë ngado që shkoja më thoshin: Ti je e damkosur me ‘kartabiankën e armikes së popullit e partisë’. Dhe mos harroni ju lutem, unë dënohesha atëherë vetëm për fajin se kisha kënduar një këngë ritmike”, përfundon Justina Aliaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura