“Kthehem në janar, mbijetojmë me merkato”, Nebihi: Presidenti do të na japë rrogat, gjithçka do të rregullohet

Dec 31, 2019 | 8:21
SHPËRNDAJE

Kreshnik Nebihi nuk do të largohet nga Flamurtari. Ndryshe nga kushëriri i tij, ai ka vendosur që të respektojë kontratën deri në fund. E pranon që 2019-ta ka qenë shumë e vështirë, e megjithatë kosovari premton besnikëri. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 22-vjeçari rrëfen edhe planet e klubit për të dalë nga kriza.

kreshnik nebihi

Ai shpjegon se administratori Sinan Idrizi u ka premtuar se jo vetëm do të jepen të gjitha rrogat e prapambetura, por edhe do të përforcohen në janar. Me para në xhep dhe disa afrime më shumë, mesfushori mendon se edhe mbijetesa do të jetë më e mundur.

Kreshnik, keni marrë garanci nga drejtuesit për të ardhmen?

Jemi takuar dhe kemi biseduar me presidentin për situatën dhe të ardhmen. Sinan Idrizi na ka thënë që do të ketë përforcime në janar dhe do të mbyllen që të gjitha detyrimet financiare karshi lojtarëve. Presidentin e kemi pranë dhe kështu që unë kam shpresa se do të rregullohet situata.

Domethënë, ju do të riktheheni në janar në Vlorë?

Përderisa jam në kontratë me Flamurtarin, normalisht që do të kthehem. Do t’i bashkohem ekipit për të vijuar përgatitjet në janar. Do të respektoj marrëveshjen që kam firmosur në verë.

Duke qenë se ekipi është përballur me një situatë të vështirë financiare, nuk e keni menduar kurrë largimin?

Për momentin jam duke i shijuar në maksimum pushimet. Nuk jam fokusuar në anën e futbollit, kështu që nuk kam menduar asgjë (qesh).

Sa i ka shanset ky Flamurtar për të qëndruar në elitë?

E kam thënë dhe e riktheksoj sërish. Përderisa është matematikisht e mundshme mbijetesa, gjithmonë duhet që të shpresojmë. Por, me një organizim të mirë në janar dhe nëse nuk do të kemi probleme, gjithçka është e mundur dhe e hapur. Unë shpresoj shumë që ky ekip të qëndrojë në elitë.

Si e vlerësoni këtë pjesë të sezonit që u mbyll?

Normalisht që ka qenë i vështirë. Nuk kemi arritur rezultatet që do të dëshironim. Vendi i fundit nuk na shkon për shtat.

Si mund të ndryshojë kjo gjendje?

Duhet që të bëjmë maksimumin për pjesën tjetër të sezonit. Angazhimi i gjithsecilit në fushë mund ta rregullojë situatën aktuale. Vetëm kështu mund të dalim nga kjo gjendje. Do të jetë shumë e vështirë. Kemi mungesë të theksuar pikësh, por me shumë punë dhe dëshirë, gjithçka mund të ndodhë.

Ku po i kaloni pushimet?

Për momentin jam në Kosovë, po i kaloj këtu pushimet. E kam gjithë familjen pranë dhe kaq më mjafton që të jem i qetë. Jam duke i shijuar këto ditë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura