Kthehej nga Zvicra/ Shqiptari, baba i tre fëmijëve gjendet i vrarë në makinë

Sep 3, 2018 | 12:32
SHPËRNDAJE

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për vdekjen e Avdyl K, nga Ferizaji. i ndjeri, sipas Policisë ishte gjetur afër lumit në veturën e tij me një plagë në fytyrë. Më herët, ferizajasi ishte raportuar si person i zhdukur, shkruan Express.

Në fshatin Nerofime e Poshtme të Ferizajit, mbrëmë rreth orës 17:00, është gjetur një person  pa shenja jete e me plagë në fytyrë në veturën e tij në afërsi të lumit. Më herët ferizajasi, ishte raportuar si i zhdukur nga familjarët.

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh njofton se në veturën e viktimës është gjetur një revole, ndërsa në afërsi të veturës është gjetur një karikator.

Në njoftim thuhet se me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

“Një mashkull K-shqiptar është gjetur pa shenja jete me një plagë në fytyrë në veturën e tij në afërsi të lumit. Viktima ishte raportuar nga familjarët si person i zhdukur. Në veturën e viktimës është gjetur një revole, ndërsa në afërsi të veturës është gjetur një karikator. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë.

***

Shqiptari me vendbanim në Kloten të Zvicrës, Avdyl K. ishte zhdukur pa kurrfarë gjurme në vendlindjen e tij në Kosovë, shkruan “20 Minuten”.

avdyl

“Ai në Kosovë udhëtoi të mërkurën dhe të shtunën është dashur të kthehet përsëri me avion”, ka deklaruar nipi i tij. “Por, që nga mbrëmja e së premtes nuk kemi dëgjuar asgjë prej tij. Nuk e dimë se ku mund të jetë, vetëm se ka dashur të takojë ndokënd”. Për herë të fundit, prindi i tre fëmijëve ka qenë duke drejtuar një veturë të llojit “Range Rover”, transmeton albinfo.ch.

Asnjëherë nuk kishte ndodhur që xhaxhai i tij, i cili me prejardhje ishte nga Sojeva, në afërsi të Ferizajt, nuk kishte lajmëruar për disa ditë. “Për dy vite ai ka udhëtuar gjithmonë në Kosovë dhe ka qëndruar atje për disa ditë”, ka shpjeguar nipi i tij. “Ai bën biznes me vetura”.

Agim Gashi, zëdhënës i policisë në Ferizaj, për portalin “Koha.net” ka konfirmuar se të shtunën është pranuar një raport për zhdukjen e një personi dhe hetimi ka filluar.

Të dielën pasdite, nipi më në fund mësoi se K. është gjetur i vdekur në veturën e tij. Gjithashtu, në veturë ishte gjetur edhe një armë zjarri, përcjell albinfo.ch.

Ai tashmë kishte parandier se me të diçka kishte ndodhur, thotë nipi. “Më së keqi është për fëmijët e xhaxhait tim”. Ata janë të moshës së mitur prej një, tre dhe pesëvjeçare. Familja e tij beson se K. është vrarë. Me vete kishte shumë para. “Policia nuk na jep asnjë informatë”, ka përfunduar nipi.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura