Kryqi dhe kryqëzimi i imazheve te “Dituria” e Lumo Skëndos!

Nov 7, 2018 | 12:36
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ/gjekmarkajTeksa e këqyr të ribotuar e të përmbledhur në dy vëllime të gjithë “Diturinë” e Lumo Skëndos, është e vështirë të mos pranosh që ke të bësh me një “dukuri komunikimi, e cila ka të bëjë me zbulimin e tjetrit, me tjetrin si bartësi i një identiteti kulturor të ndryshëm nga i yti, me tjetrin si botë dhe si vete, si zbulim dhe si rikrijim”, por edhe të biesh në tentacionin e një përfytyrimi biblik!

Rilindës e bir i Rilindjes Kombëtare Mid’hat Frashëri, kur Shqipëria kërkonte mëvetësinë , pasi e fitoi dhe e humbi atë, pasi e rimori e prej së cilës krijoji një shtet, ai , biri i Abdylit mbi supe, gozhduar për të, mban e tërheq kryqin e rëndë të të gjitha dijeve që mungojnë e pa të cilat një komb nuk mund të rrugëtojë ! “Dituria” kumton se :

Nga një zhguall i fortë shtresëzuar për 5 shekuj është mbështjellë gjithçka shqiptare gati në kufij asgjësimi! Së pari, prej tij duhet nxjerrë gjuha shqipe, e menjëherë nga dhëmbët e kadmosit lënda për t’i shkruar alfabetin ! Këto vijnë si rrëfim e si akt ! Fill pas saj tenton ndërtimin e një sistemi me logjikë kombëtare për dokumentin historik, letërsinë dhe folklorin, për shkencat të cilat duhen themeluar, ligjet që duhen bërë e kanunet, të cilat me domosdo duhen ruajtur, pasuritë që duhen jetësuar e përdorur !

Po kaq fort insiston mbi individin, i cili duhet të dalë nga koraca e relievit malor e fisnor për t’u bërë pjesë e shoqërisë, e cila vetë duhet ta pranojë qytetërimin e për më tepër, të ndihet komb. Po kaq, ky komb e ka jetike të kuptojë se kontekstualizimi me kontinentin europian është e vetmja frymëmarrje që shtetin e vogël me shumë armiq ngjitas, e mban në jetë!

Duke rishfletuar pas pothuaj një qind vitesh revistën e tij, kuptojmë që në çdo editorial apo artikull Lumo Skëndo ka luftuar për të mësuar të vetët si duhet të bëhemi dhe të huajt sesi jemi në një kryqëzim të vazhdueshëm imazhesh, që herë përputhen e në të tjera raste përjashtojnë njëri- tjetrin.

“Dituria” na bind që Lumo Skëndo është themelues e strukturues së imazhologjisë ndër shqiptarë. Ndërtimi i imazhit shqiptar pas një leximi të kujdesshëm duket si mision parësor i punës së tij intelektuale, ku “çdo imazh ndërtohet nëpërmjet një ballafaqimi të vazhdueshëm, i cili lëviz nga identiteti tek alteriteti”.

Kronikat e udhëtarëve të huaj në Shqipëri gjer në fund të shekullit 19, të cilat mund te konsiderohen edhe letërsi udhëtimi, por edhe instrument informacioni, të sintonizuara me përshkrimet e tij për historinë, shkrimin, letërsinë, gjeografinë, etnografinë, antropologjinë , individin dhe krahinat i shërbejnë atij për t’u treguar bashkëkombësve si ata janë fotografuar te të huajt dhe sa e njohin njëri-tjetrin. Kjo e fundit shfaqet dramatike, krahinat dhe trevat shqiptare funksionojnë si botë lokalë të izoluara pa njohje të ndërsjella.

Për Lumo Skëndon, letërsia ajo e udhëtimit e shkruar nga të huajt për ne si Arnold Von Harfi, Eduard Broën, Lir Bajron, Dino e Nikolo Shefanopuli e shumë të tjerë, por edhe ajo shqiptare duke filluar me Pjetër Budin, troket e para në laboratorin e tij sepse “studimi i imazheve, i paragjykimeve, i klisheve, i steriotipeve e në përgjithësi i opinioneve ndaj popujve dhe kulturave të tjera, atë që letërsia transmeton nisur nga bindja që këto imazhe vijnë e përcaktohen bashkërisht, kanë një rëndësi, që shkon përtej aktit letrar, përtej atij të studimit të ideve dhe nuancave artistike, të një autori të vetëm, interesi më i madh që iu jep shpirt kërkimeve imazhologjike është të shkuarit te vlera ideologjike e politike që një vepër mund të ketë”. Kur luftohet për gjithçka, për territorin, për pavarësinë, për shtetin, kufijtë, vetë mbijetesën, loja me imazhin është themelore për të pasur sukses, i cili në momente të caktuara është më i rëndësishëm se vetë cilësia.

Në shumë hulumtime të tijat, Skëndo nënvizon “etikën e takimit” ndërmjet shqiptarëve dhe të huajve, ose atë ndërmjet vetë shqiptarëve, e cila përkufizohet si mikpritja,koncept ky me sponsorizim mitologjik si një “element themelor në gramatikën sociale të udhëtimit”, por edhe të tjera kategori sjelljeje e karakteri që mund të konsiderohen virtyte, krenarinë, trimërinë, shpirtin luftarak etj.. Përtej qëllimit funksional, ai nuk shfaqet selektiv në botimet e këtyre kronikave e as kompleksohet prej tyre.

Nuk i fsheh ato që përshkruajnë elementet e errëta dhe negative të botës shqiptare në sytë e të huajve. Qafir Pukevilit, siç e thërriste Ali Pashai, në Përmet një banor i thotë që kjo racë barbare meriton të qeveriset nga tiranë, ndërsa një tjetër rrëfen sesi gratë dëshpërohen se nuk i duan burrat, pikërisht kur ata nuk i rrahin bien në ketë tip pohimi, zalisjeje e pikëllimi.

Një tjetër tregon për pleshtat që gëlojnë në rroba, për gjumin nën hije e në diell që iu këndet pa masë dainjve tanë , për këngët që i këndojnë në gërvallje të pakuptimtë, për zymtësinë tragjike të labëve që e punojnë tokën pa optimizëm të bindur se nuk do mbijë asgjë, gratë që korrin pa kënduar të sigurta se gëzimi s’ka vend në jetën e tyre, hajdutët që të grijnë në çdo kthesë rrugë e shumëçka tjetër, që ende rri këmbëkryq mes nesh sot e asaj kohe.

Me gjasë, kjo përzgjedhje e thekur e letërsisë së udhëtimit nga Lumo Skëndo vjen ngaqë është e vështirë për të dalluar “atë që tregon” me “atë që dëgjon”. Letërsia e udhëtimit “di të ruajë këtë ambiguitet që është barazia hermeneutike” mes shkrimtarit dhe lexuesit, bashkëpunëtorë të pandarë në tentative për t’i dhënë një formë botës”, në këtë rast asaj shqiptare, që paraqitet anarkike, e rrezikuar, e pastabilizuar në kohë dhe hapësirë.

Mid’hat Frashëri është në përpjekje të vazhdueshme për të “tejkaluar kufijtë , për të parë çfarë ka përtej”, në sfidë që “të ballafaqojë të brendshmen me të jashtmen, të këtushmen me të atjeshmen”, për të treguar e dhënë formë atij komunikimit kaq të nevojshëm për shqiptarët, për të parë e njohur veten me sytë e tjetrit , e hapur fort të vetët, “duke përkthyer dhe interpretuar takimin me tjetrin” si një moment tepër të dëshiruar pas ngrirjes së gjatë të qytetërimit shqiptar ! Aty vihet re sesi e përkufizojnë etnografinë dhe antropologjinë tonë të huajt dhe si e dëshiron atë Mid’Hat Frashëri.

Në këtë mënyrë, ai kërkon të injektoje te lexuesit e vet të kuptuarit e qëllimit të udhëtimit, motivin për të cilin ai kryhet si dhe motivin pse tregohet duke konturuar një sociologji leximi për t’i mprehur shqisat dhe forcuar njohjen, krahasimin e mbi të gjitha ndryshimin e nevojshëm. Në çdo numër, ai publikon kartolina me pamje të zgjedhura nga Shqipëria, nga qytetet e saj aso periudhe si: Shkupi, Prishtina, Prizreni, Shkodra, Berati, Dodona, Janina, Paramithia, qytetet arbëreshe në Itali, monumente kulti si teqe, kisha, xhami, ura antike, veshje grash e burrash si nga jugu, ashtu nga veriu, për të realizuar aq sa ishte e mundur një proces njohjeje mes vedi, një ndërgjegje të përbashkët kulturore e identitare. Po kështu, investohet në një prezantim të gjeografisë duke përshkruar “liqenet, kënetat, lumenjtë e Shqipërisë”, “zakonet e popullit të Tiranës”, “çështje të Drinit dhe Shkodra”, “industria e djathit në Gjirokastër”, “udhët, pyjet, lumenjtë e Shqipërisë së sipërme”, ku rrëfen sesi i duket Kosova: “Njeriu çuditet kur sheh mirësitë që i ka falur natyra k•ti vendi të bekuar; me një anë sheh në fushë të gjerë që e vaditin lumenj të pashterur, me anë tjetër ndodhen pyjet e mëdhenj me drurë të drejtë e të fortë; me një vend duken malet plot me metale.

Nga të mospasurit udhë, njerëzia, në mes të këtyre të mirave dhe në mes të florinet, ndodhen të varfër e pa bukë; kan’ nevojë të largohen nga ky vënt i pasur e të venë përjashta për të fituar pakë të holla që të mbajnë shtëpinë”! Ky kryqëzim imazhesh realizohet nga Mid’hat Frashëri, sepse pas një leximi pa romantizëm, ndryshe nga ungji i tij Naim i kushteve “materiale dhe ideologjike të përkatësisë se tij kulturore ose me reflektim eksplicit të “location”-it të tij.

Me këtë ndërgjegjësim në nivel teorik dhe aplikativ shfaqet një element i dashur që në origjinë për imazhologjinë, elementi etikopolitik” e kulturor si nevojë për ta bërë të mbrojtur Shqipërinë për gjatë shekullit që u konsumua, duke e dëbuar Mid’Hat benë nga trualli tij si shpërblim të fundit për imazhin që i dhuroi!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura