“Kryeprokurori ndërhyri në punën time”, akuza e Prokurorit të dorëhequr

Aug 20, 2018 | 20:49
SHPËRNDAJE

Prokurori i dorëhequr i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Elez Blakaj, akuzoi kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi për ndërhyrje dhe përpjekje për frikësim, ndërsa vë në pah se është kërcënuar gjatë trajtimit të keqpërdorimeve me hartimin e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

6EB79943-C246-420C-A6BA-E6E336845912_w1023_r1_s

Javën e kaluar, prokuroria e Shtetit tha se prokurori Elez Blakaj ka dhënë dorëheqje, por pa dhënë hollësi rreth arsyeve të saj. Por, mediat e Kosovës njoftuan se dorëheqja lidhet me kërcënimet që i janë barë gjatë kryerjes së detyrës, posaçërisht me rastet e hetuara për terrorizëm dhe listën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të hënën në një shkrim në rrjetin social Facebook, zoti Blakaj tha se dorëheqja e tij është “protestë dhe mesazh” për shkak të politizimit të prokurorisë së shtetit.

Më poshtë po e sjellim të plotë shkrimin e zotit Blakaj ashtu siç është postuar në profilin e tij në facebook:

Millaku: Blakaj nuk është as hero as frikacak

Kryeprokurori i Prokurorisë së posaçme, Reshat Millaku, tha të hënën se asnjëherë nuk ka pasur informacion që zoti Blakaj të jetë kërcënuar nga dikush, por “ka shkuar për të punuar në Amerikë”.

Në një takim me gazetarë bë Prishtinë, zoti Millaku tha se Blakaj ishte një prokuror i mirë, por nuk ka qenë “as hero, as frikacak”.

Ai u përqendrua tek aktakuza e përgatitur nga prokurori Blakaj për mbi 19 mijë veteranë të rrejshëm, duke e cilësuar atë si “të mangët” dhe si e tillë nuk mund të dorëzohet në gjykatë.

“E pashë një lëshim, jo me dëshirën e Elezit vet, sepse si pjesëmarrës përmend vetëm 19 mijë e 600 persona, pa saktësuar se kush janë përfituesit. Kush është jurist e din se dispozitiva e aktakuzës duhet të jetë e qartë se kush janë përfituesit ashtu që edhe për një qytetar laik që nuk merret vesh në këto çështje të jetë e kuptueshme. Më vonë e shoh propozimin edhe te propozimi nuk pashë askund që është propozuar që gjykata të marr vendim të ua ndalojë pensionet këtyre personave”.

Sipas zotit Millaku, në aktakuzë duhet patjetër të përfshihet edhe kërkesa për pezullimin e pensioneve, për shkak të dëmit të madh që i bëhet buxhetit të Kosovës.

“Gjatë hetimeve unë kam pasur natyrisht kontakt me prokurorin edhe kam sugjeruar dhe çdo prokuror këtë e din, se kur bëhet finalizimi i emrave, tani 19 mijë e 60 persona të cilët nuk e meritojnë pensionin e veteranit të luftës, të nxirren emrat, mbiemrat, datëlindjet dhe numrat personal të tyre dhe gjyqtarit të procedurës paraprake t’i bëhet kërkesë që të bëhet pezullimi i pagesave ose ngrirja e të ardhurave për këta persona. Pse? Sepse vetëm për një vjet arrin rreth 38 milionë euro, domethënë në muaj rreth 3 milionë e 300 apo 400 mijë euro janë në dëm të buxhetit të Kosovës. Kjo është vepra penale që i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës më së shumti që nga pas lufta”.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i tha Zërit të Amerikës se dorëheqja e prokurorit Blakaj është tregues për gjendjen e rëndë në sistemin prokurorial të Kosovës, për shkak të trysnive dhe ndikimeve të mëdha politike në punën e prokurorëve. Sipas tij përfshirja e 19 mijë e 600 personave në aktakuzë e pamundëson gjykimin në kohë të arsyeshme të këtij rasti.

“Strategjia e prokurorit Blakaj ka qenë që personat e komisionit për verifikim në një mënyrë të akuzohen dhe të njëjtin nëse do të provohej në gjykatë se janë fajtor atëherë i tërë procesi i verifikimit të veteranëve të luftës do të konsiderohej i kundërligjshëm, respektivisht do të duhej të stopohej pagesa ndaj tyre. Përderisa me qasjen që kryeprokurori Millaku po e potencon dhe t’i fus 19 mijë e 600 veteranë në këtë aktakuzë kjo do të pamundësonte që të kemi gjykim në një kohë të arsyeshme sepse do të ishte pothuajse e pamundshme që 19 e 600 persona përnjëherë të ftohen nga gjykata në një seancë gjyqësore”.

Dorëheqja e prokurorit, Elez Blakaj kishte nxitur reagime të shumta. Ministri i drejtësisë në Kosovë, Abelard Tahiri, ka kërkuar hetim të plotë për rrethanat e kësaj dorëheqjeje ndërsa ambasadori amerikan, Greg Delawie, e ka cilësuar si një ditë të trishtuar për sundimin e ligjit në Kosovë. /VOA/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura