Kryeprokurori i ri zgjidhet me 3/5 në Kuvend, i hiqet kompetenca Presidentit

Jun 29, 2016 | 12:01
SHPËRNDAJE

Procesi i përzgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm do të ndryshojë pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe të projektligjit të posaçëm për organin e akuzës.

nishani-llalla-e1451989038321

Në projektligjin e ri që u miratua sot në parim nga Komisioni i Posaçëm i Reformën në Drejtësi dhe që t’i dërgohet Parlamentit për t’u miratuar bashkë në paketën e 7 projektligjeve, parashikohet që kryeprokurori i ri të zgjidhet me 3/5-tat e votave të Parlamentit.

Kandidatura për kreun e Prokurorisë do të mblidhen në bazë të aplikimeve dhe do të vlerësohen nga organi i ri që pritet të krijohet, Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Në projektligjin e ri, si dhe në projektkushtetutën, është hequr tërësisht roli i Presidentit në emërimin e prokurorëve.

Ndërkohë që vetë kryeprokurori duhet të kalojë një sërë kriteresh të tjera, si kontrollin e pasurisë, apo mos të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.

“Kandidati për Prokuror të Përgjithshëm duhet të plotësojë kushtet si vijon: ç) në periudhën 29.11.1944–02.07.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme; d) të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i Shërbimeve Sekrete të huaja”, thuhet në nenin 23 të projektligjit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura